MENU
klinika

Ilnisa Agolli

“Vitet e pritjes” dhe të Teodor Laços

29.09.2018 - 14:25

Filmi artistik është një art sintezë i disa arteve, ndaj dhe quhet art i shtatë. Një rol të rëndësishëm veçanërisht kur filluan filmat me zë,mori edhe skenari. Kjo pasi më përpara kinematografia konsiderohej si pikturë lëvizëse (moving picture), ndërsa më pas pesha kaloi e gjitha në skript. Nëse bëjmë një krahasim të thjeshtë mund të themi se pa të nuk mund të gatuhet buka.

Teodor Laço, është shkrimtari që ka bërë rreth 12 skenare filmash artistik dhe dokumentar. Dëshira e tij ishte kaq e madhe karshi filmit saqë në një periudhë prej gjashtë vitesh nga viti 1986-1992 punoi në Kinostudio si shef i filmit artistik dhe më pas si drejtor i saj. Jo të gjithë e dinë se skenari i filmit “Vitet e pritjes” shkruar nga ai, ishte në fakt një inskenim nga romani i botuar në vitin 1978, Lëndina e lotëve. Një roman kushtuar emigracionit me ngjarje të ndodhura në vitet ’30-të. Temë kjo që është parë si plagë e shoqërisë dhe që Laços i pëlqente ta quante “operacion që bëhet mbi plagën e varfërisë”.

Skenaristi nuk kishte bashkëpunuar kurrë me regjisorin Esat Musliu, i cili aso kohe i kërkoi të bashkëpunonte dhe ai rekomandon pikërisht këtë roman, që përgjatë filmit iu shtuan shumë linja të reja, prej të cilave vlen të përmendet Magda e interpretuar nga Rajmonda Bulku.

Është mesi i viteve ’20. Gjon Kodri kthehet nga Amerika por e ka të pamundur të integrohet përsëri në jetë. Me një shtëpi të braktisur, nënë të vdekur dhe motër të martuar shumë larg, ai nuk nga t’ia filloj. Të gjithë e pyesin për emigrantë të tjerë që nuk kanë më lidhje me familjet por ai rri i heshtur dhe nuk është në gjëndje të komunikojë me të tjerët që e rrethojnë.

Është ky sinopsi filmit “Vitet e pritjes” ku performojnë një kast aktorësh të mrekullueshëm si Xhevdet Ferri, Sheri Mita, Margarita Xhepa, Stavri Shkurti, Birçe Hasko, Marjeta Ljarja, Vasjan Lami, Birçe Hasko, Rozeta Ferri etj. Teodor Laço nuk ngurroi asnjëherë t’i rrëfente atyre të vërtetën e autobiografisë që shkroi. Ai e kishte vuajtur plagën e kurbetit qysh në fëmijërinë e hershme. Ishte një djalë emigranti që nuk mundi ta njihte të atin, i cili e la vetëm gjashtë muajsh duke ikur dhe u kthyer pas 22 vjetësh në Shqipërinë që jetoi vetëm katër muaj, për të ikur sërish.

“Jam nga Dardha e Korçës, ky fshat tipik kurbetllinjsh që ka pasur lidhje të ngushtë me Amerikën dhe ku gratë rrisnin vetë fëmijët. Jam nga fshati tragjedisë” , thoshte ai shpesh.

Është kjo arsye pse ndjehet kaq e theksuar në këtë film ky element, me të cilin Teodor Laço luan përmes metaforës me anë të këmbanës. Të gjitha lajmet vijnë nëpërmjet tingullit të saj, e cila në film quhet edhe “këmbana e gjëmës”. Një fakt ky, që na tregon dhe realitetin e asaj kohe sepse në fshat kur vinin lajme nga kurbeti, ajo binte në mënyrë të veçantë. Binte ngadalë dhe të gjithë familjet që kishin të afërmit e tyre në emigrim rrinin me zemër të ngrirë karshi të vërtetës së kobshme që do të dëgjonin. Gjëmën e përcillnin zakonisht burrat e moshuar të fshatit, sikundër në film ishin gjithnjë tre. Një traditë kjo që e përcillte pleqësia në mënyrë që të lehtësohej mundësia për të dhënë lajmin e keq.

Shkrimtari, dramaturgu, skenaristi, politikani dhe diplomati, Teodor Laço lindi më 29 shtator 1936 në Dardhë.Ndër 55 veprat e tij letrare në prozë, poezi,drama, skenarë filmash, publicistikë dhe shënime udhëtimi, që do ta fillonin rrugëtimin në vitin ’58-të deri në ditët e fundit të jetës së tij pa e lëshuar penën nga dora, ( tregimet “Kukudhi” dhe “Puna fizike e akademikëve” janë të Prillit 2016 dhe romani “Gropas 67” u shkrua dhe botua më 2014), kishin zanafillën, në Dardhë, vendlindjen që nuk tradhëtoi kurrë. Një pjesë e librave të tij janë përkthyer e botuar edhe në gjuhë të huaja. Ndërkohë që pas viteve ’90-të ai u angazhua edhe në jetën politike të vendit. Për 12 vjet ka qenë deputet, ka qenë ministër Kulture dhe ambasador në federatën Ruse. Ai ndërroi jetë në moshën 80-të vjeçare.
Teodor Laço edhe në ditët e tona rradhitet nga shkrimtarët më në zë, duke na lënë pas tablo të  të rëndësishme të jetës shqiptare në periudha e sfonde specifike historike, ekonomike e sociale.

 

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe