MENU
klinika

Në total 31 të shëruar

Fituan luftën me koronavirusin, dalin nga Infektivi edhe 6 pacientë

27.03.2020 - 20:10

Gjashtë pacientë kanë lënë ditën e sotme spitalin Infektiv në QSUT, të shëruar nga COVID-19.  

Pas testit të dytë konfirmues në Laboratorin e Virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik që ka dalë negativ për të 6 pacientët është bërë e mundur edhe dalja e tyre nga Spitali infektiv.

Deri në këto momente të shëruar janë 31 persona që kanë fituar betejën e tyre me koronavirusin.

Megjithatë edhe pas daljes nga spitali, të shëruarit duhet të qëndrojnë të vetëkarantinuar edhe për 14 ditë të tjera.

“Sot 6 pacientë të shtruar në Infektiv janë kthyer në shtëpi. Në total deri tani janë 31 të prekur nga COVID-19 (në spital dhe të vetëizoluar) të cilët janë shëruar. Pacientët e shëruar duhet të qëndrojnë të vetëkarantinuar edhe për 14 ditë të tjera“, thuhet në njoftimin e Shëndetësisë.

Lajmin e mirë të daljes së 6 pacientëve nga Infektivi është përshëndetur edhe nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu e cila shpreh besimin e plotë se të bashkuar do ja dalim në këtë luftë që Shqipëria po zhvillon me koronavirusin.

Lajm i mirë! Gjashtë pacientë kanë lënë sot spitalin infektiv të shëruar nga COVID-19. Deri tani 31 qytetarë e kanë fituar betejën me sëmundjen e vështirë. FORCA ekipit të mjekëve të Infektivit“, shkruan Manastirliu në Facebook.

Pas 17 personave të shëruar që kanë lënë spitalin, mes tyre dhe pacienti zero, ditën e djeshme u konfirmuan edhe 14 raste të tjera pas kryerjes së testit të dytë që rezultoi negativ duke çuar numrin në total të të shëruarve në 31 persona. Nga këto 14 persona, 6 prej tyre lanë spitalin ditën e sotme, por që do të vijojnë të qëndrojnë në karantinë edhe për 14 ditë të tjera.

Shqipëria ndodhet në javën e tretë të karantinës dhe aktualisht deri në këto momente janë shënuar 186 raste të infektuar me koronavirus, mes të cilëve 8 kanë humbur jetën dhe 31 kanë fituar betejën e tyre me covid 19.