MENU
klinika

Qyteti që i takon agut të njerëzimit

O Berat që pate fat!

22.03.2020 - 08:30

Ky vargëzim i bukur popullor është rrënjosur në mendjen e çdo shqiptari kur bie fjala për këtë qytet 2500 vjeçar. Qyteti që i takon agut të njerëzimit.

Një nga qytetet më të rrallë të Shqipërisë. Historia e krijimit të tij i takon një legjende të bukur. Kur ujërat rridhnin të pakontrolluara dhe shkatërruese, në këtë zonë u krijua një masiv shkëmbi ku u ngrit një qytet i mahnitshëm, qytet që gazetat më prestigjioze të botës e quajnë qytetin e dytë më të bukur të Evropës.

Gjeneza e këtij qyteti nuk është e thjeshtë. Periudha e para-qytetërimit zgjati gati dy mijë vjet. Gjetja e dy çekanëve prej guri dhe mbetjeve metalike që i përkasin periudhës së bronzit (dy mijë vjet para Krishtit) vërtetojnë vjetërsinë e këtij qyteti. Edhe zbulimet e mëvonshme të shumë pjesëve prej qeramike, tregojnë ngulmimet që u bënë në këtë qendër të rëndësishme derisa në shekullin IV para Krishtit u ndërtua një kështjellë djathtas lumit Osum, e cila shënoi origjinën e qytetit. Kështjella me bazamente ilire, u ruajt në shekuj dhe në shekujt VI, XIII, XV, e XIX u modifikua.

Ajo nuk është vetëm një nga kështjellat më të mëdha të banuara, por dhe një arkiv gurësh, i cili ofron një arkiv me varietete stilesh e kontributesh të epokave të ndryshme si asaj romane, bizantine, shqiptare e otomane.

E shekullit IV para Krishtit është dhe kështjella e Goricës, e pozicionuar në kodrën përballë, duke krijuar një fortifikim të dyfishtë në të dyja anët që zbresin drejt lumit. Rezultat i këtij fortifikimi nuk është vetëm dominanca ndaj zonës përreth, por dhe një pamje dekoratike e jashtëzakonshme:kodrat ngjajnë si mbretër me kurora mbi kokë, të formuara nga kështjellat e bardha.

Në kohën e mbretërisë ilire, Berati ishte një nga qytetet më të rëndësishme ilire. Gjatë kësaj kohe ai u banua nga Dasaretët. Gjatë luftërave Iliro-Romake dhe Maqedonase-Romake qyteti u mor një herë nga maqedonasit e një herë nga ilirët.

Thuhet se në Berat u lind Ptoleme Lagosi, i biri i Filipit të Maqedonisë dhe themeluesi i dinastisë me të njëjtën emër në Egjipt, i cili hyn në histori deri në vdekjen e Kleopatrës.

Në vitin 200 para Krishtit qyteti u dominua nga romakët. Qyteti gjatë kësaj kohe u thirr me emrin Antipatrea dhe kemi dëshmi nga Polibi dhe Tit Livi, i cili do e përshkruante si një qytet të madh e të fuqishëm, i fiksuar në një qafë të ngushtë shkëmbore. Livi tregon dhe egërsinë e konsullit romak duke e përshkruar me këto fjalë:«…vrau të gjithë nga gjashtëmbëdhjetë vjeç e lart, lejoi që ushtria të vidhte, të shkatërronte muret e t’i vinte hekurat dhe zjarrin qytetit».

Po ka dhe variante të tjera të emërtimit të qytetit. Disa e quajnë Bargul dhe të tjerë Fortesa e shqiptarëve.

Në vitin 148 para Krishtit, qyteti u përfshi në provincën romake të Maqedonisë ndërsa gjatë Dioklecianit në provincën e Epirit të Ri.

Emri Pulkeriopolis u shfaq në shekullin e V dhe ishte emei i motrës së perandorit të Lindjes, Teodosi II. Ky emër Pulcheria që do të thoshte i bukur, i fortë , i pasur, i ndritshëm iu dha qytetit jo pa qëllim. Qyteti po kthehej në kryeqendër dhe shfaqte një nivel të lartë kulturor, dëshmi e të cilave janë kodikët e famshëm të Beratit që i përkasin kësaj periudhe.

Me kalimin në Mesjetë do të fillojë një periudhë e zymtë dhe për Beratin. Qytetet e vogla shqiptare do fillojnë të zhduken. Qyteti do mbijetojë vetëm falë rrjetit rrugor të Shqipërisë së Mesme rreth tij, si dhe nga pozicioni gjeografik, sepse është pika ku bashkohen fushat me malet. Megjithëse ekonomia filloi të ngushtohej, përsëri Berati vazhdoi të zhvillohej dhe filluan të shfaqeshin feudalët e parë.
Në vitin 860 Berati u pushtua nga bullgarët dhe pas 67 vjetësh do i rikthehej dominimit Bizantin, i cili vazhdoi deri në fund të vitit 969. Pas kësaj u pushtua përsëri nga bullgarët, të cilët e quajtën qytetin Belgrad, fortesa e bardhë.

Pas rënies së mbretërisë bullgare qyteti luajti rolin e një qendre të rëndësishme. Më pas bie përsëri nën mbretërinë e Bizantit dhe me rënien e perandorisë Bizantine, Berati bëhet një nga qendrat kryesore të autoriteteve religjioze të Epirit. U bë qendra e Mihal Engjell Komnenit, Despot i Despotatit të Epirit.

