MENU
klinika

James Barton

Shqiptarët, sa pak të sinqertë në fenë e tyre!

26.03.2020 - 06:34

Sa ishte i rrënjosur islami ndër shqiptarë? Si shiheshin nga të tjerët dhe si e shihnin vetën shqiptarët në shekullin e nëntëmbëdhjetë? Pyetje si këto trazojnë edhe sot e kësaj dite studiues e partizanë të njërit apo kampit tjetër, duke u mbytur në mosmarrëveshje të pafundme.

Portali Konica.al sjell për të parën herë në gjuhën shqipe shënimet e teologut amerikan James Barton (1856-1936). Si teolog nga Vermonti i Shteteve të Bashkuara, ai do t’ia kushtonte jetën studimit të popujve në Lindjen e Mesme në kapërcyell të shekullit të nëntëmbëdhjetë.

Vepra e tij ‘Daybreak in Turkey’, i mbushur anë e përtej me zhbirimet e tij vetjake, sjell vlerësime interesante për shqiptarët, kurdët dhe çerkezët që jetonin në skajet e Perandorisë Osmane.

Në vëzhgimet e tij, shqiptarët, çerkezët dhe kurdët dallonin prej turqve osmanë, sepse shumica e tyre ishin, më së shumti, gjysmë-muhamedanë.

“Druzët e Sirisë, kurdët në Turqinë lindore, dhe shqiptarët e Maqedonisë njiheshin si myslimanë nga sunduesit e tyre. Përderisa këta popuj kanë pak bindje fetare të çfarëdo lloji…edhe në ditët tona, nuk është e qartë se sa i sinqertë është muhamedanizmi ndër ta. Shumë njerëz që kanë qenë midis tyre, mendojnë se muhamedanizmi tek ta është sa për sy e faqe”, shkruan Burton.

Por përshkrimi minucioz i teologut amerikan është i jashtëzakonshëm.

Sipas tij, “shqiptarët në pjesën perëndimore të Turqisë evropiane, janë të aftë të mbështetin pretendimin si një nga racat më të pastra dhe më të moçme në Evropë”.

“Ata asnjëherë nuk kanë qenë plotësisht besnikë ndaj sulltanit apo ndonjë sundimtari tjetër, dhe duke zënë malet e thyera përgjatë kufijve perëndimorë të Maqedonisë, ata kanë gëzuar një liri të pazakontë. Ata janë luftarakë me profesion dhe trashëgimi, dhe priren me një përkushtim të thellë për gjuhën e tyre shqipe”, nënvizon Burton.

Duke folur për ndjenjat fetare ndër shqiptarë, ai shkruan se “shumica e kësaj race e kanë pranuar muhamedanizmin vetëm sipërfaqësisht”.

“Meqë Kurani në Turqi lejohet të qarkullojë vetëm në gjuhën arabe, dhe meqë vetëm pak shqiptarë e njohin këtë gjuhë, ata kanë njohuri të pakta për Islamin dhe mbase dashuri edhe më të paktë për të”.