Festivali i borës është ngjarja e vitit në Sapporo, kryeqyteti i ishullit të Hokkaido-s, në veri të Japonisë.
Me dhjetëra mijëra turistë grumbullohen në fillimin e vitit për të admiruar 200 skulpturat masive të akullit, por këtë vit, bora i tradhtoi të gjithë.
“Kjo mungesë bore është e pashembullt. Na u desh ta sillnim atë nga vende, ku nuk e kërkonim më parë, siç është Niseko, një qytet rreth 60 kilometra larg Sapporo”, tha Yumato Sato, një nga organizatorët e festivalit të borës.
Duhen mesatarisht 30 000 tonë pluhur bore të pastër, për të krijuar skulpturat, që variojnë nga personazhet vizatimorë, deri te kuajt e famshëm të racave.
“Bora nuk duhet të ketë pisllëqe, përndryshe skulpturat mund të krisen”, thekson Sato.
Në Sapporo, sasia e borës e rënë këtë dimër është më pak se gjysma e mesatares vjetore, sipas vëzhgimit lokal të Agjencisë Kombëtare Meteorologjike.