MENU
klinika

Mos e neglizhoni!

Të jetosh me psoriazë! Fakte që duhet t’i dish

30.09.2018 - 15:15

Të jetosh me psoriazë do të thotë që ju keni edhe risk më të madh për të patur probleme shëndetësore të tjera.

Po pse ndodh kjo? Psoriaza prek vetëm lëkurën?

Në fakt jo sepse ai shkaktar që shkakton inflamacion të lëkurës mund të shkaktojë inflamacion në të gjitha organet.

Por nëse ju bëni një jetë të shëndetshme dhe merrni medikamentet e duhura atëherë ndërlikimet do të jenë shumë pak.

Po cilat janë këto ndërlikime?

Artriti psoriatik

A ju dhembin kyçet? A janë ato të enjtura apo të nxehta? Ky tip artriti mund të prekë shumë njerëz. Ju duhet të shkoni tek mjeku nëse ndjeheni më të lodhur se zakonisht ose keni dhimbje në artikulacione sepse nëse i injoroni ato mund të lënë dëmtime të përhershme.

Sëmundje të zemrës

Njerëzit që vuajnë nga psoriaza kanë tre herë më shumë risk për të patur atak në zemër sepse inflamacioni që prek lëkurën do të dëmtojë edhe enët tuaja të gjakut duke çuar në dëmtime të zemrës dhe të trurit.

Ndaj ju duhet të jeni të kujdesshëm me kontrollin e tensionit, kolesterolit, të ndaloni duhanin, të ushtroheni çdo ditë 10-30 minuta me një aktivitet mesatar dhe të ushqeheni shëndetshëm.

Obeziteti

Fëmijët dhe adultët me psoriazë janë më të prirur për të shtuar në peshë. Por ky kthehet në një rreth vicioz pasi obeziteti nga ana tjetër e shton dëmtimin e lëkurës dhe shton inflamacionin.

Kështu që të biesh në peshë është me përfitim të dyanshëm pasi edhe ilaçet për psoriazën do të veprojnë më mirë.

Depresion

Personat që vuajnë nga psoriaza kanë dyfish risk që të sëmuren nga depresioni. Ekspertët mendojnë se kjo lidhet me faktin që i njëjti shkaktar që shkakton inflamacionin në lëkurë shkakton edhe inflamacion në tru.

Nëse ju ndiheni “jo mirë” për më shumë se dy javë atëherë duhet të këshilloheni me mjekun.

Diabeti tip 2

Inflamacioni që dëmton lëkurën shkakton një pamundësi të qelizave për të kapur sheqerin dhe kështu kjo rrit nivelin e glicemisë duke na çuar në diabet tip 2.

Nëse jeni me psoriazë ju duhet patjetër të kontrolloni gliceminë në mënyrë të rregullt.

Sindromi metabolik

Ndonjëherë ju mund të keni të gjitha problemet së bashku si diabetin, obezitetin, tensionin e lartë dhe kolesterol të lartë. Gjithë këto sëmundje përfshihen në atë që quhet sindromi metabolik.

Personat që vuajnë nga psoriaza kanë më shumë risk për të patur sindromin metabolik.

Sëmundja e zorrës e quajtur “Sëmundja Crohn”

Kjo sëmundje ka në bazë të saj inflamacionin njëlloj si psoriaza bile kodohen nga të njëjtat gene, mendojnë ekspertët. Nëse keni dhimbje, krampe dhe diarre me gjak konsultohuni sa më shpejt me mjekun tuaj.

Probleme me syrin

Personat me psoriazë kanë më shumë risk që të sëmuren nga sëmundjet e syrit, sidomos ata që vuajnë nga artriti psoriatik.

Uveiti është ajo sëmundje kur kemi inflamacion brenda syrit duke çuar në probleme të tilla si dhimbje të syrit, skuqje, ndjeshmëri të shtuar ndaj dritës së diellit dhe duke shkuar në disa raste deri në verbim. Nëse filloni të keni shqetësime me shikimin kontaktoni direkt mjekun.

Sëmundje tumorale

Lidhja e psoriazës me kancerin nuk është shpjeguar ende. Por persoant me psoriazë janë më të prirur të preken nga kanceri i mushkërisë, kanceri i lëkurës jo-melanoma, kanceri i lëkurës, limfoma etj.

Përdorni kremin për t’u mbrojtur nga dielli gjatë gjithë vitit. Akoma nuk është sqaruar nëse është proriaza vetë apo mjekimet që mund të rrisin këtë risk.

Sëmundje të mëlçisë dhe të veshkave

Janë dy organe që preken nga inflamacioni njëlloj si lëkura. Në mëlçi shkakton deri në steatozë të saj. Ndaj kontrollet periodike duhet të përfshijnë edhe këto organe.

Osteoporozë të kockës

Duke u moshuar kockat bëhen më të varfra dhe më të thyeshme. Shumë studime nuk kanë gjetur ndonjë lidhje midis psoriazës dhe osteoporozës.

Por personat që vuajnë nga osteoporoza kanë kocka shumë të ndjeshme dhe fragile dhe thyhen më shpejt duke dhënë fraktura.