Ligji i miratuar dje nga Kuvendi i Shqipërisë për goditjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve KÇK (kap çfarë të kapësh), para se të kalojnë në filtrat e Vetingut, është i ndryshëm nga varianti i propozuar nga deputetët socialistë Alket Hyseni, Abnor Shameti dhe Edmond Leka. Varianti i miratuar nga Kuvendi i jep të drejtën Inspektorit të Lartë të Drejtësisë që të hetojë magjistratët ‘KÇK’ për ligjshmërinë e pasurive dhe lidhjet e mundshme me krimin, në kuadër të hetimit disiplinor për vendime skandaloze apo shkelje të tjera gjatë detyrë.
Inspektori i Drejtësisë, në rastin konkret Artur Metani, brenda një jave nga vendimi për fillimin e hetimit ndaj një gjyqtari apo prokurori, ka të drejtë të kërkojë informacion nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, prokuroria, Policia e Shtetit, nga tatimet, doganat, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, Byroja Kombëtare e Hetimit, shërbimet shtetërore informative etj., për verifikimin e pasurisë dhe të figurës të magjistratit.
Në rast se nga verifikimi i pasurisë dhe figurës rezulton se ka dyshime të arsyeshme për kryerjen e ndonjë shkelje tjetër disiplinore, përveç rastit kur shkelja përbën vepër penale, Inspektori i Lartë i Drejtësisë merr vendim për të shtuar ose ndryshuar objektin e hetimit.
Ky parashikim nuk përfshihej në variantin e propozuar nga deputetë. Propozimi është shtuar nga Komisioni i Ligjeve, duke marrë mendimin e një grupi pune me përfaqësues të organeve të reja të Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Ministrisë së Drejtësisë, Grupi ka vepruar nën asistencën e ekspertëve të misionit EURALIUS, ndërsa në mbledhje kanë marrë pjesë edhe kreu u SPAK-ut Arben Kraja si dhe kreu i Gjykatës Speciale, Sandër Simoni.
Gjithashtu, është rrëzuar parashikimi në variantin e parë, sipas të cilit kompetencën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për hetimin disiplinor të magjistratit, deri kur të funksiononte plotësisht Inspektoriati, e merrnin KLGJ dhe KLP. Ky propozim është rrëzuar, me argumentin se tashmë është emëruar kreu i Inspektoriatit. Pra, varianti i miratuar nga Kuvendi parashikon që hetimi disiplinor bëhet nga Inspektori i Lartë të Drejtësisë, ndërsa masa ndëshkuese merret nga Këshilli i Lartë Gjyqësor për gjyqtarët dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë për prokurorët.
Në variantin e miratuar nuk kanë ndryshuar afatet për pezullimin e një gjyqtari apo prokurori KÇK, në kushtet kur hetimi disiplinor zgjat deri në një vit dhe magjistrati abuzues, gjatë kësaj kohe, mund të bëjë kërdinë me vendime arbitrare. Por, është shtuar e drejta që gjyqtari apo prokurori nën akuzë për shkelje të ketë mundësinë që të paraqesë versionin e tij para KLGJ apo KLP, pra që të dëgjohet.
Sa i takon pezullimit, kur ka dyshim të arsyeshëm se vazhdimi i magjistratit në detyrë dëmton rezultatin e procedimit disiplinor, pengon konkluzionin e tij të drejtë ose të rregullt, ose diskrediton rëndë figurën dhe pozitën e magjistratit, Inspektori kryen menjëherë një hetim paraprak për të verifikuar besueshmërinë e burimit të informacionit për shkeljen dhe i kërkon KLGJ apo KLP brenda 3 ditëve pezullimin nga detyra të magjistratit. KLGJ dhe KLP duhet të vendosin brenda 3 ditëve për pezullimin ose jo. Pra, një gjyqtar apo prokuror KÇK do të pezullohet brenda 6 ditëve.