Strukturat e Administratës Doganore kanë sekuestruar një sasi prej 892 mijë paketa cigare në Pikën e kalimit Kufitar të Hanit të Hotit.
Pas një analize risku dhe dyshimeve të arsyeshme, mbi të dhënat e dokumentacionit shoqërues të një ngarkese, strukturat doganore ushtruan kontroll në mjetin e dyshuar, ku rezultoi një ngarkesë prej 892 mijë paketa cigare të markës “ President Slims”.
E gjithë ngarkesa me cigare ishte e papajisur me pulle fiskale të Shqipërisë apo të ndonjë vendi tjetër.
Nëse ky mall do të hidhej në treg, vlera e detyrimit doganor që duhej të paguhej kap shifrën e 140 milion lekë. E gjithë sasia u sekuestrua dhe rasti u referua në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për vepren penale, “Kontrabandë me mallra që paguajnë akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës” dhe “ falsifikimi i vulave, stampave ose i formularve” të parashikuar nga neni 172 dhe 190/3 të Kodit Penal.
Në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, po kryhen veprimet e mëtejshme hetimore. Ky nuk është rasti i parë i kohëve të fundit që kapen mallra kontrabandë, sidomos për mallrat e akcizës.
Strukturat e Administratës Doganore do vijojnë të jenë të angazhuara tërësisht në zbatimin e planeve operacionale që kanë, pasi objektivi ynë është lufta ndaj paligjshmërisë, duke synuar krijimin e një klime të favorshme për të zhvilluar biznes në funksion të konkurrencës së ndershme dhe barazisë para ligjit.