Nga Avni Dani
Jeta parlamentare në Shqipëri ka nisur në një ndërtesë që ekziston edhe sot në Tiranë (shiko fotot). Një dykatëshe e bukur me kolona të larta, e dekoruar me flamurin kombëtar dhe një tabelë ku shkruhej “Parlamenti”.
Në brendësi siç edhe shihet në fotot e marra nga arkivi gjerman, një sallë modeste.
Në ballë të sallës së seancave një portret i madh i Skëndërbeut. Mure të veshura, tryeza modeste të ndara në dy grupe dhe lozhat funksionale. Ngrohja ishte me sobë.
Kjo është pamja e sallës ku janë ulur njerëzit më të ditur të vendit në atë kohë.
Për nivelin e tyre e kotë të flitet, mjafto të kujtosh vetëm dy emra: Gjergj Fishta e Fan Noli, që sigurisht kanë patur plot “konkurentë”, patriotë, të ditur e të mirëshkolluar.
Ndërtesa e Parlamentit të dikurshëm sot është Teatër Kukullash. Pas një urrejtje patologjike për “baballarët” e parë të Kombit, një mendje djallëzore, gjatë viteve të diktaturës, mori atë vendim. Një metaforë tallëse që vazhdon edhe sot…
… Sot, e shtunë, më 9 shtator, mblidhet për herë të parë Kuvendi i ri i Shqipërisë. Nis Legjislatura e tij e nëntë. Ndërtesë më e madhe e sallë luksoze. Ka nga ata që thonë se sot fillon Teatri i vërtetë i Kukullave. Është një këndvështrim. Unë për vete nuk thashë gjë.