Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijeve, ka kërkuar ndryshimin e ligjit që detyron fëmijët mbi 6 vjeç të paguajnë biletë kur udhëtojnë me transportin publik.
Sipas tyre ky vendim bie ndesh me Kushtetutën por edhe me konventat në mbrojte të të drejtave të fëmijëve.
Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve e cilëson të patolerueshëm ligjin që detyron fëmijët mbi 6 vjeç të pajisen me biletë nëse udhëtojnë me transportin publik.
Bashkë-themelues i kësaj qendre, Altin Hazizaj, ka shtruar disa kërkesa:
“Ligji vjen nga ’98 dhe ndërkohë kushdo që ka kaluar ligjin në ’98, kushdo që ka bërë ndryshimin në atë ligj në 2014 nuk ka marrë për bazë nenin 54 të Kushtetutës që thotë fëmija gëzon mbrojtje të posaçme nga shteti.
Bie ndesh me disa nene të Konventës së të Drejtave të Fëmijëve, bie ndesh me lëvizjen e lirë të qytetarëve.
Komisioni i Veprimtarive Prodhuese të Kuvendit të Shqipërisë duhet me urgjencë të ndryshojë ligjin për transportin publik në Shqipëri dhe për të gjitha format e transportit sepse është e patolerueshme që fëmijët të paguajnë tarifë të njëjtë me të rriturit. Nuk ka asnjë vend të botës ku fëmija të paguajë tarifë të njëjtë me të rriturin.
Së dyti, kemi kërkuar nga qeveria shqiptare të dërgojë një udhëzim të menjëhershëm tek të gjithë kryetarët dhe këshillat bashkiakë ku tu kërkojë atyre që me urgjencë këshillat bashkiakë të marrin vendime në mbledhjen e ardhshme të këshillit kurdo kur ato e kanë që të përshjashtojnë fëmijët nga pagesa e tarifës së plotë”.
Prindërit, janë ata të cilët gjithashtu kanë kundërshtuar ligjin duke thënë se ndikon në buxhetin familjar.
Ndërkohë, Shoqata e Transportit Publik e ka justifikuar zbatimin e vendimit me kostot e larta të karburantit dhe mirëmbajtjes së mjeteve.