170 vjet më parë, pikërisht në mes të qershorit të vitit 1847-t, 200 kuçiotë me në krye heroin legjendar Zenel Gjoleka u ngritën me armë kundër xhelepexhinjve, funksionarëve turq që vilnin taksat e Perandorisë Osmane. Do të ndesheshin trup më trup me forcat e xhandarmërisë dhe do të jehonin pushkët, siç e ka pasur gjithmojnë zakon shqiptari.
Dhe në fakt kjo nuk do të ishte veç zjarri i një prej lëvizjeve më të njohura të popullit shqiptar kundër fermanit të Gjylhanesë, e njohur në Shqipëri si lëvizjet e Tanzimatit. Këto kryengritje nuk do ishin gjë tjetër veç shtytja fillestare që do çonte më pas në rrëzimin e Perandorisë Osmane mbas disa dhjetëvjeçarësh. Pra perandoria Osmane hasi në një terren të vështirë dhe do fillonte të tatëpjetën drejt perëndimit të saj.
Studiuesi i njohur Jorgji Meksi (në Revistën politico-ushtarake, Tiranë 1977) do të shkruante se vatër e kryengritjes u bë e gjithë krahina në veri të Delvinës e cila përfshinte Kurveleshin dhe Himarën dhe më pas do përhapej në Labëri, Mallakastër e Çamëri. Pra me fjalë të tjera gjithë Toskërinë.
Duke parë këtë përhapje masive të kryengritjes e cila shpejt mund të përfshinte gjithë zonat shqiptare Porta e Lartë urdhëroi kryetarin e armatës së Rumelisë, Mehmet Reshit Pashën të ndërmerrte një fushatë ndëshkimore ndaj kryengritësve. Mehmet Reshit Pasha grumbulloi forca të shumta ushtarake dhe me një ushtri të fuqishme i bëri thirrje dhe krerëve të Veriut të grumbullonin ushtarë gegë e t’i drejtonin nga Ohri. Përveç forcave tokësore u angazhua dhe njësi detare nën komandën e Ahmet Pashës. Në Ohër u grumbulluan rreth 6000 ushtarë gegë.
I pajisur me forca të shumta ai i’u drejtua Beratit dhe Mallkastrës. Pas luftimesh të ashpra mundi të thyente qëndresën e forcave të Rrapo Hekalit, kaloi Vjosën dhe u ngjit në Grykën e Shushicës me qëllimin që të hynte në Kurveleshin e Sipërm. Kryengritësit i pritën me luftime të ashpra në Grykën e Shurit.
Qëndresa heroike e forcave të udhëhequra nga Gjoleka solli dështimin e komandantit turk. Duke pësuar një humbje të konsiderueshme dhe nga përkeqësimi i kohës komandanti turk u tërhoq në Himarë dhe ndenji në pritje të përforcimeve. Ai vendosi të hynte në Kurveleshin e sipërm nga jugu, duke e ndarë ushtrinë në dy kolona, që do bashkoheshin në lumin e Kardhiqit, dhe prej andej do të zinin Picarin e Kolonjën dhe do të ngjiteshin në Golem e Progonat, për ta shuar kryengritjen në djepin e saj. Po edhe ky plan dështoi. Kolona që vinte nga Gjirokastra nuk arriti në Kardhiq, pasi u pengua nga luftëtarët e zonës së Kardhiqit. Kurse kolona tjetër, pas luftimesh të përgjakshme në fshatrat Palavli e Kamenicë me forcat e Hodo Nivicës e Halim Çaparit, mundi ta kalonte qafën e Skërficës dhe të arrinte në Zhulat. Por malet e Kurveleshit, që ngriheshin kërcënueshëm përballë, e bënë serasqerin ta ndryshonte planin dhe të mos i niste forcat kundër tyre, në ato çaste.
Komandanti turk që kishte vrarë e prerë koka shqiptarësh këtë radhë dështoi. Ndaj si në të gjitha luftërat u mundua të përdorte dredhinë. Ai shpalli amnisti për të gjithë pjesëmarrësit në kryengritje dhe më pas i preu në besë duke i vrarë ata.
Zeneli, ky trim me fletë
Një nga udhëheqësit më të spikatur në këtë qëndresë të shqiptarëve të Toskërisë ishte Zenel Gjoleka. Ai lindi në Kuç në vitin 1805. Ka një jetë me të vërtet interesante dhe një veprimtari patriotike për t’u shënuar. Ai u shkollua në gjimnazin e famshëm “Zosimea” të Janinës dhe ishte komandant në ushtrinë turke. Ai mori hak për vrasjen e gjyshit të Ismail Qemalit duke vrarë komandantin turk që e preu në besë, dhe nga ajo kohë do jetonte si i arratisur. Por do të merrte pjesë në të gjitha kryengritjet që ndodhën në vendlindjen e tij.
Kur filloi kryengritja kundër reformave të Tanzimatit 1847 ai do zgjidhet kryekomandant i forcave kryengritëse. Në krye të 300 kurveleshasve do çlirojë Delvinën e Butrintin duke bashkuar forcat e tij me ato të Çamërisë. Do të thyente në qafë të Muzinës përpjekjet e Ismail Pashës për rimarrjen e Delvinës dhe në korrik-gusht do të luftonte në Mallakastër së bashku me Rrapo Hekalin e Hodo Nivicën duke përballuar hordhitë osmane që mbërritën me në krye Reshit Pashën, duke penguar marshimin e tyre drejt Delvinës e Gjirokastrës.
Në gusht 1847 ai do të vërë nën kontroll të plotë hapësirën nga Çamëria, Delvina, Dropulli, Përmeti, Kurveleshi dhe deri në Vlorë e Berat duke nxjerrë dhe urdhra për ruajtjen e rendit dhe qetësisë. Pikërisht në këtë kohë ai do mbledhë kryengritësit e Delvinës, Vlorës, dy Mallakastrave me cilësinë e kryetarit të “Lidhjes Kombëtare Shqiptare” dhe do miratonin një memorandum që ia dërguan mbretit të Greqisë, konsujve të Rusisë, Francës e Austrisë, i firmosur nga 89 prijësit. Mbreti grek nuk e mbështeti lëvizjen kryengritëse shqiptare.
Në vjeshtë të po këtij viti kur forcat e Tafil Buzit dhe Rrapo Hekalit, nën presionin e forcave të mëdha osmane, u shpërndanë, Gjoleka tërhoqi forcat kryengritëse kryesore dhe i vendosi në brendësi të Labërisë për t’i mbyllur shtigjet hordhive turke. Pas një beteje të ashpër në Grykën e Kuçit ku u zhvillua një betejë heroike nga kryengritësit, pas shtypjes së saj Gjoleka së bashku me Tafil Buzin e kaluan dimrin në shpellën e Gjolekës, në mal.
Në 1848-ën do të bjerë rob në betejën e Trikallës dhe do të arrestohet e çohet në burgjet e Anadollit.
Pas amnistimit, Gjoleka do të marrë pjesë në krye të forcave labe në luftën kundër serbëve e malazezëve dhe do të vritet në një kurth në Kerstiq.
Zenel Gjoleka ishte një burrë me nam për trimërinë dhe zgjuarsinë e tij. Ishte një lab me sqimë, që e njihte mirë politikën dhe si të gjithë lebërit ishte një trim me fletë.
Pikërisht për trimërinë e tij ai u kthye në legjendë jo vetëm brenda kufijve shqiptarë por dhe jashtë saj.