MENU
klinika

Java e Trashëgimisë Kulturore

Çelet ekspozita “Trashëgimia kulturore shqiptare në botë”

29.09.2018 - 12:45

Në kuadër të 29 Shtatorit, “Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore” dhe të “Ditëve Europiane të Trashëgimisë Kulturore”, Muzeu Historik Kombëtar çeli ekspozitën fotografike me titull “Trashëgimia kulturore shqiptare në botë” në mjediset e jashtme të Muzeut.

Muzeu Historik Kombëtar në kuadër të “Javës Evropiane të Trashëgimisë Kulturore” është duke zhvilluar një sërë aktivitetesh, mes tyre ekspozita të objekteve dhe pikturave më me vlerë nga fondi i Muzeut Historik Kombëtar, të cilat do të shpërndahen në të gjithë muzetë e qytetit, përfshi këtu Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastriot Skënderbeu”, Muzeun e Fotografisë “Marubi” dhe Qendrën Kombëtare të Veprimtarive Folklorike.

29 shtatori është dita kur Muzeu Historik Kombëtar i dha mundësinë publikut që të kujtojë trashëgiminë kombëtare shqiptare, pjesë e trashëgimisë europiane, ku të gjitha vlerat e saj materiale dhe shpirtërore u bënë së bashku për t’ua përcjellë brezave si dëshmi të identitetit kulturor.

Në fjalën e tij të hapjes drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, u shpreh se: “Shumë objekte të trashëgimisë sonë kulturore gjenden të ekspozuara jashtë territoreve shqiptare. Këto objekte do të sillnin të dhëna me vlerë për historinë dhe trashëgiminë tonë kulturore në shekuj. Objektet të cilat kanë origjinën si dhe certifikatën e autorësisë në Shqipëri, sot ndodhen në muzetë e shteteve të ndryshme të botës. Fotografitë e objekteve të paraqitura gjenden në muzetë e botës, si në Londër, në Vjenë, në Luvër, në Stamboll, në Janinë, në Athinë, në Nju-Jork, në Toronto etj.”.

“Ekspozita fotografike me titull “Trashëgimia kulturore shqiptare në botë” përmban objekte arkeologjike si Sarkofagun e Meleagrit, Stelën e Parmeniskut, Thesarin e Vrapit, Kokën e Aresit, monedha ilire etj. Me interes të veçantë janë shpata dhe përkrenarja e Gjergj Kastriot Skënderbeut si edhe armët e përdorura nga Ali Pashë Tepelena: pushka e gjatë karajfile, koburja dhe topuzi Skeptër. Në ekspozitë nuk mungojnë edhe objekte të ndryshme etnografike”, përfundoi drejtori Koçi.

Ditët Europiane të Trashëgimisë synojnë mbrojtjen, promovimin dhe ndërgjegjësimin e opinionit publik për vlerat e trashëgimisë sonë kulturore.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Java e Trashëgimisë Kulturore

Edukimi përmes Kulturës


Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët

80 vite nga vdekja e “mbretëreshës së maleve”

Udhëtimi në Shqipëri, ekspozitë me fotot e Edith Durham!

Nga koha e luftës në majën e skenës shqiptare!

Reshat Arbana në gjurmët e një “best seller”-i!