MENU
klinika

2 javë i zhdukur

Gjendet i mbytur në lumin e Lanës, në Shkozë vogëlushi 5-vjeçar

01.03.2020 - 13:39

Pas dy javësh i humbur gjendet i pajetë, i mbytur në lumin e Lanës në zonën e Shkozës, 5-vjeçari Klodian Hashimi. Vogëlushi ishte denoncuar 2 javë më parë i zhdukur në një prej emisioneve televizive.

Klodian Hashimi rezultonte i humbur në 17 shkurt të këtij viti, nga parku i lodrave pranë banesës në Shkozë. E gjetën shumë pak metra larg shtëpisë së tyre tek banesat sociale në Shkozë, por fatkeqësisht të pajetë.

Konfirmimin e parë e ka dhënë xhaxhai i tij i cili është njoftuar nga i ati i Klodianit, se 5-vjeçari u gjet i pajetë. Ai hedh akuza se edhe shteti duhej të tregonte më kujdes, pasi në atë zonë rrezikohet jeta e shumë fëmijëve të tjerë që mund të kalojnë rrethimin me tela dhe të përfundojnë në lumin e Lanës.

“E kanë gjetur brenda në ujë përmbysur, 100 % ai është. Për atë dyshohet, se nuk është në kërkim asnjë tjetër fëmijë në lagje. Vëllai më tha që është Klodiani. Është një pellg me ujë, mund të ketë kaluar ndonjë gardh e të ketë rënë. Unë jam në Pogradec, tani po vij, por për Klodianin më thanë se është ai”, ka thënë Adriatik Trëndafili, xhaxhai i djalit.

Kjo zonë është ende kantier ndërtimi, pasi po vijon projekti për rehabilitimin e bregut të Lumit të Lanës në segmentin nga Materniteti i Ri deri në Shkozë.

Sipas deklarimeve të familjarëve më 20 shkurt, 5-vjeçari u la i vetëm për rreth 30 minuta duke luajtur me fëmijët e tjerë dhe pastaj u zhduk pa asnjë gjurmë. Ndërsa sot, fatkeqësisht morën lajmin tragik.