Ne jemi një popull që historikisht kemi qenë të lidhur me tokën tonë, me atë që ma ka shkelur këmba e na ka dashur zemra. Gjithmonë kemi luftuar për tokën, e gjithmonë kemi për ta bërë se na vjen vetvetiu, pa e kuptuar. Një fakt shumë i rëndësishëm dhe që na vjen sot, ndoshta me urrejtje, mllef e mëri të madhe, është çështja e Shën Naumit, tokës shqiptare që iu kaloi sllavëve. Kush nuk ndihet keq që përveç dëmeve të tmerrshme psikologjike që na ka lënë komunizmi, një hendek të madh e hasim edhe në histori e besim, duke u munduar që gjithçka ta shesë sipas propagandës së tij, shkatërroi një pjesë të mirë të asaj çfarë kemi qenë. Një nga faktet që e ka “pësuar” është Shën Naumi dhe historia e tij.
Nuk mund të pranohej kurrsesi që mbreti Zog ka dhënë diçka për Shqipërinë, sepse atëherë i binte që kreu komunist të kundërshtonte vetë veten dhe të pranonte historinë e vërtetë, dhe këtë nuk mund ta lejonte. Editorialisti Mentor Nazarko është shprehur rreth kësaj çështjeje në disa shkrime të tijat, e sidomos tek ai i “8 mite të pavërteta rreth Mbretit Zog”, ku në mitin e katërt thuhet: “Miti i katërt, Zogu i dha Shën Naumin dhe një pjesë të Vermoshit serbëve sipas Marrëveshjes me Pashiçin – ky mbetet të jetë koncesioni më i madh. Na duhet të riinterpretojmë faktet apo të nxjerrim në dritë më të plotë faktet që historiografia e majtë, edhe në ditët e sotme, i mban në errësirë. Marrëveshja me Pashiçin s’ishte marrëveshje ndërshtetërore, por marrëveshje midis dy personave privatë, megjithëse të dy u bënë kryeministra disa muaj pas kësaj marrëveshjeje. Ndërkohë, nga 16 pika të kësaj marrëveshjeje, nuk ka realizim të asnjërës, me përjashtim të realizimit të pjesshëm për Shën Naumin dhe Vermoshin, por me shkëmbime territoresh, që ka nevojë për sqarim.
Ishte me të vërtetë kontradiktore logjika krahasuese e një historiani të çështjeve diplomatike para pak ditësh në një artikull. Ndërsa nuk e quante marrëveshje të ashtuquajturën marrëveshje të detit me Greqinë, meqenëse nuk u ratifikua në parlamentet e të dyja vendeve, konsideronte marrëveshje atë të Zogut me Pashiçin, që s’kaloi asnjë hap të iterit diplomatik. Inercia e tij në qëndrimet e dikurshme shkonte dhe më tej. Ai fliste me hollësi për sipërfaqet që Zogu i dha Jugosllavisë në Vermosh – jo tërë Vermoshin – por konsideronte të parëndësishme ato sipërfaqe që Zogu i kishte marrë në këmbim Jugosllavisë në zonën e Pogradecit, pa dhënë emrin e tyre, por vetëm të një fshati – Peshkëpije”.
Kjo është një analizë që vjen e bazuar në fakte historike të mbrojtura nga historianë të ndryshëm në kohë të ndryshme. Po a ka vende kjo për dyshime?! A ngre kjo çështje hipoteza të reja dhe fakte të reja historike, të cilat me qëllim janë fshehur me kohën?! Ediotialisti Nazarko ngre që pyetje që rrjedhimisht merr hovin që duhet “Cili prej historianëve dominantë ka bërë ndonjë analizë të vlerës strategjike të këtyre territoreve, por vazhdimisht paraqitet sikur Zogu dha pa asnjë kundërvleftë Shën Naumin?
A kishin këto territore afër një rruge të rëndësishme që lidhte Tiranën me Korçën dhe juglindjen e Shqipërisë me ndonjë vlerë strategjike dhe si raportohet kjo vlerë në raport me vlerën e Shën Naumit, arsyetim që e bënte Mehdi Frashëri, diplomati i shkëlqyer, mbrojtësi i Çamërisë dhe negociatori i marrëveshjes? Kur të bëhet kjo analizë, atëherë, në mënyrë të qetë, mund të pranojmë tradhtinë e Zogut me Shën Naumin. Më në fund, edhe po të konsiderosh marrëveshje atë me Pashiçin, Zogu nuk respektoi kurrfarë pike tjetër…”.