MENU
klinika

Si u shkruan 1,254 fjalët?

Të pathënat e Deklaratës së Pavarësisë

18.02.2020 - 16:37

      “Është vështirë edhe tash të kthehem në atë kohë, por ato mbresa kurrë nuk kanë me u shlye. Për arsye se populli ynë e ka pritë me vite, të them 100 e sa vjet apo jo? Edhe unë e kam pasë një ndjenjë, një kënaqësi të madhe për arsye se historia ndodh çdo ditë. Por janë disa ngjarje, të cilat, ato shënohen dhe mbesin si ngjarje të cilat janë të pashlyeshme”. Kështu ka filluar rrëfimin e tij kaligrafisti i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, profesor Shyqri Nimani.

Ëndrra shekullore e shqiptarëve të Kosovës, për ndarje nga Serbia, që padrejtësisht u vendos kështu në Konferencën e Londrës më 29 korrik 1913, atëherë kur i tërë Vilajeti i Kosovës, iu dha Serbisë, u kurorëzua më 17 shkurt të vitit 2008.

Shpallja e pavarësisë së Kosovës, ishte kurorëzimi i një rrugëtimi të gjatë dhe mjaft të dhimbshëm për popullin shqiptar. Që nga atëherë Kosova filloi një rrugëtim tjetër, atë të shtetit më të ri në botë. Më 17 shkurt 2008, Kosova u bë shtet me të gjitha simbolet siç e kërkon lindja e një shteti. U krijua himni, flamuri, stema e edhe Deklarata e Pavarësisë e shkruar në një pergamenë, jetëgjatësia e të cilit thuhet se do të jetë disa shekuj.

Profesor Shyqri Nimani, të cilin si të ri e njihnim për këngëtarë e kompozitor, pastaj dizajner e pedagog, dikur edhe shkrimtar e publicist, tani e njohim edhe si njeriun që përveç gjërave të lartpërmendura hyri në histori edhe si dorëshkruesi i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.

Si rrodhën ngjarjet deri në dorëzimin e deklaratës së Pavarësisë në atë kohë kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi për ta lexuar para deputetëve të Kuvendit? Kush e kontaktoi dhe kush ia dha këtë detyrë? Si kaluan ato orë të lodhshme, por njëkohësisht ndër më të bukurat në jetën e tij, i mësojmë nëpërmjet rrëfimit të detajuar të profesor Nimanit, për prapaskenat e dorëshkrimit të deklaratës së Pavarësisë, në linkun e mëposhtëm.

Deklarata e Pavarësisë së Kosovës përmban 6, 991 karaktere, të cilat formojnë 1,254 fjalët e Deklaratës të kaligrafuara në pergamenë. Kjo Deklaratë është në listën e monumenteve të mbrojtura të Kulturës, që nga tetori i vitit 2007, me nismën e Muzeut të Kosovës.

Autore: Afërdita Rushiti

Redaktor muzike dhe realizimi teknik: Remzi Samakova

Për më shumë lajme, vizitoni: www.konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Golgotha Shqiptare”, Si u gjet libri i holokaustit?

‘Serbët vranë 500 000 shqiptarë’