MENU
klinika

Fuqitë e mëdha, Vidi dhe Shqipëria

“1001 net” e përralla me mbret!

22.03.2020 - 08:30

Pavarësia e Shqipërisë nga pushtimi osman, e gjeti vendin të papërgatitur për tu vetëqeverisur. Pas ndarjes së trojeve shqiptare nga Fuqitë e Mëdha, këta të fuddit vendosen që një federal evropian do të ishte mbreti i Shqipërisë.

Princi gjerman Vilhelm Vidi, do të ishte mbreti i parë shqiptar, pas Gjergj Kastriotit. Mbretërimi i Vidit në Shqipëri, nuk do të ishte e lehte, këtë gjë e dinte dhe vetë ai.

Vidi arriti në Durrës më 7 mars 1914 në orën 3 pasdite. Shqipëria orientale, e ndikuar ende nga osmanët, e pritët Vidin me entusiazëm me bindjen se do të realizonte aspiratat e tyre nacionale.

Për Fuqitë e Mëdha, Vidi do të ishte mbreti që do të drejtonte Sqhipërinë drejt një të ardhme të re.

Por mbretërimi i tij, zgjati vetëm 6 muaj. Intrigat, ndikimi oriental dhe kryengritjet, gjunjëzuan Vidin dhe bënë që ai të largohet nga mbretëria e tij.

Esat Pasha, qëndroi afër princ Vidit, me qëllim që të siguronte një pozitë me rëndësi në kabinetin qeverisës. Por kjo nuk e ndaloi Esat Pashën që të nxiste lëvizjet kundër Vidit duke kërkuar një princ turk për Shqipërinë.

Më 17 mars Vidi formoi qeverinë e re shqiptare, në krye me Turhan Pashë Përmetin, një diplomat i vjetër që kishte qenë ambasador i perandorisë Osmane për 25 vjet rresht në Peterburg të Rusisë.

Jo vetëm rrënimi i brendshëm i Shqipërisë, por Vidi duhej të përballej dhe me orekset e fqinjëve, që ishin sulur për të copëtuar më shumë shtetin e ri të formuar.

Me tu vendosur në fronin e Shqipërisë, princ Vidi u përpoq të zgjidhte problemin më urgjent dhe më të ndërlikuar të vendit, atë të largimit të trupave greke nga Shqipëria e jugut dhe të vendosjes së administratës shqiptare në këto vise. Por qysh në fillim ai tregoi se nuk ishte i vendosur të mbronte deri në fund, pa kompromis interesat e shtetit shqiptar. Për të zgjidhur këtë çështje ai hyri në bisedime me qeverinë”vorio-epirote” të shpallur në Gjirokastër. Dhe për këtë qëllim Vidi caktoi si komisar të jashtëzakonshëm për shqipërinë e Jugut oficerin holandez Tomson, i cili kishte ardhur në Shqipëri për të ristrukturuar xhandarmërinë shqiptare.

Tomsoni, u premtoi grekëve disa të ‘drejta të veçanta’për popullsinë e ‘Epirit të Veriut’. Kompromisi i Tomsonit ngjalli protesta të ashpra në rrethet patriotike shqiptare. Edhe qeveria e Durrësit e Turhan Pashës po ashtu nuk e pranoi këtë kompromis, prandaj e shkarkoi Tomsonin nga detyra e komisarit dhe u shpreh kundër çdo lloj autonomie për krahinat e jugut.

Ajo që gjunjëzoi Vidin, ishin padyshim kryengritjet e nisura në Shqipërinë e Mesme kunder tij. Kryengritja e Shqipërisë së Mesme ose e rebelëve, siç u quajt ndryshe, filloi në rrethin e Tiranës. Më 17 maj 1914 u sulmua te ura e Limuthit afër Tiranës batalioni i vullnetarëve tiranas që ishte nisur në drejtim të Durrësit për të shkuar në jug, në frontin kundër shovinistëve grek. Pasi shpartalluan batalionin e vullnetarëve kryengritësit hynë në Tiranë. Të nesërmen grumbuj fshatarësh të armatosur zunë Shijakun dhe iu drejtuan Durrësit, mirëpo në hyrje të qytetit hasën në rezistencë të forcave qeveritare të Vidit. Drejtuesit e kryengritjes me këtë rast dolën hapur kundër princ Vidit dhe kërkuan një princ turk.

