Sipas studiuesit të njohur Moikom Zeqo, krishtërimi tek shqiptarët është i vjetër, i kohës apostolike që në fjalë më të thjeshta do të thotë përpara krijimit institucional të kishave dhe kanuneve liturgjike. Krishtërimi pati dy qendra të rëndësishme, dy qytete ilire atë të Salonës në Dalmaci dhe qytetin e Durrësit ku ka apostoluar Shën Pali dhe ku në vitin 57 para Krishtit ka patur një komunitet të krishterëve të parë.
Por një nga historitë më të bukura apostolike është kulti i Shën Vladimirit.
Ç’përfaqsonte kulti i Shën Vladimirit?Dhe pse kulti i tij nderohej nga shqiptarët?
Studime shumë të vlefshme ka bërë albanologu kroat, Shuflai.
Sipas Shuflait kulti i Gjon Vladimirit përbën një nga kultet më të mëdha të krishtera për gjithë Ballkanin, ky kult është i çuditshëm dhe i pastudiuar deri në fund, nuk ka ende një studim përfundimtar dhe shterues. Ky kult i cili ka lëvizur vetëm në qarkun etnik shqiptar, brenda për brenda mjedisit shqiptar megjithatë është nderuar edhe nga sllavët e Jugut, edhe nga serbët e maqedonët edhe nga kroatët.
Sipas Shuflait, Gjon Vladimiri ka qenë një nga legjendat më të mëdha dhe më të rëndësishme të Ballkanit.
Ai ishte princi i krahinës së Krajës pranë Ulqinit, një popullsi iliro-shqiptare e kahershme në shekullin XI. Historia tregon se cari e vrau në mënyrë të pabesë Gjon Vladimirin, ndaj shqiptarët e Krajës e shpallën shenjtor të tyrin. Gjon Vladimiri u shenjtërua jo nga kishat por në mënyrë popullore dhe në mjedis tërësisht shqiptar. Pas vdekjes, eshtrat e Gjonit u ruajtën në kishën “Virgjëresha e Krajës” deri në vitin 1215 dhe më pas u vendosën në Durrës ku nderoheshin eshtrat e tij si nga besimtarët e kishës lindore dhe asaj perëndimore.
Sipas studiuesit të njohur, Moikom Zeqo, do të ishte një nga princërit më të rëndësishëm dhe më të kulturuar të shekullit XIV, Karl Topia që në vitin 1311 do të merrte eshtrat e Gjon Vladimirit dhe do i vendoste në kishën që ai ngriti dhe ndërtoi, bashkë me manastirin e famshëm që do të bëhej një nga qendrat kulturore më të jashtëzakonshme për shqiptarët.
Në këtë manastir në krye të vendit do të vendosej sarkofagu madhështor që mbante brenda eshtrat e Gjon Vladimirit, i rrethuar me afreske ku tregoheshin bëmat e shenjtit. Në fondin e dorëshkrimeve të manastirit kishte kodikë, shënime arkivore, libra psallmikë dhe poezi në disa gjuhë për kultin e Shën Vladimirit.
Kisha u dogj nga gjermanët në 1944 dhe kjo pasuri kulturore u zhduk. Mbeti vetëm emblema e stemës heraldike e Karl Topisë dhe mbishkrimi tri gjuhësh i Karl Topisë që gjendet e ekspozuar në Muzeun Kombëtar.
Ajo që dihet nga historia është se Karl Topia ishte një princ katolik. Pse ai ndërtoi një manastir të ritit ortodoks?
Përgjigja është e qartë. Ai që atëherë kishte idenë e një kishe të përbashkët. Dhe për këtë ai përdori tri qendra të rëndësishme të këtij shenjti: Krajën shqiptare, Durrësin shqiptar dhe Elbasanin shqiptar. Dhe kjo ka një domethënie shumë të madhe.
Në shekullin XVIII do të ishte ikonografi gjenial Kostandin Shpataraku që do realizonte ikonën e Gjon Vladimirit. Kjo ikonë ka në qendër princin e Krajës, Gjon Vladimirin, i cili mban në dorë kokën e tij të prerë dhe 12 skena rreth figurës qendrore. Për fat të mirë ai do realizojë edhe portretin e Karl Topisë që është i vetmi portret historik që kemi nga shekulli XIV.