MENU
klinika

Nga Deutche Welle

Pse serbët pranuan të futen në qeverinë ‘Kurti’?

05.02.2020 - 11:22

Kurti ka shkelur në fillim të mandatit të paktën dy premtime, qeveria ka 15 e jo 12 ministri, ndërsa në kabinetin qeveritar ka dy ministra të Listës Serbe dhe jo asnjë. Premtimi i parë është shkelur për shkak të koalicionit me LDK, ndërsa motivi për shkeljen e premtimit të dytë, siç thonë bashkëbiseduesit e Deutsche Welles, ka të bëjë me shkaqe të tjera.

Përballja me realitetin

“Nuk më befason zgjedhja e dy serbëve në kabinetin qeveritar nga Lista Serbe, sepse Kurti kërkon legalitet dhe legjitimitet të kabinetit qeveritar, për të promovuar edhe Kushtetutën e Kosovës”- thotë për DW, kryetarja e Lëvizjes Evropiane të Serbëve në Kosovë dhe ish-deputetja, Rada Trajkoviç. Ajo mendon se viktima më e madhe e këtij vendimi do të jetë demokratizimi i bashkësisë etnike serbe në Kosovë.

Jeta Loshaj nga Këshilli për Qeverisje Përfshirëse thotë, se Kurti ka dhënë shumë premtime, por tani po përballet me realitetin politik. “E ka kuptuar se Kushtetuta e obligon që në qeveri të ketë përfaqësuesit e Listës, si subjekti, i cili ka fituar më së shumti vota në zgjedhje. Në këtë mënyrë Kurti ka treguar pjekuri politike dhe respekton Kushtetuën”- thotë Loshaj për DW.

Dialogu me serbët
Dialogu me Serbinë, sipas parimit të reciprocitetit deri në njohjen e Kosovës si shtet, ngritja e aktakuzës ndaj Serbisë për krime, futja e obligimit të shërbimit ushtarak…. janë vetëm disa nga premtimet e Kurtit që janë në kundërshtim me qëndrimet e përfaqësuesve të serbëve në kabinetin qeveritar. Por Trajkoviç mendon se ministrat serbë nuk do të mund të pengojnë planet e Kurtit. Pengesë shumë më e madhe do të jetë opozita e krahut të luftës, e cila në ditën e zgjedhjes së qeverisë është dëshmuar si shumë e ashpër në kritika.

“Kurti me zgjedhjen e dy ministrave serbë lehtëson pozitën e vet. Ata nuk do të paraqesin asnjë problem për realizimin e premtimeve të dhëna. Ministrat serbë kanë në krye të organizatës së tyre politike një njeri, i cili ikën nga drejtësia, ndaj veprimi i tyre shkon në shërbim të fshehjes së vërtetës në lidhje me procesin për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, për shkak të së cilit ata mund të humbin kredibilitetin në tërësi”– shton Trajkoviç.

Ndërsa Loshaj e sheh futjen e ministrave serbë në kabinetin Kurti si një shenjë të pragmatizmit të kryeministrit të ri, por edhe si shenjë e vendosmërisë së Kurtit për fillimin e një dialogu të brendshëm me serbët e Kosovës.

Vuçiqi do të pajtohet
Votimit për kabinetin e qeverisë Kurti i ka paraprirë një debat shumë i gjatë për ofendimet e Kurtit në llogari të serbëve, duke i quajtur ata edhe “çetnikë”, apo koalicion me “Vuçiçin dhe Radoçiçin”, nënkryetarin e Listës Serbe, për të cilin autoritetet e Kosovës thonë, se ka lidhje me vrasjen e Ivanoviçit.

Trajkoviç mendon se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç nuk është tepër i interesuar t’i kundërvihet politikës së Kurtit. “Presidenti i Serbisë Vuçiç do të kërkojë alibi për pranimin e shumë synimeve të Kurtit, pasi ka pranuar të ketë dy ministra në qeveri.

Çdo ditë shohim një lloj kriminalizimi në logjistikën e shtetit dhe afera të shumta të shtetit të Serbisë dhe familjes së Vuçiqit”- thotë Trajkoviq, duke shtuar se serbët e Kosovës do të jenë sërish një “monedhë për kusur”, për politikën e Serbisë. Redaktori i Radio Gorazhdevac, Dimitrijeviç, mendon se “Lista Serbe kësaj radhe nuk do të ketë pushtet aq të madh, sepse qeveria e tanishme nuk varet nga votat e saj”. Dimitrijeviç mendon se ministrat dhe deputetët serbë nuk do të përpiqen të pengojnë shumë punën e qeverisë.

Ndërsa faktin që deputetët serbë kanë abstinuar dhe nuk e kanë votuar kabinetin e ri qeveritar, Loshaj e sheh si një pjesë të taktikës së veprimit. Deputetët serbë do të përpiqen të mbrojnë interesat e tyre, por në radhë të parë agjendën e përcaktuar nga Beogradi.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Vazhdojnë diskutimet

Kurti propozon emrat e ministrave


Ja çfarë thotë misioni paqeruajtës i NATO-s në Prishtinë

Policët e Kosovës hynë në Serbi?

Pse ideja është një kopje e “botës ruse”

“Bota serbe” përndjek Ballkanin, kërcënon sërish Vulin

E paqartë nëse Lista Serbe po përgatitet për procesin

Serbët me disa alternativa në zgjedhjet e 9 shkurtit!

Fytyra të reja por detyrime të njëjta

Analiza: “Ngec” sërish dialogu Beograd-Prishtinë