Kreu i Kadastrës, Artan Lame raportoi sot në Komisionin e Ligjeve në lidhje me pr/ligjin “Mbyllja e proceseve kalimtare të pronësisë”, i cili sipas tij është më social, pa nxjerrë në mes të katër rrugëve njerëzit që e kanë një shtëpi, pavarësisht se jo të legalizuar.
“Është një sukses i qeverisë ai i legalizimeve, ndërsa shoqëria është ndërgjegjësuar, që s’mund të vazhdohet më me ndërtime të tjera pa leje. Ligji i ri lehtëson procedurat për përmbylljen e procesit të legalizimit, sigurisht në ato zona ku nuk është mbyllur.
Ligji i ri thoshte se objektet që nuk legalizohen prishen, ndërsa tani zgjidhja që gjen ky ligj është sociale, askush që ka një banesë nuk mund të nxirret pa marrë një shpërblim qoftë edhe të pjesshëm. Pra, mund të përfitojnë nga banesa sociale, ose mund të futen në skema të caktuara kompensimi”.
Sipas Lames, “Procesi tjetër drejt përmbylljes është ai i regjistrimit dhe pajisjes me dokumente pronësie të objekteve të ndërtuara para vitit 1991. Fondi i banesës para ‘91, përfshirë banesa të 1700 apo 1800, por që s’kanë dokumente pronësie. Mjafton t’ju them këtu që në rastin e Thumanës, ato dy pallatet që u shembën, kadastra pati shumë probleme në identifikimin e pronarëve pasi nuk ishin regjistruar në kadastër dhe ZRPP pavarësisht se kishin letra privatizimi. Janë me dhjetëra mijë pallate të tilla të privatizuara pas 91-92”,- vijoi ai.