I dërguari special i Presidentit Donald Trump për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell ndodhet ende në Prishtinë.
Ai ka takuar kreun e LV-së, Albin Kurtin dhe ka deklaruar se nuk do që të përfshihet në përplasjen për krijimin e qeverisë së re në vend, teksa ka përsëritur thirrjen për heqje të taksës prej 100 për qind.
Grenell ka deklaruar se i inkurajon liderët në vend që të veprojnë sipas ligjit, duke mos komentuar zhvillimet në bisedimet për koalicion.
“Ishte kënaqësi të shoh përsëri z.Kurti, formimi i qeverisë së re nuk është problemi im dhe nuk jam i interesuar që të përfshihem aspak. Dua të them dy gjëra, i thash z.Kurtit se ne jemi duke shikuar se çka po ndodhë ju inkurajojmë që të ndiqni ligjin sikur se të gjithë”, thotë ai.
Grenell ka shtuar se është në Kosovë që të ndikojnë në ndihmë për ekonominë e vendit.
“Jam duke u munduar që të injorojë përplasjet politike dhe të koncentrohem në rritje ekonomike dhe për këtë kam kërkuar nga z.Kurti dhe do të kërkojë edhe nga politikanët tjerë që është shumë e rëndësishme që të vazhdojmë tutje në zhvillim ekonomik që tarifa 100 për qind të hiqet. Kjo është një gjë që duhet të largohet në të njejtën kohë fushata për tërheqje të njohjeve nga Serbia duhet të ndalet.
Unë do ta përcjellë të njëjtin mesazh edhe në Beograd. Ky është mesazhi që e mbaj këtu sot edhe në Serbi”, shtoi Grenell.