MENU
klinika

Vështron e betonizuar

Saranda moderne me 40 hajdutë

08.08.2018 - 09:38

Nga Eugent Kllapi

Në qoftë se mund të themi se çfarë mund t’i bëjmë keq bukurisë, kjo bukur fare mund të bëhet në Sarandë. 40 e kusur idiotlleqe u bënë e nuk po mbarohen, Ali baballarët po mbledhin edhe 40 kusarë të tjerë të zhvasin edhe atë që i ka ngelur. Një katastrofë ekologjike e kthyer në beton. Duket sikur betoni është kënaqësia e egoistëve të sotëm.

Çfarë u bë keq në Sarandë? Në fakt pyetja duhet të ishte çfarë nuk u bë keq në Sarandë. Edhe kroçerat e mëdhaja hedhin ujrat e zeza ndonjëherë dhe ikin drejt Korfuzit thonë sarandiotët, kjo të godet si sqepar në mendje kur e dëgjon. Megjithatë nuk është ky rasti që të mos ankorohen edhe jahte 500 milionëshe.

Emigrantët kur e shikojnë gjatë verës thonë se për ndihmë Saranda do një bombë bërthamore, ta rrëzosh të gjithë si vijë gjatësore nga Turizmi i dikurshëm tek porti, ta zhdukësh me zhul e gurë e ta rindërtosh nga e para. Sarandës ia mori trurin Montekarlo. Kjo nuk do të thotë se nuk është e bukur por ndërtoi një strategji ndërtimore pa kriter, pa vizion, por e vetizoluan në ndërtime pa domethënie për një qytet bashkëkohor.

Në fakt një strategji e gjithndodhur i jep ujë vijës së mullirit të marketingut elitar. Kjo lloj strategjie për Sarandën ishte vetshkatërruese. Japonezët vrasin veten për nder dhe nuk e tjetërsojnë origjnalitetin e natyrës, ata janë perfeksioni vetë. Sarandiotët, nuk e ndryshojnë perfeksionin e vetes asnjëherë, dhe e tjetërsojnë natyrën, ata janë shkatërruesit vetë.

Njerëzit duken të mirë, por problem është se njeriu nuk duket nga qëndrimet, po nga veprimet. Rritje betoni, rritje çmimesh, rritje studentesh që iknin jashtë shtetit, rritje varfërie, rritje të rrinjsh që zhduken pa nam e nishan nëntë muaj të vitit në Sarandë, rritej dhe fodullëku, rritej dhe paraja e pistë lumë. Aq e pistë sa ngriti në erë një pisllëk të tërë, një qytet.

Shumica heshtën në këtë masakër. Çfarë humbën? Humbën rininë, humbën mirqënien, humbën turizmin, humbën të ardhmen, humbën identitetin e tyre, humbën gjithçka për një batalion betonishteje babëzie e marrëzie. Zoti i dha detin, po nuk u mori mendjen. Mendjen ua mori pushteti, tahmaqarllëku, egoizmi.

Në qoftë se do ta kthejmë kokën pas, ishte kombinuar bukur pema, lulishtja me drurin, mënyra si vendoseshin pallatet, ndërtesat. Mund të shtohesh kjo dyfish dhe të ngrihesh Montekarloja e famshme në Kodër po makutëria këto ka, s’ka brirë.


Keq e më keq nga hapësira e kishte një rrugë buzë detit, dhe dy brezarë rrugësh që kombinohen me shkallët, një vend për pushim dhe argëtim, lulishte me trëndafila, sigurisht dhe për plazh. Pri pemë e ngri beton, nuk është ky qytetërimi.

Të gjitha këto kombinoheshin me lule gjithfarëshe dikur. Më zi e gri u bë, i zhdukën edhe ato e po rrojnë bukur me betonin, këtë vrasës të shekullit. Thuhet se dhe shtëpia me beton po qëndroi gjatë e mbyllur ka ndikim te njeriu, të vret trupin të shkatërron, prandaj do ajrosur, po qytetarët kush do t’i ajrosë tani, kush po ua zë frymën?

