MENU
klinika

Dinastia e Blinishtëve

Familja e fuqishme feudale

24.03.2020 - 06:55

Blinishtët ishin një familje e fuqishme feudale. Hynë në historinë e Shqipërisë së Mesjetës me tre pinjollë të denjë të tyre që janë Vllado, Guljelmi dhe Kalojani.

Profesori Nikollë Loka thotë se dhe pse Vllado përmendet i pari në dokumentet historike ai nuk mund të jetë themeluesi i Derës Princërore të Blinishtëve, pasi në dokumentet anzhuine të vitit 1272 flitet për një familje të fuqishme feudale, ku hyjnë dhe Blinishtët dhe fuqizimi i një familjeje duhet të ketë pasur kohën e vet.

Në 1 dhjetor të vitit 1274 në traktatin midis Narjon de Toucy dhe aristokratëve arbërorë, Vllado do të mbante titullin “Miles”(kalorës). Në fillim të shekullit XII ky titull përdoret për të emërtuar klasën e fisnikëve. Po në të njëjtin vit ai do të quhet nga dokumentet bizantine si stratiot bizantin dhe më vonë në shërbim të serbëve do të marrë titullin “kaznac” që në Serbinë mesjetare u jepej zyrtarëve të rëndësishëm që merreshin me financat.

Ishte karakteristikë e kësaj kohe që princërit shqiptarë të bënin aleancë sipas interesave të tyre politike. Por të gjitha aleancat e prishjet e tyre do sillnin dhe viktima. Vetë Vllado do burgosej së bashku me të birin në Brindizi.

Pas rregullimit të marrëdhënieve mes anzhuinëve dhe princërve arbërorë në vitin 1304, Filipi i Tarentit do ta lirojë Vlladon nga burgu dhe do e kthejë në Mbretërinë Shqiptare duke e dekoruar me Comitatus Honore dhe duke e ngritur mbi të gjithë fisnikët arbërorë.

Me sundimin e anzhuinëve fisnikët arbërorë filluan të imitojnë në çdo gjë oborret aristokratike evropiane dhe kërkuan të kenë lidhje të drejtëpërsëdrejtë me Papatin. Vllado zhduket nga skena politike, para se familja Blinishti të shuhet nga analet historike. Me shumë mundësi duhet të ketë vdekur.

Guljelm Blinishti ishte djali i Vllados. Përmendet për herë të parë në burimet historike vetëm në vitin 1304. Emri i tij tregon që ai ka lindur në periudhën kur i ati kishte hyrë në marrëdhënie me anzhuinët, pra ndoshta pas vitit 1274. Guiljelmi ishte i burgosur bashkë me të atin në Brindizi. Lirimi i tyre nga burgu u shoqërua dhe me një marrëveshje, sipas së cilës fisnikët arbërorë do të fitonin më shumë rëndësi në përbërjen e Regnum Albanie.

Guiljelmos iu dha titulli më i lartë ushtarak, Mareshall i Mbretërisë së Arbërisë, pra komandant i forcave anzhuine të Arbërisë. Këtë detyrë të lartë ai e mbajti për 14 vjet rresht deri në vitin 1318, duke u zëvëndësuar nga Andrea ose Tanush Muzaka. Në vitin 1319 filloi lufta e arbërorëve kundër serbëve. Pas kësaj lufte që zgjati deri në vitin 1336, emri i Guiliermit nuk përmendet më.

Sipas albanologut kroat, Shuflaj, familja ishte zhdukur gjatë luftës kundër serbëve dhe rivalëve të tyre dukagjinas. Por figura e Gujliermit mbetet një ndër figurat më të shquara të arbërve dhe emri më i madh i dinastisë Blinishti.

Kalojan Blinishti ishte një tjetër kont i Regnum Albanie. Ai përmendet në letrën Papale dhe sipas një dokumenti të shtatorit të vitit 1304 është vëllai i Vllados. Ai mbajti titullin kont gjatë viteve 1304-1319. Pavarësisht se nuk ishte më i shquari nga Blinishtët ai la më shumë gjurmë se të tjerët.

Gojëdhënat e vendit tregojnë se ai mbeti i vrarë në Geziq, jo larg Blinishtit, ku një lagje u pagëzua me emrin e tij dhe një urë dhe një krua mbajnë po emrin e tij.

Blinishtët u zhdukën shpejt nga historia siç ndodhi dhe me familja të tjera feudale arbërore. Të dhëna për humbjen e tyre nuk ka. Por për atë periudhë të shkurtër që jetuan, lanë gjurmë të thella në historinë shqiptare.