Për Perandorinë Bizantine, Berati do ishte kaq i rëndësishëm sa do tërhiqte dhe vëmendjen e Anzhuinëve të cilët e zaptuan qytetin për dhjetë muaj. Humbja e tyre u festua me gëzim në Berat dhe në Kostandinopojë. Dhe ngritja e Kishës së Shën Mërisë së Vllahernës, brenda Kështjellës së Beratit, lidhet me këtë fakt.

Rëndësia e madhe e këtij qyteti ndihet dhe në fillim të shekullit XIV, kur qeveritarët e Beratit morën detyra të rëndësishme nga Bizanti. Por pikërisht në këtë kohë do të vihen re shenjat e para të një revolte popullore dhe tendenca për autonomi nga ana e latifondistëve shqiptarë.

Revolta shpërtheu në vitin 1336 dhe përfshiu gjithë qytetin. Për të ulur revoltën në Berat erdhi vetë Perandori. Në vitet 1345-1346, Perandoria Bizantine zhduket nga skena politike shqiptare. Dhe fillon dominimi serb i Stefan Dushan. Qyteti do të kthehej nën dominimin e Muzakajve, një ndër familjet më të fuqishme shqiptare. Në 1417 Berati pushtohet nga turqit. Heroi kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, mori në konsideratë rëndësinë e qytetit, e rrethoi në korrik të 1455, por ardhja e papritur e 40.000 kalorësve turq shkaktoi një humbje të rëndë. Gati të gjithë ushtarët italianë, të cilët ishin vënë në dispozicion prej Alfonsit të V të Aragonës për t’i dhënë ndihmë Skënderbeut nën komandën e Raimondo Orsatës, mbetën të vrarë poshtë mureve të kalasë.

Në shekullin XVI, Berati mori zhvillim me rritjen e Perandorisë Osmane. U bënë shumë ndërtime jashtë mureve të kalasë që u zgjeruan dhe përgjatë lumit Osum. Në fund të shekullit mund të numëroheshin 1019 shtëpi, me një total prej rreth 7000 – 8000 banorësh. Një zhvillim të madh mori artizanati, i cili dëshmohet nga lindja, bashkëpunimi dhe tregu i lulëzuar.

Gjatë pushtimit ottoman Berati ishte një ndër qytetet më të rëndësishme të Shqipërisë. Ai u bë kryeqendra e Pashallëkut të Beratit, që më vonë do t’i bashkohej Pashallëkut të Janinës.

Kalaja

Është monumenti më i bukur dhe më antik i qytetit. Ajo ngrihet mbi kodër 187 metra të lartë dhe është rindërtuar në periudha shumë të rëndësishme të historisë. Kalaja është formuar me gurë gjigandë në formë katrori. Në pjesën më të lartë të kështjellës ndodhet një akropol i rrethuar nga mure, brenda së cilës gjenden mbetjet e një garnizoni ushtarak, mbetjet e sarajeve të pashait dhe të Xhamisë së Bardhë në periudhën otomane.
Kështjella i ka qëndruar besnike planimetrisë së saj të shekullit IV para Krishtit. Hera – herës , sipas teknikave të përdorura, kështjella u përshtat, e kjo mund të vihet re në kullat e predispozuara për topa dhe në frengjitë për pushkët, që shfaqen në periudhën e pashallëqëve të mëdha shqiptare, të shekullit XVIII-XIX. Topat gjenden ende edhe sot përgjatë mureve të kështjellës.

Kishat e xhamitë e Beratit

Disa kapitele dhe kolona dëshmojnë ekzistencën e kishave paleokristinae në Berat që i përkasin shekullit IV-VI dhe këtu na vjen në ndihmë bazamenti i kishës së Shën Todrit.

Ndër ndërtimet më të rëndësishme të shekullit XVI-XVIII janë tre kisha bizantine të ruajtura mirë që janë :Shën Maria e Vllahernës dhe Shën Triadha, në brendësi të qytetit të vjetër të fortifikuar, në anën jugore të kalasë gjendet Shën Mëhilli, ndërtuar mbi një shkëmb të thepisur jashtë mureve.
Kishat në Berat janë perla të arkitekturës mesjetare. Qyteti ka qenë një qëndër e rëndësishme kishtare. Ka një numër të madh kishash (42) të ndërtuara në brendësi të kështjellës. Këtu u gjend edhe një vepër tjetër e rrallë, Epitafi i Gllavenicës, një vepër e famshme e artit të shekullit 1373, një qëndisje në ar, argjend e mëndafsh, në të cilën, me një finesë dhe plasticitet të papërsëritshëm shikohet Krishti i vdekur, me kurorën me gjëmba e rrethuar nga shkrime në greqisht.

Kishat janë të pasura me afreske nga Onufri dhe i biri i tij Nikolla.

Ndërsa xhamitë më të famshme të Beratit janë Xhamia e Kuqe e shekullit XIV, xhamia e Bardhë shekulli XV, Xhamia e Plumbit shekulli XVI ndërtuar nga familja Ugurzliu, Xhamia Mbret etj.

Qyteti ka dhe disa teqe.
Mangalemi dhe Gorica

Dy lagjet e famshme të Beratit, të cilat dallohen për mjeshtërinë e jashtëzakonshme të ndërtimit. Këto dy lagje së bashku me kështjellën janë tre komplekset më të çmuara dhe më karakteristike të qytetit.

Mangalemi ka formën e një piramide elegante që imiton siluetën e kodrës në majën e të cilës ndodhet kështjella. Ka një kompozim kaq delikat dhe të rafinuar që duket sikur po të dhurohet në duar ndaj dhe ka marrë emrin qyteti i një mijë e një dritareve.

Lagjia përballë Mangalemit quhet Goricë dhe kjo nuk e shikon dritën e diellit përgjatë dimrit.