Ilir Latifi, sportisti i arteve marciale që garoi dy ditë më parë në UFC-247 për peshat e rënda, dhe humbi me pikë, ka reaguar pas vendimit të gjyqtarëve (29-28, 29-28 dhe 29-28), që shpallën fitues Derrick Lewis.
Latifi, që garon për Suedinë, mendon se u vodh nga gjyqtarët dhe se nuk ishte aspak i drejtë vendimi, pasi të gjithë e panë se kush mori më shumë pikë.
“Së pari, dua të falenderoj familjen, miqtë, skuadrën time dhe njerëzit që më mbështetën. Kur vendosa të pranoj sdën që të ndeshem me Derrick në qytetin e tij të lindjes, njerëzit menduan se isha çmendur.
Të shtunën mbrëma kur hyra në stadium për të luftuar me Derrick Lewis, duke parë dhe krenarinë e Houston, e dija se nuk do të ishte një betejë e lehtë. Turma ishte kundër meje, edhe gjyqtarët.
Mendoj se e fitova ndeshjen, ashtu si shumë tifozë dhe shikues mendojnë, por kështu ndodhi…Si luftëtar, ne sakrikojmë shumë dhe rrezikojmë shumë për këtë sport dhe është shumë e trishtë kur sheh se si këta njerëz luajnë me punën dhe përkushtimin tënd. Shpresoj që në të ardhmen të shohim gjyqtarë dhe pikëzim të drejtë në MMA”, – shkruan Ilir Latifi.