MENU
klinika

Rritja e vlerave të kartonëve

Tani Kombëtarja shqiptare vlen mbi 100 mln euro

06.03.2020 - 12:13

Thomas Strakosha dhe Marash Kumbulla janë dy futbollistët më të shtrenjtë të Kombëtares shqiptare. Sipas “Transfermakt”, portieri i Lacios dhe qendërmbrojtësi i Veronës vlerësohen me nga 25 milionë euro për kartonin.

Shifër që më parë korrespondonte me vlerën e Hysajt, por ky i fundit tanimë vlerësohet me 16 milionë euro. Pas përditësimit të fundit, vlera e Kombëtares shqiptare në total ka pësuar rritje të konsiderueshme, duke kaluar edhe kufirin e 100 milionë eurove dhe tani Shqipëria e futbollit vlen 108.85 milionë euro.

Rritjen më të madhe e ka shënuar Marash Kumbulla, i cili në përditësimin e të dhënave për muajin e fundit, ka shtuar me të paktën 15 milionë euro vlerën e kartonit të tij. Ndërkohë, vlera të konsiderueshme kanë edhe Berisha, Ndoj, Xhaka e Abrashi nga 3 deri në 2 milionë euro.

Një tjetër futbollist shqiptar i Serisë A i vlerësuar është Berat Gjimshiti, duke marrë vendin e katërt. Me paraqitjet që ka zhvilluar me Atalantën, qendërmbrojtësi vlen 15 milionë euro. Vlera e Kombëtares në total mund të rritet ende me futbollistë të tjerë.

Mes atyre për t’u shtuar janë Armando Broja, pa vlerë kartoni për momentin, dhe Endri Çekiçi, që aktualisht vlen 80 mijë euro, por një debutim i mundshëm si kuqezi me ekipin e parë mund të shtonte vlerën e kartonit të tij.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN