Para një shekulli, në 1920 jugu i Shqipërisë ishte pra një konflikti midis feve myslimane dhe të krishtere (luftë fetare) dhe pushtuesve që kishin bllokuar atë, italianëve dhe grekërve si dhe sundimit të dikurshëm turk në mendësi. Të dyja këto shtete gjenin mënyra për ta insturmentalizuar Jugun e Shqipërisë që ta kishin më të lehtë për ta futur në zotërimin e vet. Për këtë problem u ngrit dhe komiteti ‘’Mbrojtja Kombëtare’’, e cila donte të luftonte këto ndasi, pushtimin dhe t’i bashkohej si njësi qeverisë kombëtare të dalë nga Kongresi i Lushnjës. Një një letër ky komitet shpreh gjendjen e krijuar në qytetin e Përmetit, Këlcyrës, Leskovikut e Kolonjës.
Letër informative e përfaqësuesit të komitetit ‘’Mbrojtja Kombëtare’’ të Përmetit, paraqitur kryesisë së Këshillit të Ministrave mbi gjendjen politike të Shqipërisë së Jugut dhe masat që duheshin marrë.
Meqë memorandum që dhashë në Këshillën Ministriale më datë 24.3.1920 nuk shpjegonte plotësisht hollësirat e duhura, prandaj paraqes këtë të dytin, me të cilin, besoj, jap mjaft kuptim pikë për pikë, ku tregoj gjendjen e brendshme, të jashtmen dhe masat e duhura për Shqipërinë e Jugut.
Gjendja e brendshme:
- Në Shqipërinë e Jugut [nga] shkaku se që në kohë të Greqisë ngjajnë shumë goditje dhe keqbërje midis dy elmenetëve të shtytur nga greku, si dhe në kohë të Turqisë të shtypur nga turku, ashtu pra midis dy elementëve të vendit është një mosmarrëveshje dhe armiqësi personale:
- Dhe tashti në kohërat e qeverimit italian kjo armiqësi dhe mosmarrëveshje midis dy elementëve të vendit, jo vetëm që s’pushoi, por përkundrazi, u shtua më tepër, se kështu ia donte interesi Italisë. Më një anë shtynte muhamedanët të sillen keq kundër të krishterëve, t’i vrasin, t’i rrjepin dhe t’u bëjnë ç’mundin, pa u ngarë nga qeveria italiane, nga ana tjetër i këshillonte të krishterët të mos bashkohen me turqit!! (me anë të agjentëve të tyre)se janë barbarë, po të shpresojmë dhe të bëjmë durim sa të vijë greku në ato vise etj.
- Populli i krishterë i atyre viseve, me të vërtetë ka pasur keq nga elementi mysliman, se janë dokumenta të paharruara dhe është e tepër t’i përmendim (po edhe myslimanët në kohë të Greqisë vuajtën prej të krishterëve), dhe kërkon me fakte t’i provohen dhe t’i sigurohen rrojtja e tij, njësia, drejtësia dhe bashkëpunimi me shtetin shqiptar. E provojnë që kombësinë s’e mohojnë: po shkaqet e sipërme i shtrëngojnë të bashkohen kombmohonjës dhe të kërkojnë dhe tashti mbështetje gjetkë(ashtu duan të thonë)
- Elementi mysliman mbasi e kuptoi dhe e mori vesh mirë rrezikun e përgjithshëm të Shqipërisë, u pendua për gabimet që ka bërë, dhe që sot Atdheu ka nevojë për një bashkim të përgjithshëm , mori ndjesë dhe dëshiron si e si të vijë bashkimi i përgjithshëm midis dy elementëve për të mirën e Shqipërisë.