Saranda është kthyer si ato qytete ku jetohet vetëm 3 muaj të vitit, vera. Këtë e thonë të gjithë sarandiotët. Të përshkruash bukurinë nga kalaja e Lëkursit, apo të shkosh padashje në Butrint po të zuri rruga ngelesh pa fjalë, po Saranda nuk është vetëm kaq. Nga kodra është qetësi, të çlodh, nga rëza e bulevardit është stres kur shikon mbetje gjithfarëshe. Shqiptarët mendonin se të huajt donin salltanete, gradaçela, duralumin, kolltuqe të shtrentjë.

Ata habiten akoma kur shikojnë njerëz aq të thjeshtë në veshje dhe në sjellje sa dallohen direkt që janë të huaj. Të huajt duan shtëpi karaketristike, atë që e dallon një subkulturë nga tjera, njeriun nga njeriun, veprën e tij.

Sarandiotët menduan se ngritja e një Montekarloje do të bënte namin në një tokë që quhet Sarandë ku pluhuri valvitet nga fillimi në fund. Montekarlo me gërmadha shumëkatëshe. Montekarlo me rrugë të zgjebosura, me rini që zhduket përtej detit, me pleq që nuk rrotullohen dot me pensionet e tyre se çmimet i kanë si në Greqi, e mendjen si në Shqipëri.

Babëzia e parisë së Sarandës nuk ka fund e krye, është rrugë që vazhdon. I ka ngelur vetëm kodra sipër, duhet medomosdo ta prishin edhe atë. Nuk bëhet fjalë për turizëm antik në Sarandë, atë e vdiqën me pahir, i vunë dhe një copë beton sipër si monument, po dhe të vjetrën e tjetërsuan në një të re të shëmtuar. Një paraqende moderne ku nuk iu la hapësirë as rrugëve, zjarrfikëses, lulishteve, shesheve, trotuareve, shkallëve, njeriut të gëzohet me to.


I vetmi qytet që mund të rronte vetëm me turizëm në jug ishte Saranda. Megjithatë, u gënjye nga stili dhe kopjimi i jetesës me vendet Europiane dhe e shkatërroi vetveten. Të huajt shprehen se vijnë më shumë për Butrintin dhe arratisen të lemerisur nga kjo paraqende urbane. E bukur e bukur, po bukuri që të vesh sytë me perde të bukur gri.

Nuk ka turizëm ndërkulturor, multikulturor në Sarandë, turizëm alpin ku fshatarat të ishin sistemuar në përpjestim të drejtë me të ardhurat. Vetëm ato ngelen shpresë në Sarandë, po kjo është akoma shpejt.
Në Angli në 1920 filloi procesi i urbanizimit, industrializmit të shpejtë dhe krijimi i qyteteve moderne. U krijua një nënvleftësim për fshatrat. Në vitet 1980 iu rikthyen përsëri fshatit dhe i rregulluan. Po për Sarandën, kur mund të bëhet ajo si Anglia?! Sa keq që nuk janë si anglezët e japonezët ku dhe sokakët më të shëmtuar i kthejnë në vepra arti! Presioni i një turizmi në Mesdhe e degjeneron Sarandën sa detyron të rrisë çmimet njësoj si në Greqi e Itali.

Turistët kanë agjenda të ndryshme në Mesdhe dhe nuk mund të rrinë për një kohë të gjatë në një qytet që ofron veç det dhe asgjë tjetër. Akoma turizmi është në fazë filletare. Pronarët janë aq të marrë pas lekut sa ‘’vrasin’’ dhe klientin e tyre po iu erdhi rasti. Çmimet stratosferë për një target grup të lëvizshëm turistësh.

Edhe kosovarët e maqedonasit, makar serbet e boshnjakët nuk janë budallenj sa mos ta kuptojnë këtë. Ata e shikojnë hapur që çmimet nuk përputhen fare me luksin shterpë që ofron Saranda në krahasim me vendet e tjera. Kur krahasojnë emigrantët shqiptarë turizmin në Korfuz me turizmin në Sarandë mbledhin buzët e shtrembërojnë supet. Diçka nuk shkon!

Shqiptarët e Shqipërisë nuk munden dot me Sarandën, janë dorëzuar, bëjnë prenotime para një viti me makinë personale e bukë e djath me domate me vete. Nuk bëhet turizmi kështu! Hajde të të rrjep që të gëzohesh e të bëhesh çokollatë nga dielli. Duket sikur kemi mbledhur të gjitha të këqiat për Sarandën, po të shumtë janë ata që mbledhin buzët për 40 shenjtorët modernë alibaballarë. Megjithatw fati i saj është se të gjithë e duan edhe pse ajo është e ‘’sëmurë’’.

