Dekani i Fakultetit të Muzikës në Nju Xhersi, Robert Cart, ka synimin që ky program me muzikë shqiptare, të zgjerohet. Është bërë e ditur, se në Fakultetin e Muzikës në Universitetin Publik të Montclair-it, në Nju Xhersi, tashmë po studiohet muzika shqiptare. Me studentët amerikanë punojnë dy emra të njohur: Raif Hyseni dhe Merita Halili. Me nismën e zotit Hyseni, ky universitet ka krijuar Ansamblin Ballkanik, ku për momentin punohet pothuajse vetëm me muzikën shqiptare, sipas albinfo.ch.
“Një tjetër performancë shumë e suksesshme e Ansamblit Ballkanik Shqiptar në Ansamblin Shtetëror Montclair. Jam shumë krenar, për studentët e mi dhe performancën e tyre! Faleminderit të gjithëve”, – u shpreh Raif Hysini në një postim, në llogarinë e tij në ‘Facebook’.
Po ashtu, në faqen e Ministrisë së Diasporës, shkruhet se muzika shqiptare vjen në një universitet amerikan, me studentë shqiptarë e të huaj që studiojnë e performojnë muzikën shqiptare, si pjesë e Ansamblit Ballkanik në Universitetin Shtetëror Montclair, në New Jersey. Ansambli është themeluar nga artisti i njohur i muzikës shqiptare, Raif Hyseni, me qëllim promovimin e folklorit dhe kulturës shqiptare në SHBA.
Këta studentë po specializohen në degë dhe instrumente të ndryshme muzikore. Në këtë lëndë, ata nuk praktikojnë rrymat e zakonshme për ta – si muzika klasike apo xhaz – por muzikë shqiptare.