Për vendosjen e një princi mysliman prej kohësh angazhohej edhe Esat Pashë Toptani. Esat Pasha edhe pse kishte dy ministri më të rëndësishme në qeverinë e Durrësit, me kohë u shpërndau armë mercenarëve të vet.

Qeveritarët në oborrin e princit në kohën kur po përballeshin me sulmet e kryengritësve, duke menduar se prapa kërkesave të kryengritësve qëndronte Esat Pasha, më 19 maj 1914 organizuan xhandarmërinë e Durrësit dhe e arrestuan atë në shtëpinë e tij. Goditja kundër Esat Toptanit u konsiderua nga Italia si një grusht që i jepej ndikimit të Romës në Shqipëri. Pas ndërhyrjes energjike të ministrit italian në Durrës, baronit Alioti, Vidi ia dorëzoi Toptanin legatës italiane e cila e mori me një luftanije dhe e dërgoi në Itali. Para se të largohej nga Shqipëria, Esati firmosi një premtim se ai nuk do të kthehej më në Shqipëri dhe se nuk do të përzihej më në politikën shqiptare ose në intrigat kundër fronit.

Pas largimit të Esatit pasuan ndryshime në qeverin e Vidit. Largimi i Esat Pashës edhe pse u konsiderua si një fitore e madhe, kryengritja e nisur nuk u ndërpre dot. Zjarri i kryengritjes u përhap edhe në krahinat tjera.

Kryengritjet kërkonin largimin e princ Vidit dhe kthimin e Shqipërisë nën administrimin turk, ose sjelljen e një princi turk të varur nga Sulltani.

Kryengritësit edhe pas disa përpjekjeve për ta shtirë në dorë Durrësin nuk patën sukses, prandaj i’u drejtuan qyteteve tjera dhe gjatë muajit qershor morën në dorë Kavajën, Krujën, Peqinin dhe Elbasanin. Në fillim të korrikut kryengritësit marshuan drejt jugut dhe brenda pakë ditëve morën Lushnjën, Fierin, Beratin dhe nga lindja arritën deri në Pogradec, ku aty më 11 korrik nënshkruan edhe një marrëveshje të përkohshme me “vorio-epirotët” të cilët ato ditë kishin pushtuar Kolonjën, Korçën, Tepelenën dhe kishin arritur afër Beratit.

Një nga mbështetësit e Princ Vidit ka qenë edhe Faik Konica. Diplomati shqiptar shkoi në Potsdam (Berlin) në fundvitin 1913 për t’u takuar me Vidin dhe për ta këshilluar personalisht atë për detyrën e vështirë që ai kishte marrë përsipër.

Duke e ndjerë rrezikun nga sukseset e kryengritësve, princ Vidi bëri thirrje për ndihma nga të gjitha anët, por vetëm nga veriu mundën të vinin disa forca të pakta, ndërsa Shqipëria e jugut nuk mundi të jepte ndihmë. Për rrjedhojë, në fund të korrikut 1914 dhe në pragun e shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, Shqipëria ishte në gjendje të rëndë politike.

Pushteti i qeverisë Shqiptare tashmë ishte kufizuar vetëm në Durrës e në Vlorë. Princ Vidi bëri përpjekjen e fundit për të shpëtuar qeverisjen e tij. Ai iu drejtua edhe Fuqive të Mëdha me kërkesën për të zbatuar zotimin që kishin marrë në Konferencën e Londrës për të garantuar bashkërisht pavarësinë dhe sovranitetin e Shqipërisë dhe për këtë qëllim kërkoi formimin prej tyre të një force ndërkombëtare prej 3 mijë vetësh, për të shtypur kryengritjen. Por fuqitë e mëdha duke qenë në konflikt me njëra-tjetrën, premtuan se do të ndihmonin për të shpëtuar vetëm jetën e princit dhe të familjes së tij, por jo edhe intervenimin ushtarak atje.

Në këto rrethana, kur edhe kishte filluar Lufta e Parë Botërore, princ Vidi u detyrua të largohej nga Shqipëria, më 3 shtator 1914 pas gjashtë muaj qëndrimi.

Princi Vidi vdiq me 1945 në Predeal, Rumani, në moshën 69-vjeçare, duke lënë djalin e tij, princin Karol Viktor, si trashëgimtar të pretendimeve për fronin shqiptar.

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët

80 vite nga vdekja e “mbretëreshës së maleve”

Udhëtimi në Shqipëri, ekspozitë me fotot e Edith Durham!

Nga koha e luftës në majën e skenës shqiptare!

Reshat Arbana në gjurmët e një “best seller”-i!