MENU
klinika

“Anti-mafia nuk prodhoi atë që duhet”

Lleshaj: Ja çfarë synojmë të shkatërrojmë me “Anti-KÇK”!

15.02.2020 - 18:08

Në një intervistë, Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, bën edhe një krahasim mes paketës anti-KÇK, dhe ligjit antimafia, për të cilin thotë se nuk prodhoi atë që pritej.

Ligji ‘anti mafia’ që ishte edhe është në fuqi, ka si objekt kryesor hetimin penal, procedimin penal të krimit dhe të pasurive të tij të marra se bashku. Ndërsa akti normativ i miratuar së fundi është një situatë që ka vetëm një qëllim, të karakterit administrativ, të adresojë, të konfiskojë dhe të sekuestrojë ato pasuri kriminale që nuk janë prekur deri tani për arsye të mungesës së instrumenteve ligjorë.

Pra është një instrument krejtësisht i ri, nuk është instrument i karakterit penal, është një instrument i karakterit administrativ, i cili do të mundësojë që thjesht të verifikohen pasuritë e gjithkujt që është dënuar për një numër të caktuar veprash penale, dhe pastaj është atribut i SPAK-ut dhe i Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të cilët do të vendosin se çfarë të bëhet me të.” – shprehet Lleshaj ndërsa shton se ndër të tjera me paketën Anti KÇK synohet të shkatërrohet modeli I biznesit kriminal që mundëson pasuri marramendëse pa punë, model që sipas ministrit josh të rinjtë.

Pjesë nga Intervista:
Ky akt normative ka moto të veten: ‘Ndiq paranë’, por diçka të tillë e bënte edhe ligji ‘Antimafia’ ku të dënuarve për vepra të rënda kriminale u sekuestronte dhe pasurinë. Çfarë do të sjellë të re ky akt normativ?

Ky akt normativ, është vetëm risi, për arsye se ka krijuar një instrument që nuk ka ekzistuar më parë. Ligji ‘anti mafia’ që ishte edhe është në fuqi, ka si objekt kryesor hetimin penal, procedimin penal të krimit dhe të pasurive të tij të marra se bashku. Ndërsa akti normativ i miratuar së fundi është një situatë që ka vetëm një qëllim, të karakterit administrativ, të adresojë, të konfiskojë dhe të sekuestrojë ato pasuri kriminale që nuk janë prekur deri tani për arsye të mungesës së instrumenteve ligjorë. Pra është një instrument krejtësisht i ri, nuk është instrument i karakterit penal, është një instrument i karakterit administrativ, i cili do të mundësojë që thjesht të verifikohen pasuritë e gjithkujt që është dënuar për një numër të caktuar veprash penale, dhe pastaj është atribut i SPAK-ut dhe i Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të cilët do të vendosin se çfarë të bëhet me të. E reja tjetër këtu është që barra e provës, i takon atyre që janë të dënuar apo që janë subjekt i ligjit. Pra, policia nuk ka barrë prove, ka vetëm detyrën të evidentojë dhe ta referojë rastin në procedurën përkatëse dhe këtu mbyllet gjithë historia dhe roli i policisë.

Pse është policia kaq e sigurt se do ja marrë asetet nga duart krimit përsa kohë do të jetë përsëri prokuroria ose gjykata që do të vendosë?

Policia nuk është e sigurt që do t’ua marrë. Policia është e sigurt që do bëjë hapin e saj. Do bëjë pjesën e saj, se është një proces, që marrin pjesë së paku, tre institucione, policia, SPAK dhe Gjykata e Posaçme. Policia ka detyrën të evidentojë personat që janë subjekt i këtij ligji, të mbledh të dhënat e nevojshme lidhur me pasuritë e tyre, që i zotërojnë në mënyrë direkte apo të tërthortë dhe ta përcjellë këtë informacion në SPAK, pastaj është detyrë e SPAK dhe e Gjykatës, që të bëjë pjesën tjetër. Ne besojmë që procesi do të shoqërohet me kujdes, për arsye se këtu nuk bëhet fjalë të humbasim në labirente paragrafësh ligjore, siç ka ndodhur me ligjin Antimafia, që kurrë nuk prodhoi atë që duhej të prodhonte, për arsye se tani do të jenë vetë personat përkatës, pra subjekti i ligjit, që do të duhet ta provojnë në mënyrë objekti ve faktin që pasuria që kanë, ka rrjedhur prej të ardhurash të ligjshme. Nuk besoj se ka njeri në Shqipëri që mund të mendojë që pasuritë e jashtëzakonshme, që janë në duar personash të papunë, të pashkollë, të mund të jetë burim i të ardhurave në rrugë të ligjshme, megjithatë kjo është objekt i gjykatës. Policia do të bëjë vetëm pjesën e vet, evidentimin, dokumentimin dhe paraqitjes e gjithë dokumentacionit në prokurorinë përkatëse.

Nga lista e publikuar deri më tani shumica e subjekteve që u është kërkuar të deklarojnë pasurinë e tyre kanë patur vendime gjykatash për sekuestro. Përse duhet të kalohet në filtër përsëri pasuria e tyre?

