Për herë të parë, Tirana bën bashkë sot ministrat e turizmit të të gjithë rajonit, nga Italia e Greqia, te Kroacia, Sllovenia, e Serbia.
Të gjithë bashkë në një Samit Ndërkombëtar për Turizmin. Por nuk do të jenë vetëm ministrat, por edhe agjencitë lidere të turizmit në rajon, përfaqësues të hoteleve më të rëndësishme, të gjithë operatorët turistikë në vend, të gjithë kryetarët e bashkive, ministra dhe kryeministri Rama në eventin më të rëndësishëm për turizmin, të organizuar ndonjëherë në Shqipëri.
“Turizmi, Solidaritet dhe Qëndrueshmëri”, është tema e samitit që po sjell në Tiranë, elitën e turizmit ndërkombëtar në rajon, që këtë herë vjen të mësojë nga Shqipëria, një leksion solidariteti të rrallë për turizmin.
Të mësojë nga solidariteti i lartë i sektorit të turizmit për të ndihmuar mbi 6000 qytetarë të pastrehë si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit 2019, gjë që nuk është parë askund ku fatkeqësitë janë përballuar në çadra dhe jo në hotele me 5 yje, si në Shqipëri.
Kjo qe arsyeja që Organizata Botërore e Turizmit nxiti bashkimin e gjithë rajonit në Tiranë, për të ndarë përvojë, për të qenë bashkë në përballimin e fatkeqësisë dhe sidomos për të promovuar imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë si destinacion i qëndrueshëm turistik.