MENU
klinika

Opinion

Në 29 do ta lë Tiranën dhe do të jem në Prishtinë

26.09.2018 - 20:49

Nga Arli Minga/

“Korrigjimi i kufijve”, teza më e përfolur dhe e ndjeshme për opinionin publik në Kosovë, por në besimin tim edhe për opinionin publik në Shqipëri, më sjell në kujtesë qëndrestarin simbol, i cili luftoi me cdo qelizë të vetën për mëvetësinë e Kosovës, prof. dr. Ibrahim Rugovën.

Me profesorin në mendje e luftën mizore që u bë në Kosovë, sakrificat deri në vetsakrifikim, më lind motivi për të qenë në datë 29 në Prishtinë për të kundërshtuar tezën e hedhur për “korrigjimin e kufijve” si rrugëzgjidhja e vetme për marrëdhëniet Serbi-Kosovë, e të mos rri i heshtur e i qetë në bulevardin e Tiranës.

Profesor Rugova dikur thoshte: ” …kuçedra e Anadollit na gëlltiti ç’patëm. Po ajo mori shumëçka, gati na zhbiu, por s’mund të na marrë atë më të vlefshmen, më madhështoren – fuqinë, trimërinë që i çoi në këmbë prore shpirtrat tanë të djegur për tokën e stërgjyshërve.

Nuk do doja aspak që ta shihja qëndresën e 29-tës së vjeshtës së parë të këtij viti si një mjet politik.

Përkundrazi, e shoh si një qëndresë që na fton të reflektojmë për identitetin kombëtar, simbolet tona dhe për atë ku mbështesim këmbët, tokën tonë. Historia na ka mësuar se në raste të tilla, kur është bërë fjalë për territoret e Shqipërisë dhe Kosovës, ne vetëm kemi humbur.

Ne vetëm na kanë copëtuar e sot, kemi disa copa në Greqi, disa në Mal të zi, disa të tjera në Maqedoni e Kosovën si përfundim na e morën, për të ardhur më pas më 17 shkurt të 2008 kur Kosova u shpall e pavarur si një shtet më vete.

A do të jetë vërtetë më mirë për Kosovën që të shkëmbejë territore me Serbinë për hir të “të ardhmes evropiane” të dy vendeve?

Duke marrë në analizë e një fakt të thjeshtë dhe real: Kosova në rast zgjidhje të marrëveshjes me Serbinë do të fitonte mundësinë e anëtarësimit në OKB ndërsa Serbisë do t’i mundësonte rrugën drejt anëtarësimit në BE. Kush fiton më shumë është e qartë. Qasja mund të duket nacionaliste, por në fakt, arsyetimi është në të njëjtën linjë sic ishte fjalimi i Vucic në Kosovë. Ai e tha hapur se do luftonte të merrte sa më shumë dhe të largohej nga Kosova me një marrëveshje që do kënaqte në maksimumin e mundshëm Serbinë. E justifikueshme, sepse ai është lideri i Serbisë dhe doemos do të bëjë c’është e mundur që vendi i tij të dalë i fituar.

Nga ana tjetër, a do ia vlente për Kosovën vet, humbja e territoreve në të mirë të rrugëtimit evropian? Qëndrimi, në fakt, është i vështirë për t’u mbajtur i prerë. Megjithatë, një vend i cili nuk bën më të mirën për të ruajtur territorin e vet dhe zgjedh të imponojë rrugëtimin evropian me këtë rrugë, e jo me rrugën e vështirë të reformave, të reflektimit të brendshëm, të një bashkëjetesë normale në politikën e brendshme, plotësimin e standarteve evropiane me punë të qenësishme në të gjithë sektorët, nuk do të dukej një vend i besueshëm për të hyrë në BE.

Packa se BE në këtë rast, ka kujtuar “litarin në shtëpinë e të varurit” duke imponuar një marrëveshje me shtetin i cili bëri cmos për të shfarrosur popullin kosovar dhe kjo është një tjetër pikë e cila kërkon një diskutim të kujdesshëm.

Politika e Kosovës duhet të heqë dorë një herë e përgjithmonë, nga dëshira e madhe për të dëgjuar c’thonë SHBA e BE për të ardhmen e saj e më pas të përdorë rezultatet e veprimeve në politikën e jashtme si argumente propagande. Argument propagande për ata që duan të vijnë në pushtet e argument demagog për ata që duan ta ruajnë.