- Nacionalistët shqiptarë, të krishterë dhe myslimanë (pa u marrë vesh ndër ato vise pregatitjet e Kongresit Kombëtar të Lushnjës), pasi panë indiferencën e situacionit politik dhe pasi erdhën në marrëveshje të plotë me popullin e krahinavet Përmet, Këlcyrë dhe me dëshirë të përgjithshme formuan Komitetin ‘’Mbrojtja Kombëtare’’ me qëllim të mbrojë me çfarëdo mënyrë tërësinë tokësore të Shqipërisë dhe më shumë kufirin e jugut, ku është rreziku më i madh dhe forcimin e solidaritetit kombëtar.
- Komiteti ‘’M.K’’ finaciarisht mbahet prej popullit duke paguar çdo banor i çdo fshati 4-5 franga italiane,
Komiteti ‘’Mbrojtja Kombëtare’’ ka për të marrë statistikën e njerëzve meshkuj që më 18 gjer 45 vjeç, ka për të marrë statistikën e armëve që ndodhen nëpër popull, modelin e armës, emrin e të zot, dhe shumën e fishekëve.
Komiteti mejtohet për qetësinë e vendit.
Komiteti përfaqëson sot për sot qarqet: Përmet, Këlcyrë, Leskovik dhe Kolonjë.
Komiteti ndihmoi 2400 franga italiane ushtrinë e qeverisë së re, kur po përgatitej në formim prej Kasem Radovickës, dhe është gati t’i ndihmojë qeverisë me një shumë që munde, në është se qeveria pranon proponimin e komitetit që kemi shënuar në memorandumin e parë të datë 24.3.1920
Komiteti bëri gati çeta kundër keqbërësve, me rrogë të përmuajshme 300 fr italiane, pasi i dha notë prefektit të Gjirokastrës që ‘’nga moskujdesja e qeverisë së parë për qetësinë e vendit, populli e shikon fatin e tij vetvetiu’’.
Çetat e Përmetit, me të ngritur gjendarmëria e qeverisë së re, i pushoi që ështu t’i jepej rëndësia qeverisë dhe jo komitetit (të Kolonjës janë edhe në veprim).
- Përshtypja e popullit mbi qeverimin e ri ndahet në dy pjesë: gëzim dhe dëshpërim.
Gëzimi është ai që ndjeu elementi mysliman dhe i nacionalitëve të krishterë, që s’marrin përparasysh fenë, po kombësinë.
Dëshpërimi është ai që ndjeu elementi i krishterë, që ditën që shkeli qeveria e re, nga këto ngjarje:
Komiteti dhe shumica e pjesës intelektuale myslimane qëkurse vendosi formimin e komitetit, bëri një propagandë se të gjitha këto keqbërje rrjedhin nga propaganda italiane edhe u ish zotuar se me ardhjen e qeverisë thjesht shqiptare, do të ndryshojë puna krejt, dhe adminsitrata e këtij vendi do të jetë në sistemin e dëshiruar prej të dy elementëve, do të mbretërojë njësia dhe drejtësia për të gjithë dhe shumë më të tjera premtime të drejta.
Me këtë mënyrë shumë fshatra thjesht të krishtera, pa përdorur ndonjë forcë, po vetvetiu erdhën dhe kërkuan bashkimin me komitetin dhe duke paguar shumën e caktuar ndihmë për komunitetin.
Tani pra, porsa është përbërë thjesht myslimane, kjo bëri përshtypje të keqe dhe të krishterët ndodhen në dyshim, nga ana tjetër janë gjithë ata personat e njohur të armiqësimit që në kohë të grekut e gjer sot.
Tani pra ka dalë një zë që thotë: ‘’mirë na këshillonin të huajt se Shqiptarët myslimanë na përkëdhelin me fjalë, gjersa të na futin në kllapë’’
(Dijeni që Italia, posa mori vesh që qeveria e re do të dërgonte gjendarmërinë e saj, deshi të amatoste shumë fshatra të krishtera për t’i kundërshtuar fuqisë shqiptare, mirëpo, të krishterët s’e pranuan atë kohë dhe nga ana tjetër komiteti mori masat e duhura dhe s’u mbarua ky qëllim i rrezikshëm).
