MENU
klinika

Der spiegel

Imuniteti i tufës apo izolimi total – çfarë është më mirë?

22.03.2020 - 13:53

Britania e Madhe dhe Holanda nguruan në fillim që të kufizojnë mënyrën e jetesës së qytetarëve të tyre për arsye të përhapjes së koronavirusit.

*Nga Julia Koppe

Nëqoftëse do tí besojmë Ira Helsloot-it, një vit-jetë e shëndetshme kushton 60.000 euro. Një investim i tillë është i justifikueshëm duke pasur parasysh burimet e kufizuara financiare të sistemit shëndetësor nëqoftëse një person jeton dymbëdhjetë muaj më shumë, thotë kërkuesi në fushën e sigurisë në gazetën hollandeze “Volskrant”. Nëqoftëse do të kushtojë më shumë, atëherë dalin në dukje anët negative sepse shpenzohen më shumë lekë për më pak jetë me shëndet të mirë.

Përllogaritja është cinike, por pikërisht ky mendim fshihet prapa vendimeve për masat e mëtejshme për përballimin e pandemisë së koronavirusit. Ose e thënë më ndryshe: në çfarë raporti është mbrojtja e njerëzve të moshuar me sëmundje të mëparshme ndaj një karantinimi për të gjithë popullsinë?

A nuk mjafton që grupet e rrezikuara të izolohen dhe të tjerëttë lajnë më shpesh duart dhetë tështijnë në trekëndëshin e bërrylit? Pikërisht kjo ide është ajo që po qarkullon në mediet ndërkombëtare si gjoja imunitet i tufës. Ky diskutim po bazohet megjithatë njëkohësisht mbi dy keqkuptime.

Ecuria e epidemisë varet nga numri i njerëzve që infekton një i infektuar. Kur ai infekton më shumë se një person atëherë sëmundja përhapet dhe nëqoftëse infektohen më pak, atëherë numri i të infektuarve do të ulet ngadalë.

Mbi bazën e njohurive të deritanishme, në rastin e koronavirusit Sars-CoV-2, , ky faktor është 2,5. Kjo do të thotë se një person ia transmeton virusin dy deri tri personave të tjerë. Këta të fundit do të infektojnë të tjerë akoma e kështu me radhë. Një person i vetëm mund të vëjë në lëvizje një proces nga i cili sipas virologut Aleksander Kekule, brenda tetë javëve mund të infektohen 3000 persona.
Pas një kohe të caktuar një i infektuar nuk mund të infektojë më shumë se dy tre persona të tjerë sepse njerëzit rreth tij do të kenë vdekur tashmë nga sëmundja ose do të jenë të infektuar që përpara me sëmundjen dhe do të kenë fituar imunitet. Në sajë të imunitetit të tufës tani sëmundja nuk do të përhapet më por do të jetë në gjendje stanjacioni dhe do të zmbrapset.

Por, kundër koronavirusit, bazuar në njohuritë e deritanishme,nuk ekziston një imunitet i tillë sepse nuk kanë kaluar veçse pak muaj që kur ai kaloi nga kafsha te njeriu duke u përhapur pastaj kudo në botë. Shumë virologë mendojnë se virusi nuk largohet më. Për të krijuar një imunitet tufe, duhet të infektohen sipas llogaritjeve fillimisht 60 deri 70 përqind e njerëzve dhe të shërohen pastaj prej sëmundjes ose duhet të jetë zbuluar ndërkohë ndonjë vaksinë.

Keqkuptimi i parë: Imuniteti i tufës nuk është në kundërshtim me karantinën, me distancën që duhet mbajtur mes njerëzve dhe izolimin. Kjo nuk është strategji e një vendi të vetëm, por bëhet në mënyrë automatike sa më shumë rritet numri i të infektuarve. Problemi është se sa shpejt duhet bërë. Gjermania ka zgjedhur që këtë proces ta shtrijë sa më gjatë në kohë.

