Ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj është takuar sot me presidentin Ilir Meta për ta informuar mbi masat e qeverisë për përballimin e situatës së krijuar nga pandemia e koronavirusit.
Presidenca thekson se ky takim është kërkuar nga ministri Ahmetaj, dhe bën me dije se gjatë takimit është diskutuar edhe për mundësin e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Ministrit Ahmetaj i janë ngarkuar një sërë detyrash të reja “për koordinimin dhe drejtimin e punës, ndërmjet ministrive dhe institucioneve, për hartimin e planit të përballimit të situatës ekonomike të shkaktuar nga pandemia globale COVID-19”.
“Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta priti sot në mbrëmje me kërkesë të Tij, ministrin e Shtetit për Rindërtimin, z.Arben Ahmetaj, të ngarkuar nga qeveria edhe për koordinimin dhe drejtimin e punës, ndërmjet ministrive dhe institucioneve, për hartimin e planit të përballimit të situatës ekonomike të shkaktuar nga pandemia globale COVID-19.
Presidenti Meta u njoh nga ministri Ahmetaj për masat e marra nga qeveria për përballimin e kësaj situate kritike, si dhe diskutoi mbi mundësinë e mbledhjes në një kohë sa më të afërt të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Gjithashtu, Presidenti Meta theksoi gjatë takimit se bashkëpunimi, gjithëpërfshirja, humanizmi dhe solidariteti mbarëkombëtar do të na japë të gjithëve fuqinë e duhur pozitive për ta fituar këtë sfidë”, njofton Presidenca.