Potenciali që mund të mbajë Sarandën janë fshatrat që janë shumë të pasura, madje më të pasurat në jug me bujqësi, blektori dhe të ardhura financiare, ato janë ta pasura sa qyteti. Në gjithë qytetet që janë në kufi shihen shenjat e bashkimit të kulturave. Në këtë rast fshatrat kanë emigruar e deri diku hedhin lekun në vendin e tyre, po shumë shpejt do vijë koha që do e braktisin këtë nismë pasi do të gëzohen në kësi kushtesh me të huajën.

Është e çuditshme që i gjithë jugu nuk mendon fare për një strategji përpunimi të produkteve të tyre. Sikur 20 frigoriferë mbanë gjallë prodhimet, po sikur t’i përpunojnë edhe më tej e ta mbyllin ciklin me markimin ‘’Made in Albania’’? Po kjo do ndershmëri, përgjegjshmëri, mungesë të makutarisë, vrasje të djallëzisë, vobektësi të egocentrizmit personal, pushkatim të mashtrimit.

Sikur një minifabrikë do të shtonte 20 punonjës më shumë, po këta duan rrogë, ne jemi mësuar t’i paguajmë sa fasonistët. Vit pas viti nga një minifabrike do t’i hanim vetë portokallet e Zarës, e Mursisë, po sikur të bënim si dikur kanale me ngjala e peshq si në Çukë? Jo jo, ne ia shesim grekut në Athinë të kënaqet e këtu në Shqipëri le të hajë me mish të ndënjur e të zënë spitalet nga diareje.
Vend të veçantë dhe unikal për një turizëm kulturor ka kënga labe.

Bregdeti është më shumë se këngë, është mrekulli. Me atë këngë çlodhesh kur je i lodhur, dhe kur je i çlodhur mëson të këndosh dhe vetë. Traditë që nga koha e neolitit që i japin magji shqiptarit.
Edhe ndonjë shpellë nga Kondispoli mund të bëhesh e famshme si Butrinti, po kush ta bëjë këtë sarandiotët? Ata zhdukën pemët e lulishtet e jo më të merren me shpellat, mirë që ka hekura Butrinti se edhe atë do ta kishin kthyer me gradaçela si Njy Jorku. Ne jemi marrosur pas shpikjes së romakëve, betonit.

Një strategji e mirëpranuar nga Bashkia mund ta shpëtojë dhe atë pak sa ka ngelur në Sarandë, dhe kjo është kodra sipër saj. Aty do menduar një mushkëri e re për Sarandën që po jep shpirt e s’dëgjohet. Vendet e tjera ku mund të ndërhyhet duhet urgjentisht të mendohen një riurbanizim modern për shoqërinë, një ndikim për gjithë shoqërinë dhe jo vetëm për pesë duar që i kanë zënë frymën, dritën, ajrin Sarandës.

Saranda do ligj të mirë që të bëjë komunitet të shëndoshë. Ka kaq shumë gjera që nuk shkojnë, sa sarandiotët largohen në emigrim me mall dhe duan të mos kthehen po me mall në këtë bukuri natyrore.
Për çudi, megjithëse jemi në rendin kapitalist dhe baza duhet të jetë materiali, paradoksalisht materiali e ka sëmurë Sarandën që duhet të ishte rregulluar nga materiali. Ndonjëherë njeriu i keq bën mirë, rasti i Sarandës është kur njeriu i keq bën akoma më keq, dhe duket si i mirë, e vret gjithë Sarandën me kullaron dhe kostumin e vet. Edhe brezaret e dikurshme me agrume sipër qytetit i zhduk nga faqia e dheut.

Paradoksalisht Saranda është vetvrarë nga ata që e mburrin atë. E mburrin dhe duan ta vrasin. Dhe ajo vështron gri, e betonizuar!

 

Revista amerikane rendit Rivierën Shqiptare si një nga destinacionet më të mira

“Mos shkoni në Santorini, por në Ksmail”

“Mos parkoni automjetet në zonat me risk të lartë”

Bashkia Vlorë paralajmëron qytetarët për përkeqësim të motit

“Thika luftarake, dokumente të falsifikuara dhe kanabis”

Detajet/ Goditet grupi kriminal që shpërndante dr*gë