Ka luajtur me disa nga ekipet më prestigjoze në Serie A dhe La Liga, të gjithë e mbajnë mend në fushën e lojës të egër, por jashtë saj është një njeri pozitiv.
Një njeri që në fëmijërinë e tij refuzoi armët dhe drogën për t’ju dedikuar futbollit. Felipe Melo rrëfen jetën e tij për mediat argjentinase dhe tregon edhe për yjet e sotëm të futbollit.
MESSI? “Është më i miri i historisë. Unë nuk mund të them asgjë për Pele, sepse nuk e kam parë të luajë. Nga Maradona kujtoj Botërorin e vitit 1990 kur fituan kundër Brazilit me golin e Kanixhas. Në Brazil njerëzit thonë se Zico ka qenë më i miri nga të gjithë, por unë e kam parë vetëm në ndeshjen e lamtumirës në Maracana.
Mund të them se Pele dhe Maradona kanë qenë fenomenalë për mua. Kam parë Leo Mesin të luajë dhe është i jashtëzakonshëm. Më i mirë se Cristiano. Ai mund të shënojë 5 gola në një ndeshje, por Messi përveçse shënon 5 gola, ndihmon shokët e skuadrës të shënojnë. Kjo do të thotë se Leo është më i kompletuar”.
MARKIMI – “Messi është një lojtar unik. Kur me kombëtaren e Brazilit luanim kundër tij, thonim: Do ta godasim nga këmbët me radhë. Nëse nuk e godet, është e vështirë të ndalet. Por nuk po them goditje për ta dëmtuar, por thjesht për ta ndaluar, për t’i ulur ritmin dhe për ta bezdisur.”
EUROPA DHE AMERIKA – “Diçka e kanë të përbashkët. Arbitrat të çajnë by… kudo. Por çdo vend ka shkollën e tij. Në Angli, nëse shkakton faull, tifozët ia bëjnë: Ohhh dhe arbitri vazhdon lojën. Në Spanjë, një faull i tillë mund të jetë i kuq. Në Brazil, disa arbitra lënë lojën, ndërsa të tjerë të ndëshkojnë. Prandaj më pëlqen Kupa Libertadores, sepse më arbitrojnë argjentinasit dhe ata nuk japin kartonë”.
FËMIJËRIA – “Unë kam lindur në lagjen më të tmerrshme të Rios. Nëna ime qëndronte me mua dhe vëllezërit në shtëpi, ndërsa babai punonte gjithë ditën. Nuk kisha komoditete, por as nuk më mungonte gjë. Ëndrra ime e madhe ishte futbolli. Nëse nuk bëhesha futbollist, nuk e di çdo të ndodhte me jetën time. 95% e shokëve të mi të fëmijërisë nuk jetojnë më, sepse zgjodhën rrugën e gabuar”.
JETA NË LAGJE – “Kam parë me sytë e mi gjëra të paimagjinueshme dhe është e mira të mos flas për to. Kam pasur mundësinë, por kurrë nuk doja të kisha armë dhe drogë nëpër duar. Unë preferova rrugë tjetër, por më kujtohet kur shefat e narkotrafikut më thanë: Mos të shohim më këtu, ndryshe do ta presim fytin. Nuk doja ta fitoja paranë lehtësisht, por të punoja”.