Britania e Madhe dhe Holanda kanë zgjedhur që imuniteti i tufës të arrihet në një kohë të shkurtër, pa e mbingarkuar sistemin shëndetësor kur virusi të jetë përhapur gjerësisht mes njerëzve dhe ata të mund ta përballojnë atë duke u sëmurur rallë. Jeta publike mund të vazhdojë ndërsa të rinjtë dhe të moshuarit evitojnë kontaktin trupor dhe të tjerët bëjnë shumë kujdes me higjenën.

“Ne do të mund të ngadalësojmë përhapjen e virusit dhe do të ndërtojmë njëkohësisht një imunitet grupi”, thoshte kryeministri Mark Rutte ditën e hënë në një fjalim të tij para qytetarëve të vendit.

“Ne nuk kemi njohuri të mjaftueshme mbi logjikën e virusit”

Për të dy variantet ekzistojnë argumente shkencore, por që të zgjedhësh rrugën e imunitetit të tufës , kjo është një lojë e rrezikshme. Sepse ekuacioni ka akoma të panjohura: do të vdesin 0,7 përqind e të infektuarve si në rastin e Koresë së Jugut apo gjashtë përqind si në Itali? Sa persona janë infektuar tashmë pa e ditur? “Ne nuk “kemi njohuri të mjaftueshme mbi logjikën e këtij virusi “, paralajmëron Margaret Harris e Organizatës Botërore të SHëndetësisë.
Teorikisht shkenca mund tí testojë me eksperimente të dyja tezat: një grup testimi sillet normalisht sikurse deri më tani në jetën e zakonshme ndërsa grupi tjetër është i detyruar të qendrojë në shtëpi i pakontrolluar. Pas kësaj numërohen të vdekurit.

Problemi: ai që do të vendosë jashtë laboratorit për rrugën e imunizimit të shpejtë të tufës, ai e ka të vështirë të kthehet mbrapsht.
Kërkues nga Imperial College në Londër llogaritën me kompiuter se çfarë do të ndodhte në Britaninë e madhe nëqoftëse epidemia vetëm do të dobësohet në favor të imunitetit të tufës. Sipas këtij varianti do të vdisnin 510.000 njerëz. Nëqoftëse përkundrazi do të kufizohet jeta sociale për një kohë të gjatë dhe në mënyrë konseguente, atëherë do të vdisnin gjysma e këtyre njerëzve.

Këtu kemi keqkuptimin e dytë: Imuniteti i tufës nuk është rruga e vetme e daljes nga kriza. Shumë vende mund ta bllokojnë virusin sipas shifrave zyrtare pa u infektuar patjetër 70 përqind e popullsisë. Në Singapor madje nuk ishte e nevojshme as të kufizohej jeta publike sepse u izoluan në mënyrë konseguente rastet e dyshimta qysh në fazën e hershme.

Nëqoftëse Gjermania do të zgjidhte rrugën e imunitetit të tufës, atëherë do të duhej të infektoheshin sipas vlerësimeve të deritanishme 50 milion njerëz. Nëqoftëse infeksioni do të shkaktonte një përqind vdekshmëri , atëherë do të vdisnin 500.000 njerëz. Nëqoftëse sejcili prej jush do të jetonte pa u infektuar edhe një vit me shëndet të plotë, atëherë, sipas formulës holandeze do ia vlente investimi prej 30 miliardë euro. Cfarë do të ndodhte pasi të mbaroheshin këto lekë? Do ta lëmë epideminë të vazhdojë punën e saj?

Britania e Madhe dhe Holanda u larguan ndërkohë nga rruga e imunitetit të tufës. Ky largim ndodhi para së gjithash nën presionin e njerëzve të cilët nuk donin të ishin minj laboratori në këtë eksperiment kaq të rrezikshëm./ Përktheu nga Der Spiegel, për Konica.al, Mihallaq Zilexhiu