MENU
klinika

"Të sigurohen edhe test-kite, nuk ka mjaftueshëm"

Basha përshëndet vendimin e qeverisë për tenderin e respiratorëve

18.03.2020 - 19:49

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një lidhje direkte për News 24, e quajti lajm të mirë çeljen e tenderit për blerjen e pajisjeve shtesë respiratore, për trajtimin e pacientëve me koronavirus, në rast të një fluksi të papritur.

Basha tha se hapja e tenderit nga qeveria është lajm i mirë, por bëri thirrje që në të njëjtën mënyrë të veprohet edhe me testet për virusin Covid-19.

Basha tha se PD ka informacione që numri i testeve nuk është i mjaftueshëm, ndaj i bëri thirrje qeverisë të sigurojë test-kite shtesë.

“Siç u njoftua në 24 orët e fundit përmes tenderit që u hap për pajisjet respiratore. Duhet të merren masa edhe për sigurimin e test kiteve. Sipas një informacioni që kemi ne numri i testeve nuk është i mjaftueshëm, ndaj unë po bëj thirrje dy herë në ditë që të merren masat. Uroj dhe shpresoj që sa më shpejt këto pajisje të vijnë në Shqipëri”, tha ndër të tjera Basha në një intervistë për “News24”.

Basha tha gjithashtu se me masat e propozuara, PD ka për qëllim zgjidhjen e problemit, jo propagandën.

Kreu demokrat tha se 3.5 milionë euro të vëna në dispozicion nga qeveria janë të pamjaftueshme.

Ai bëri thirrje që të anulohen kontratat abuzime dhe koncesionet, duke përmendur rrugën e Astirit, për të cilën ishin vendosur 20 milionë euro në dispozicion.

“Masat që po kërkojmë ne janë përmbajtësore, jo forme. Ne kemi qëllim zgjidhjen dhe jo propagandën. Propozimet tona kanë të bëjnë me kujdesin shëndetësor, ushqimor, ekonomik, sepse siç thashë, zinxhiri i rrezikut nis me shëndetësinë, dhe i përcillet ekonomisë, ekonomisë së çdo familje shqiptare.Ne kemi propozuar çdo gjë që ne do të merrnim përsipër të bënim nëse do të ishim në qeveri. Ne vërtet nuk kemi buxhetin e vendeve perëndimore, por kur ata japin 15, 16, 17%, ne nuk mund të mbetemi në shifrat e 0.003%. Shifra 3.5 milionë euro është e pamjaftueshme. Ne kemi bërë thirrje që masat të ndërmerren pa humbur kohë. Ndihma që u duhet dhënë biznesit, kryesisht të vogël, punonjësve që nuk kanë marrë rrogat. Kemi propozuar që të vetëpunësuarve në biznesin e vogël, qeveria t’i garantojë 300 euro në muaj, ku shifra totale shkon në 25 milionë euro, një shifër krejtësisht e përballueshme. Duke theksuar se në Astir vetëm një rrugë bën 20 milionë euro”, tha Basha.