MENU
klinika

Almanak

Histori/ Çfarë ka ndodhur më 29 shtator?

29.09.2018 - 08:20

1907 – Hidhet guri i parë në themelin për Katedralen Kombëtare në kryeqytetin Uashington. Punimet filluan në prani të presidentit Theodor Roosvelt. Ndërtimi i Katedrales deri në imtësitë më të vogla përfundoi 83 vjet më vonë, në vitin 1990, në prani të presidentit George W Bush. Një skulpturë me pamjen e Nënë Terezës është pjesë e fasadës së kësaj Katedrale madhështore.

1911 – Italia i shpall luftë Perandorisë Osmane, duke kërkuar kthimin e Tripolit dhe territoreve te tjera. Përgjigja e perandorisë ishte e pafuqishme dhe forcat italiane i morën ato territore brenda dy muajve. Duke parë se sa lehtë e patën italianët për të mundur osmanët e çorganizuar, popujt ballkanikë u hodhën në sulme dhe kryengritje kundër Perandorinë osmane para se lufta e saj me Italinë të kishte përfunduar.

1916 – Një grup oficerësh austriakë në Shqipëri nisen për të plaçkitur monumentet e kulturës në Apolloni, por befasohen nga thirrjet “ndal” të oficerit shqiptar Kamber Benja dhe 2 nënoficerëve të tij, Bexhet Manastirliu dhe Abaz Taushani; pas shkëmbimeve të shtënash me armë, tre oficerët shqiptarë mbetën të vrarë në mbrojtje të pasurive të trashëguara kulturore. Për nder të tyre, që prej vitit 2007, Shqipëria e ka shpallur 29 shtatorin si Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore.

Me emrin Apolloni në botën e antikitetit të herëshëm ka patur shumë vendbanime, por Apollonia afër Pojanit të Fierit, cilësohet nga historianët si qyteti më i rëndësishëm si nga pikëpamja strategjike edhe kulturore. Apollonia, në trojet e fisit ilir Taulant, fillimisht quhej Gylakeia sipas themeluesit të saj ilir, Gylaks, por emri u ndryshua më vitet 600 pes për të nderuar Perëndinë Apollo. Apollonia është përmendur nga Straboni në “Geographica” si qytet jashtëzakonisht i mirë-qeverisur.

Aristoteli e quan Apolloninë qytet të rëndësishëm që vërteton se sistemi oligarkik është i suksesshëm; dhe se si nje grup i vogël në numër por i pasur kolonizatorësh grekë nga Korfuzi e Korinthi arriti të kontrollojë qytetin e banuar nga popullsi krejtësisht ilire. Për një kohë, Apollonia ishte e përfshirë mes zotërimeve të Pirros së Epirit.

Në vitin 229 pes, qyteti u vu nën kontrollin e Republikës Romake, ndaj të cilës thuhet se ishte tepër besnik; për këtë edhe u shpërblye në vitin 168 pes, kur pasuritë që Roma sekuestroi nga mbreti Gent i Ilirisë, ia dhuroi qytetit të Apollonisë. Në vitin 148 pes, Apollonia u bë pjesë e provincës romake të Maqedonisë ose Epiri i ri. Gjatë Luftës Civile romake midis Pompeit dhe Jul Cesarit, Apollonia mbështeti këtë të fundit, por mori anën e Markus Brutus në vitin 48 pes. Më 44 pes, Oktaviani 19-vjecar, i cili më vonë do të quhej Augustus, ndodhej për studime në Apolloni, kur mori lajmin e vrasjes së Cezarit – Oktaviani ishte fëmija i birësuar i Cezarit – dhe prej Apolonisë ai u nis për të ndëshkuar vrasësit e të atit, si dhe për t’u bërë Perandori i parë romak.

1943 – Lindi Lech Valesa, njeriu që do të “elektrifikonte” mendjet e mbarë inteligjencës në vendet komuniste; ai ishte elektricist polak që krijoi Solidaritetin dhe ndezi shkëndijën e parë në turrën e druve komuniste e cila do të shpërthente në flakë që përfshinë mbarë Evropën Lindore. Më 1983, Valesa u nderua me çmimin Nobel për paqe, dhe në votimet e lira më 1990 u zgjodh President i Polonisë.

1971 – Në Shqipëri ekzekutohet me pushkatim prifti Don Shtjefën Kurti nën akuzën se pagëzoi një fëmijë, ndërkohë që Zoti ndalohej me ligj. Këtë ngjarje Vatikani e mësoi dy vjet më vonë nga disa të arratisur dhe publikimi i lajmit në botë u shoqërua me protesta para ambasadave të shtetit komunist shqiptar në Perëndim.

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët