MENU
klinika

Mentor Nazarko

Arritja e Bashës e ndryshme nga synimet fillestare të çadrës

19.05.2017 - 17:08

Duke u ndalur tek figura e Bashës, Nazarko thotë se ai si politikan ka arritur shumë si një lider i ri. Edhe pse nuk mori qeverinë teknike dhe postin e Ramës, ai mori ministritë dhe drejtoritë që kontrollojnë paratë, nëse ato mund të përdoren për qëllime elektorale, duke ndikuar tek zgjedhjet.

Basha pati akuzuar se përmes parave të drogës do të blihen votat, në këtë mënyrë njerëzit e vendosur nga ai do të kontrollojnë se ku shkojnë këto para. Nazarko mbështet edhe idenë e Dashamir Shehit, i cili tha se një koalicion i gjërë PS-PD do të ishte i nevojshëm deri në sa Shqipëria të anëtarësohet në BE.

Konica.al

“Le të shkojmë pak te ajo qe lidhet me figurën e Bashës. Në të vërtetë, ka disa paradokse në atë se çfarë ka kërkuar Basha me hapjen e çadrës dhe këtu i jap të drejtë kolegëve të mi dhe çfarë arriti kur çadra u mbyll. Me të vërtetë Basha ka arritur shumë për një lider të ri politik. Basha ka arritur që të ndryshojë zemrën e pushtetit, ka arritur që ta teknikalizojë qeverinë, sepse, në fund të fundit, qeveritë teknike janë qeveri të cilat në prag të zgjedhjeve mundësojnë që ministritë, të cilat kontrollojnë fondet e konsiderueshme publike, të mos vendosin ato në funksion të projekteve apo në funksion të individëve në mënyrë që të përkthehen pastaj në vota. Basha e ka arritur këtë duke zëvendësuar jo katër ministra, por gjashtë apo edhe shtatë, duke llogaritur edhe zëvendëskryeministrin me figura të cilat do të jenë figura me profil teknik. Kjo është një arritje shumë e madhe, por sigurisht që është një arritje krejt e ndryshme nga ajo se çfarë Basha ka kërkuar në momentin kur e ka ngritur çadrën. Basha ka pretenduar se rezultati i zgjedhjeve është i paracaktuar për shkak të kontrollit apo fuqisë së madhe të parave të drogës në jetën politike dhe ekonomike të vendit dhe procesit zgjedhor dhe më në fund ka arritur kontroll jo thjesht mbi paratë e drogës, por mbi paratë publike. Eventualisht, brenda një kohe të shkurtër, njerëzit e tij do të ngrijnë lëvizjen e parave publike drejt projekteve me karakter zgjedhor. Pavarësisht paradoksit që qëndron midis asaj që ishte arsyeja themelore se pse çadra u ngrit dhe arsyeve themelore se pse ajo po mbyllet, fitores së këtyre gjashtë ministrave teknikë, në të vërtetë kjo është një arritje për vendin. Ka qenë një kancer, sëmundje e madhe, zhvillimi i projekteve me natyrë elektorale kur gjashtë muajve të parë përpara zgjedhjeve zhvilloheshin tendera të shumtë, destinoheshin fonde të panumërt, harxhoheshin paratë e shtetit në projekte të cilat kishin dukshmëri elektorale, por që nuk kishin rëndësi me karakter afatgjatë dhe në njëfarë kuptimi kjo është diçka që mori fund për këto zgjedhje dhe unë shpresoj se bashkëjetesa midis të dy palëve të vazhdojë në mënyrë që kjo gjë të marrë fund një herë e përgjithmonë. Pse jo, derisa të integrohemi në Bashkimin Evropian, m’u duk projekt-propozim i arsyeshëm ai i Z.Shehi që formula e qeverive teknike katër muajt e fundit para zgjedhjeve ishte një formulë që të mbahej në këmbë derisa Shqipëria të integrohej në Bashkimin Evropian.

Në gjykimin tim, interesi publik fiton nga një këmbëngulje e tillë e Bashës. Sigurisht që ka momente të tjera që janë momente me rëndësi në këtë reformë tërësore, ku natyrisht palët janë vëzhguese dhe vigjilente me njëra-tjetrën. Kjo duket në faktin që në marrëveshje, votimet, ndryshimet e Vetting-ut, ministrave, ndryshimet në KQZ, ndryshimet në ligjin zgjedhor të zhvillohen të gjitha në të njëjtën ditë. Ky është një moment që tregon për mosbesimin mes palëve, por edhe dhënien e garancive reciproke për njëra-tjetrën”, deklaroi ai.