Politika e Kosovës duhet të mësojë të shohë para së gjithash interesat kombëtar e kur vjen fjala te ekzistenca si popull e shtet sovran, në radhë para “të ardhmes evropiane” është territori sigurisht.

Kosova nuk mund t’i lejojë vetes të humbasë mundësinë e qëndresës përpara një propozimi që para së gjithash cënon ekzistencën e saj që me aq mund e fitoi. Gjithashtu, as Tirana në këtë logjikë nuk mund të qëndrojë e heshtur. Por, edhe Tirana është duke sakrifikuar kombin për “rrugëtimin evropian”.

Profesor Rugova do të thoshte: “Shqiptarët nuk i bashkon vetëm feja apo ideologjia. Qysh në shekullin e nëntëmbëdhjetë, në kohën e Rilindjes kombëtare, gjuha, kultura dhe tradita ishin elemente lidhëse kombëtare, kurse feja nuk ishte forca absolute e bashkimit. “

Sigurisht, që nuk është shovinizëm të lësh Tiranën e të shkosh t’i bashkohesh qëndresës kundër propozimit për “korrigjimin e kufijve”, në datë 29 në Prishtinë. Këtu nuk është cështja se protestën e organizon opozita e Kosovës, me partinë kryesore “Lëvizjen Vetëvendosje” e liderin e saj Albin Kurti.

Sigurisht, që cështjet kombëtare nuk kanë logo e lider, por duhet të jenë gjithëpërfshirëse. Kurti gjendet përsëri në ballë të kësaj qëndrese, sepse është ndër të vetmit eksponent të politikës në Kosovë, që nuk e ka ndryshuar asnjë gërmë qëndrimin e tij në cështjen e interesave kombëtar.

Të shkosh nga Tirana e t’i bashkohesh qëndresës nuk do të thotë se po i bashkohesh Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes, por po i bashkohesh një kauze të drejtë. Në fund të fundit, kosovarët kanë luftuar e kanë dhënë jetën që Shqipëria të ishte e pavarur, e ne falë zotit nuk e kemi këtë detyrim të vështirë.

Ne duhet thjesht të shkojmë e të mbrojmë me qëndresë qytetare territoret e Kosovës. Nuk mund të jetë argument i besueshëm politik “stabiliteti i rajonit”. Në fakt, stabiliteti arrihet me punë e bashkëpunim multilateral e jo me shkëmbime territoresh. Rajoni , vetë Shqipëria e Kosova, kanë nevojë për progres stabël dhe jo stabilitet progresiv që cënon territoret.

Profesor Rugova dikur thoshte: “Kompromis për ne është pavarësia. Këtë e kam thënë një mijë herë dhe kjo do të jetë sepse siç e dini ne nuk kemi kërkuar bashkim me Shqipërinë, pasi që jemi të vetëdijshëm që një zgjidhje e tillë do të hapte probleme të tjera. Mirëpo shteti i pavarur dhe sovran është vullnet i popullit të Kosovës dhe është zgjidhje e pranueshme për të gjithë shqiptarët, kudo që jetojnë si dhe kjo do të ishte zgjidhja më e mirë edhe për fqinjët tanë, por edhe për Serbinë, e cila fatkeqësisht ende po refuzon ta kuptoj realitetin e ri që është krijuar në Kosovë pas intervenimit të NATO-s”

A duhet vallë Kosova të pranojë një tjetër kompromis të tilë, po kaq të rëndë për hir “të së ardhmes evropiane”? Kompromisi për pavarësinë sigurisht që do pranohej, sepse konteksti ishte krejt tjetër dhe në pikëpyetje ishte ekzistenca e Kosovës dhe popullit kosovar e jo anëtarësimi në BE. Për rastin në fjalë, në një konteskt krejt tjetër e me një presion qartazi shumë më të ulët, kompromisi i pranuar do të ishte një gabim që ndoshta askush mund të mos ta gjykojë sot, por historia dhe koha da ta gjykojnë me se s’bën.

Unë në datë 29 do ta lë Tiranën dhe do të shkoj në Prishtinë, nën logon e asnjë partie, nën emrin e asnjë individi, por nën simbolin e qëndresës të gjithkohshme të shqiptarëve për identitet, sepse për aq kohë sa ne vijojmë të jemi të copëtuar, qëndresa për të ruajtur identitetin vazhdon. Do të jem në Prishtinë për krahinën veri-lindore të Shqipërisë, për Kosovën.