Sot importohet me sukses… deri te bari për bagëtitë. Shqipëria e varfër e dikurshme, në fakt kishte avionë dhe nëndetëse, anije dhe tanke, flotë tregtare detare dhe hekurudha. Numëronte plot fabrika dhe kombinate, që sado jashtë kohe, prodhonin dhe fabrikonin produktet “Made in Albania”./Konica.al
I tillë ka qenë edhe ky traktor, që i takon një kohe vërtet të frytshme për industrinë modeste shqiptare, që ndërmerrte nisma dhe punësonte sa e sa njerëz.
Traktori i parë shqiptar, i njohur si produkt “Made in Albania” daton në vitin 1978, kur pas ngritjes së Kombinatit mekanik të Auto-traktorëve, nisi me prodhimin e pjesëve të para të këmbimit për motorët e automobilave dhe të traktorëve. Më pas erdhi dhe legjandari traktori shqiptar, sipas modelit kinez të traktorëve me zinxhirë të asaj kohe.
Por, sot edhe ata pak ekzemplarë që kanë mbetur skajeve të Shqipërisë e që i kanë shpëtuar shkrirjes për skrap, shikohen nga brezat e rinj si objekte “jashtëtokësore”, apo sikur janë të ardhura nga lashtësia, edhe pse disa ekzemplarë janë ende në gjendje funksionale dhe mund të bëjnë punët për të cilat u krijuan.