MENU
klinika

“The Guardian”

Si u ndërtua Kukësi nëntokësor i Enver Hoxhës?

05.02.2020 - 21:34

Nga Shaun Walker dhe Fatjona Mejdini

Për thuajse dy dekada, Feti Gjici punoi me një projekt që ishte aq sekret saqë ishte i detyruar t’i mbyllte planet në kasafortë çdo mbrëmje para se të dilte nga zyra. Ai nuk foli kurrë për të me miqtë apo familjen.

Gjici ishte planifikuesi kryesor i qytetit të Kukësit, në Shqipërinë veriore, gjatë viteve të regjimit komunist të udhëhequr nga diktatori stalinist Enver Hoxha. Udhëheqësi paranojak dhe izolacionist ishte i tmerruar nga rreziku i luftës dhe ndërtoi qindra mijëra bunkerë betoni për të mbrojtur popullsinë nga pushtimet.

Në Kukës, jo larg kufirit me Jugosllavinë, gjërat shkuan edhe më tej. Detyra e Gjicit, duke nisur nga fillimi i viteve ’70 e përfunduar vetëm me shembjen e regjimit më 1991, ishte ndërtimi i një qyteti nëntokësor, 30 metra nën Kukës.

Planet e para ishin një seri vendstrehimesh kundër bombave. Teksa vitet ’80 ecnin, nën urdhrat e shefave të ushtrisë, Gjici shtoi tunele e dhoma të tjera në projektin nëntokësor, përfshirë hapësirat për një shtypshkronjë, një spital dhe furrë buke. Pastaj u shtua rrjeti elektrik dhe i ujit. Do të bëhej edhe një qendër komande për ushtrinë, rajoni i policisë dhe gjykata. Ideja ishte që aty të mund të jetonin 10 mijë njerëz për një periudhë deri në gjashtë muaj, me mjete të mjaftueshme jetese.

‘Sigurisht, në kohë lufte gjërat mund të funksionojnë me kapacitet të reduktuar, por idea ishte të kopjonim të gjithë qytetin nën tokë’, tregon Gjici, tani 72 vjeç.

Në fillim të viteve 70, autoritetet komuniste përmbytën të gjithë Kukësin me një liqen artificial gjatë ndërtimit të një hidrocentrali. Planifikuesit e qytetit duhej të projektonin një qytet të ri gjatë tij dhe të vendosnin aty gjithë popullsinë e qytetit. Gjici ndihmonte në projektimin e Kukësit të dytë mbi tokë kur e thirrën shefat e ushtrisë e të sigurimit. ‘Meqë po bëja punë të mirë, më besuan planet që kishin për qytetin nëntokësor’, thotë ai.

I pyetur se çfarë do të thoshte nëse ndonjë koleg e pyeste se me çfarë po punonte, ai qesh. “Nuk ishte në kulturën e njerëzve të pyesnin se çfarë po bëje”. E shoqja kishte një farë ideje se ai punonte me një projekt nëntokësor prej shumë vjetësh, por nuk i kërkoi kurrë detaje. “Ajo e dinte që nuk duhej të bënte pyetje”.

Meqenëse strehimi ishte shumë sekret, Gjici kishte vetëm një skuadër prej 30 punëtorësh ndërtimi për ta ngritur atë, pasi secili prej tyre kishte kaluar në sitën e sigurimit. “Sa më pak njerëz ta dinin, aq më mirë”, thotë ai. Kjo skuadër e vogël u nda më tej në dyshe, të cilat shkonin të punonin në vende të ndryshme të strehimit, pa e kuptuar që ishin të gjitha të lidhura në një rrjet të madh.

Gjatë viteve ’80, autoritetet kryenin rregullisht manovra: kur binte sirena, e gjithë popullsia e Kukësit mund të futej nën tokë për shtatë minuta, përmes 30 hyrjeve. Por ishte e ndaluar të endeshe rrotull pasi hyje brenda dhe ishte sekret që rrjeti bashkohej përmes tuneleve që zgjateshin me kilometra.

Ndërtimi i rrjetit nëntokësor përfundoi më 1989 pas instalimit edhe të rrjetit të ujit e të energjisë. Por, regjimi ra para se secila prej zonave të tij të pajisej plotësisht për funksionet e paracaktuara.

Këto ditë, zbritja në tunele nuk është për njerëz me zemër të dobët. Gjici drejton udhën poshtë shkallëve me lagështirë e rrjeta merimangash, gjithmonë e më thellë. Hyrja në shumicën e tuneleve është bllokuar nga grumbuj rëre e balte.

Pas 30 vjet neglizhimi, kryebashkiaku i ri i Kukësit, Safet Gjici, kushëriri i Fetiut, dëshiron të përfundojë atë që nisën komunistët para se ta hapë për publikun.

Në vitet ’90 ai ishte kurioz pasi dëgjoi historitë e kushëririt dhe zbriti në rrjetin e braktisur me disa shokë. “Sinqerisht, nuk mund ta besoj sa i thellë ishte”, thotë ai. “Ecëm ca, por u tmerrova dhe u kthyem mbrapsht. Kishte fjalë për njerëz që ishin futur aty poshtë e nuk kishin dalë më”.

Më vonë shkoi përsëri, këtë herë me kushëririn dhe llampat e duhura, e nuk i besohej sa i madh ishte. Një vizion nisi t’i krijohej në mendje. Disa muaj më parë ai u zgjodh kryetar i Bashkisë dhe vendosi që kishte ardhur koha.

“Duam ta kthejmë në një qytet nëntokësor për vendasit e turistët”, thotë ai. E pranon se idetë i ka ende të zbehta, por parashikon restorante, vende vizitash e dyqane, njerëzit mund të ecin përmes tuneleve e dalin te liqeni artificial, ku mund të shëtisin me varkë.

Në mars shpreson të përfundojë një marrëveshje për fonde 2.6 milionë euro nga BE për të nisur rinovimin. Por pa shumë më tepër se aq, planet e tij ambicioze mund të kenë po aq gjasa për t’u realizuar sa ato të Shqipërisë komuniste.

Ka nga ata që vënë në pikëpyetje shndërrimin e trashëgimisë komuniste në vende atraksioni me stil parqesh. Kompleksi gjigant i bunkerëve të ndërtuar për elitën komuniste në rrethinat e Tiranës është kthyer tashmë në muzé. Ka plane për hapjen për publikun të shtëpisë së Enver Hoxhës, e lënë ashtu siç ishte kur diktatori vdiq më 1985.

“Në pjesën tjetër të Evropës komuniste shtypja përfundoi në vitet ’60, por këtu vazhduan deri në fund’, thotë Enriketa Papa, historiane në Universitetin e Tiranës. “Njerëzit vdisnin për bukë e ata ende ndërtonin bunkerë. Për çfarë na duhen muzetë e bunkerëve tani, kur nuk ka ende muze për viktimat e komunizmit?”.

“Ishte kohë e tmerrshme. Gjysma e vendit ishin spiunë dhe kishte kufizime për çdo gjë. Nuk duam t’i shohim prapë ato kohë, as për vete dhe as për ndokënd tjetër në botë”, thotë Safet Gjici.

Kushëriri i tij ishte më ekuivok, duke reflektuar një lloj nostalgjie për regjimin e Hoxhës midis brezit të vjetër, sidomos të atyre që kishin disa privilegje. “Unë isha nga një familje bujqish në fshat dhe m’u mundësua studimi për inxhinieri në kryeqytet bashkë me dhëndrin e Enver Hoxhës. Në atë kohë nuk kishte diskriminim”, thotë ai, duke injoruar ekzekutimet, kampet e punës dhe të burgosurit politikë.

Sa për qytetin nëntokësor, ai e refuzon idenë se ndërtimi tij fliste për paranojë dhe deklaron se ishte “më e pakta që çdo qeveri me mend do të bënte për qytetarët e saj. Tani më tepër se kurrë kemi nevojë për të”, thotë ai. “Duhet të mirëmbahet, të mësojmë brezin e ri se rreziku i luftës është gjithmonë i pranishëm”.

The Guardian