Ligji nuk parashikon që ne t’i kthehemi vendimeve të mëparshme, pra nëse gjykata është shprehur me një vendim për një pasuri të caktuar kjo çështje është e mbyllur dhe nuk është ky objekt i ligjit, por ka persona që mund të jenë subjekt i këtij ligji që mund të kenë një pronë apo dy të kaluar përmes një vendimi gjykate, të cilin nuk po e gjykoj se si është, por mund të kenë dhe 20 prona të tjera, që nuk i janë nënshtruar një verifikimi gjyqësor, dhe ky është objekti i saj. Pra, nuk ka dublikim të përpjekjes. Por, ka shumë pasuri që nuk i janë nënshtruar këtij procesi, por që do t’i nënshtrohen dhe ajo që është më e rëndësishme, ligji ka për subjekt jo vetëm personat e dënuar, por edhe personat e lidhur me ta, sepse ka mjaft të dhëna që shumë pasuri janë transferuar te persona të afërt apo të familjes, apo të tjerë, që do të detyrohen të paraqiten në gjykatë dhe ta justifikojnë, Ata personat e padënuar, por të lidhur me personat e dënuar dhe të justifikojnë burimin e pasurisë së tyre. Dhe është proces administrativ, askush nuk ka pse të ndihet i prekur, është një çështje administrative, pra, nuk do të shkosh si i pandehur, është një proces administrativ shumë i butë, që iu kërkon të gjithëve të shpjegojnë me qetësi të plotë, nga i kanë marrë ato pasuri që kanë.

Ky akt normativ ka afat deri në 31 dhjetor. Kur kanë kaluar 15 ditë nga operacioni konkretisht çfarë pasurish janë sekuestruar përveç atyre që lidhen me rastin Prenga të cilëve ju bë sekuestro me emergjencë me urdhër të drejtorit të përgjithshëm Ardi Veliu?

Unë të them të drejtën nuk ndjek detajet e operacionit, është atribut i policisë së shtetit, por di që operacioni ka ecur sipas planit, është një numër as shumë i madh, por për kohën dhe momentin e fillimit, është një numër i pranueshëm subjektesh për të cilat janë adresuar dhe kanë filluar proceset përkatëse, ka ecur mirë, bëhet fjalë për shumë pasuri edhe pse janë pak subjekte, mund të numërohen mbi 10 dhe poshtë 20, kaq janë pak a shumë numri i atyre të përfshirë në këtë proces, por gjithsesi bëhet fjalë për pasuri të mëdha të cilat, shtojnë shumë pikëpyetje.

Pra, ju thoni se rezultatet kanë nisur të shihen që tani?

Rezultat i prekshëm është vendimi përfundimtar i konfiskimit nëse do të ketë, dhe ky pritet të ndodhë brenda harkut kohor të 6 muajve, aq e ka kohën gjykata për t’u shprehur, por për policinë, që ka detyrën e parë që t’i paraqesë, procesi po ecën me ritëm të mjaftueshëm dhe të pranueshëm, por do të njohë një rritje shumë të madhe në ditët në vijim, për arsye se sapo u miratua ligji, sa u ngritën strukturat, sa të rakordohen elementët e operacionit, do ta marrë pak kohë, por në javët në vijim volumi i punës do të jetë disa fish më i lartë se sa është sot.

Kryeministri Rama njoftoi se së shpejti do të ngrihet një njësi e re policore e cila do të vazhdojë nismën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. E bëri të ditur kete gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara por kjo u bë e ditur edhe nga vetë ju në Vlorë dje. Çfarë është kjo njësi?

Jemi në proces diskutimi për të konfiguruar një strukturë tjetër të specializuar për krimin ekonomik dhe korrupsionin. Janë dy fusha që meritojnë një vëmendje të shtuar, për arsye se është përqendruar shumë energji në fushën e krimit, krimeve të rënda kryesisht, por konstatohet nevoja për të përmirësuar instrumentet në luftën kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit. Janë figura krimi që kërkojnë një profil të ri policie dhe kërkojnë një bashkëpunim shumë më të lartë mes institucioneve. Është ndryshe të kërkosh një vrasës, dhe një person që bën evazion fiskal, këtu duhet një lloj tjetër policie, një profil tjetër arsimimi, trajnimi. Pra, duhet një qasje tjetër. Duhet të krijojmë kapacitet që na kanë munguar, na duhen policë, hetues, punonjës që dinë të futen në fushën e krimit të jakave të bardha, në kuptimin e krimit të sofistikuar të krimit ekonomik e financiar. Njerëz që kanë aftësi të investigojnë transaksionet. Kemi rekrutuar studentë të ekselencën nga ekonomia, financa, informatika, që kanë marrë trajnimin përkatës në fushën e hetimit. Përpara fundit të vitit do të jetë e kopsitur.

“Takim kuqezi me shqiptarët e Britanisë“

Kryeministri Rama mesazh para turit me emigrantët në Londër

Mijëra familje pa energji elektrike

Kaos në Britani nga stuhia ‘Bert’!

Vangjeli: Sky ECC u përdor nga politikanë, ministra e gjyqtarë…

“Prokuroria ka në dorë ‘ditarin’ e botës së errët të krimit”

“Bllokim total i Tiranës! Qytetarët do të vuajnë, por…“

“Mosbindja civile” protestë më 26 nëntor, Paloka zbardh skenarin