Vitet e fundit, si në të gjithë botën, gjithnjë e më shumë po gjen përdorim një ekzaminim i ri për mëlçinë (heparin) që quhet elastografia e heparit. Aparatura me anë të së cilës realizohet ky ekzaminim quhet Fibroscan.
Pse kryhet dhe ç’tregon ky ekzaminim?
Sëmundje të ndryshme kronike të mëlçisë si hepatiti B dhe C apo dhjamosja e saj, mund të çojë në dëmtime të indit të mëlçisë dhe formim të një indi fibrotik në vend të tij.
Si pasojë e grumbullimit të këtij indi fibrotik, mëlçia fillon të humbasë elasticitetin e saj dhe bëhet më e ngurtë.
Pikërisht elastografia është një metodë e re, joinvazive që mat ngurtësimin e indeve të mëlçisë. Për të matur këtë, shërben aparatura e quajtur Fibroskan, e cila konsiston në një sondë me ultratinguj (e ngjashme me sondën e echo-grafisë), sipërfaqësore, e cila lëshon pulsacione me frekuencë të ulët, apo valë, drejt një volumi të vogël të mëlçisë, nën kafazin e kraharorit, midis brinjëve.
Ky transmetim valësh nuk shkakton dhimbje.
Ku ndodhet Fibroskani?
Aparatura ndodhet në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në Shërbimin të Sëmundjeve Infektive, ku mjekët me eksperiencë, të trajnuar e çertifikuar për kryerjen e ekzaminimit, e realizojnë 5 ditë në javë, për të gjithë pacientët me sëmundje kronike të heparit dhe ko-infeksione të tjera, që paraqiten sipas sistemit të referimit, pas një konsulte ku mjeku ekspert e indikon kryerjen e tij si pjesë plotësuese të të gjitha ekzaminimeve.
Elastografia nëpërmjet fibroskanit, mat një volum të mëlçisë prej 4cm, volum i cili është më përfaqësues i indit hepatik se sa një mostër e marrë nëpërmjet biopsisë.
Kjo do të thotë që për shkak të lehtësisë së përdorimit, mënyrave joinvazive, mundësisë për t’u kryer shpesh dhe sa herë na nevojitet, ky ekzaminim po zëvendëson gjerësisht biopsinë e heparit, që jo gjithmonë kalon pa komplikacione.
Si bëhet elastografia?
Mëlçia është e lokalizuar djathtas, në pjesën e sipërme të barkut, nën brinjë. Pacientit i thuhet të qëndrojë shtrirë mbi një krevat. Doktori vendos sondën e fibroskanit midis brinjëve, në anën e djathtë të kafazit të kraharorit.
Mbi mëlçi lëshohet një seri me rreth 10 pulsime të padhimbshme. Rezultatet regjistrohen në një pajisje kompjuterike ku mesatarja e tyre interpretohet prej doktorëve të specializuar në shkallë fibroze apo cirroze të mëlçisë.
Kur është e nevojshme kryerja e elastografisë?
Kjo procedurë i vjen në ndihmë mjekut specialist të vendosë rëndesën e shkallës së fibrozës në pacientë me sëmundje kronike të mëlçisë.
Në veçanti ndihmon për të vendosur nëse një pacient me hepatit C ka ose jo fibrozë apo cirrozë të avancuar, gjë e cila ndikon edhe në vendimet e trajtimit, nevojën e terapisë me antiviralë, survejancën e kancerit të mëlçisë etj.
Disa mjekë bëjnë matje në seri të elastografisë, çdo vit, për të parë nëse sëmundja hepatike po përmirësohet apo përkeqësohet me kalimin e kohës.
Të dhënat e rezultateve nga Fibroskani, normalisht duhen përdorur në kontekst edhe të të dhënave klinike, analizave laboratorike, imazherive të tjera të mëlçisë si echo, skaner apo rezonancë, për të menaxhuar çdo pacient në mënyrë individuale.
Cilat janë komplikacionet e mundshme nga elastografia e heparit?
Pothuajse të gjithë pacientët me sëmundje kronike të heparit mund të vlerësohen nëpërmjet fibroskanit, por testi nuk është i rekomanduar të kryhet apo i interpretueshëm në këto situata:
– Kur ka ujë në abdomen (bark);
– Në hepatitet akute;
– Pamjaftueshmërinë e zemrës;
– Pacientët mjaft obezë;
– Hapësirat mjaft të ngushta midis brinjëve;
– Pamundësinë për të qëndruar shtrirë;
Ky ekzaminim është totalisht jo-invaziv, i padhimbshëm dhe që kërkon rreth 10 minuta për t’u kryer.