Luan Rama
Një nga tregimet më interesante, aq sa duket dhe si legjendë, dhe që lidh anzhuinët me shqiptarët, është dhe ajo e Tanush Topias, “Comte de Durrës” dhe lidhjes së tij me Helenën franceze, bijë e familjes mbretërore d’Anjou.
Këtë histori na e përmend dhe albonologu i njohur, bizantologu Alain Ducellier, i cili duket se e beson si të vërtetë dhe që ashtu duhet të jetë, besoj, meqë emblema e Topiajve e vërteton këtë. Tanushi e kishte parë Helenën për herë të parë në kështjellën e Durrësit, kur ajo kishte ardhur me një anije, vetëm sa për të kaluar një mbrëmje, gjersa furtuna në det të pushonte dhe për t’u nisur pastaj brigjeve të Greqisë, ku e priste i fejuari i saj frëng, princ i ishujve të Moresë. Thuhet se ajo ishte bionde dhe një bukuroshe e ashpër nga krahina e Anjou-së.
I ndezur nga dashuria për të, që atë mbrëmje, ai e rrëmbeu francezen me pasionin e tij. Ajo e pëlqeu menjëherë princin e pashëm arbëror dhe nuk pranoi të vazhdonte udhëtimin e nisur drejt Greqisë. Një vendim i habitshëm, por i vërtetë. Pra kjo histori reale përshkruhet dhe në Kujtesën apo Memorien e Gjon Muzakës, e shkruar në vitin 1510, në vitin e vdekjes së këtij princi mjaft të njohur dhe bashkëkohës i Skënderbeut.
Në këtë “memorie” të gjetur nga Hopf dhe të botuar në librin e tij Kronika greko-romane (Chroniques Gréco-Romanes) në vitin 1873, përshkruhet gjenealogjia e familjes së vjetër të Muzakajve, si dhe lidhjet familjare përmes krushqive të disa prej princave më të njohur të kësaj epoke disashekullore, të cilët luftuan së bashku kundër dyndjeve osmane, apo ndaj dyndjeve sllave që vinin nga veriu. Në këtë Memorie shkruhet se: “Mbreti Robert, që ishte mbret i Napolit, i dërgoi vajzën e tij bastarde, Helenën, princit të Moreas, që ai të martohej me të, mirëpo në det u bë një furtunë e madhe, çka e shtyu anijen drejt Durrësit, ku ata qëndruan disa ditë e në këtë mënyrë, Andrea (apo Tanushi në disa të dhëna të tjera historike) ra në dashuri me zonjën që përmendëm dhe ajo u bashkua me të. Të dy ishin dakord që të jetonin së bashku.
Kështu ata lindën dy djem: i pari u quajt zoti Karl dhe i dyti, zoti Gjergj…”
I dërguari i mbretit të dinastisë anzhuine në Durrës, guvernatori francez, më kot e kërcënoi se mbreti në Napoli do t’i dërgonte ushtrinë dhe do t’ia digjte të gjitha pronat. Por çifti tashmë jetonte ditët e një lumturie të madhe.
Tanush Topia shpalli dasmën dhe thirri gjithë princat shqiptarë. Një vit më vonë u lindi një djalë, që Helena e quajti Karl (Charles), në kujtim të stërgjyshit të saj.
Mbreti nuk guxoi të sulmonte Durrësin me flotën e tij. Ai e dinte që princi shqiptar do të gjente mbështetjen e princave të tjerë dhe betejën do ta humbte e bashkë me të, mbase dhe mbretërinë. Shumë vite do të kalonin dhe më së fundi, mbreti anzhuin do t’u çonte mesazhe miqësie dhe i ftoi ata të shkonin në pallatin e tij, në Napoli. Një ditë, Tanush Topia dhe Helena e bukur do t’i hipnin anijes dhe do të niseshin nëpër Adriatik drejt Napolit.
Mbret Roberti u kishte çuar fjalë se i kishte falur dhe se në Napoli po përgatiteshin festimet e pritjes së princit shqiptar. Helena përpiqej të imagjinonte se si do të ishte ky takim me të atin. Ajo e njihte mirë zemëratën e tij dhe shpresonte se pas kaq vitesh, mllefi i tij qe shuar dhe ndoshta tashmë me siguri ai do kishte mall jo vetëm të shihte atë, por dhe Karlin e vogël, që mbante si kujtim emrin e të madhit Charles.
Por Karli i vogël, ky pinjoll i lindur nga historia e një rrëmbimi, apo i një dashurie të nëmur, me gjak shqiptar e gjak francez, nuk do t’i ndiqte prindërit e tij. Disa thonë se ai kishte mbetur në kështjellë. Në Memorie-n e tij, Gjon Muzaka shkruan gjithashtu se “Duhet ta dini se në atë kohë, mbreti Robert e grishi të bijën dhe dhëndrin në shtëpinë e tij në Napoli dhe i vrau të dy për veprën që kishin bërë, dhe djemtë që thamë, u arratisën dhe erdhën në vendin e tyre. Pastaj, ky djali i quajtur Karl Topia u martua me zonjën Vojsava, bija e Balshës, e cila bëri një djalë me emrin Gjergj dhe ishte ky ai që ua la Durrësin peng venedikasve dhe vetë vdiq pa trashëgim… ”
Siç mund të konstatojmë, një histori tjetër thotë se ata i lanë fëmijët e tyre në Durrës dhe nuk i morën me vete në Napoli. Një ngjarje pa dyshim e jashtëzakonshme që i jep ngasje imagjinatës, si në këngët tragjike të Antikitetit…
Në Napoli, Topia dhe gruaja e tij Helenë, u pritën me nderime të mëdha dhe ceremonia vazhdoi gjer natën vonë. Ata nuk e dinin se po kalonin natën e fundit të jetës së tyre.
Mbreti urdhëroi t’i vrisnin që të dy dhe në mëngjes, kufomat e tyre u zhdukën. Rrëmbimi i Helenës, si në teatrot klasike greke, përfundoi me një tragjedi të tmerrshme.