Gjendja e jashtme
- Gjer më sot s’është marrë vesh ndonjë lëvizje nga ana e Greqisë, megjithëse komiteti po e vëzhgon me vërejtje këtë pikë, veçse një person nga Gërmenji i Leskovikut u duk me 11 shokë në Rehovë të Kolonjës dhe gjer në Lëngëz, dhe komiteti, pas dëshirës së popullit të Kolonjës, pranoi kryetarin e një çete me 30 veta për të ndjekur këta njerëz të pandehur si komita të grekut dhe për qetësinë e vendit, gjersa ta marrë forcën qeveria jonë.
- Të quajturit deputetët e Epirit, siç morën vesh, paskan hequr një telegram nga Janina në Konferencën e Paqes kësisoj: ‘’Nuk e mohojmë se shumica e atyre viseve s’janë shqiptarë, po shkaku që s’mundin dot të rrojnë me turqit, kërkojnë sundimin grek’’ (shfaqin dhe ca dokumente të ca vrasjeve, rrjepjeve dhe grabitjeve pikë më pikë).
- Masat e duhura:
Komisioni ekzekutiv i Komitetit ‘’Mbrojtja Kombëtare’’ që i sheh punërat e gjendjes për së afërmi dhe që për këto qëllime u formua dhe mbi këto pika po vepron sot, dhe gjersa ta lypë nevoja e këtij programi:
1) Për të siguruar me fakte besimin e të krishterëve që mundin të rrojnë me shtetin Shqiptar, për të përkëdhelur dhe për të pushuar gjakrat e egërsuara midis dy elementëve për të sjellë bashkimin e përgjithshëm për të cilin kemi nevojë të madhe dhe për të përgënjeshtruar të gjitha ngjarjet e gjerësotme që kanë rrjedhur nga propaganda e huaja, duke përdorur si vegël popullin e paditur shqptar.
2) Për këto mendoj të gjejë barin e kësaj sëmundjeje të trupit të kombit shqiptar, dhe duke e dërguar delegatin e tij me fuqi të plotë për t’u marrë vesh pranë qeverisë qendrore përmbi pikat që shënuam në memorandumin e parë: po me këtë shtojmë dhe këtë pikë:
Komiteti ‘’Mbrojtja Kombëtare’’ të përkrahet nga ana e qeverisë dhe të ketë të drejtë për nënpunësit e nevojshëm të mbajnë armë, dhe të jetë indipedent në rregullimin e tij, po kurdoherë i bindur dhe në marrëveshje me qeverinë e programin e tij.
3)Këto masa është nevojë qeveria t’i marrë parasysh dhe t’i vërë në praktikë pa humbur kohë; dhe jo vetëm këto, po sot për sot duhet dhe është [e nevojshme] që qeveria, për të mbaruar qëllimet e saj të shenjta, të përdorë çdo dhelpëri, se kështu bindet populli i paditur për të shpëtuar nga çdo rrezik çështjen kombëtare.
Prandaj Shkëlqesi,
Të keni shpirtmirësinë e Atdheut dhe kësaj çështjeje me rëndësi t’i jepni fund, se e do nevoja e vendit për çështje më shumë politike për shpëtimin e Atdheut.
Shkëlqesi,
Mua të më jepet përgjigja e këtij misioni sa më shpejt, se jam i porositur të kthehem sa më shpejt, duke shpënë përgjigjen e kësaj barre që m’u ngarkua me shpjegime të plota, që ashtu të jem në rregull, me shpresë se Shkëlqesia juaj këtij misioni do t’i jepni rëndësinë që meriton dhe përmbarimin, pa e lënë kurdoherë nën urdhrin e qeverisë sime.
Delegat i Komitetit ‘’Mbrojtja Kombëtare’’ Spiro Kosova
AQSH i RPSH