MENU
klinika

“Pellazgët kanë folur e shkruar shqip”

A vjen shqipja nga pellazgjishtja?

31.03.2020 - 06:57

Shumë studiues të huaj do të mbronin herazi teorinë që ilirët e kishin origjinën nga pellazgët dhe që gjuha shqipe aty i kishte rrënjët. Por do të ishin rilindasit tanë të mëdhenj që do e ngrinin në piedestal këtë çështje kaq të rëndësishme për të parët tanë. Ka shumë studiues shqiptarë që herë pas here në studimet e tyre të vyera e kanë mbrojtur këtë temë. Por këto teza ngrihen herë pas here si maja e një ajzbergu që herë zhytet e herë del në pah, por thesari i një gjuhe dhe pse e dokumentuar shumë vonë ka rrënjë shumë më të thella në historinë e të parëve tanë. Në një diskutim që ka mbi dy shekuj që ngulmohet, Konica.al do të sjell argumentet e fundit shkencore për të hedhur pak dritë mbi këtë çështje kaq të debatuar që s’dihet akoma pse shkenca jonë nuk e merr në konsideratë…

I pari që hodhi mendimin për prejardhjen e shqipes nga pellazgjishtja ishte filozofi gjerman G.V. Lajbnic. Në vitin 1709 ai shkruante se shqipja është gjuha e ilirëve të lashtë. Përcaktimi nga ana e gjuhëtarit të shquar F. Bopp se gjuha shqipe përbën një degë të veçantë në familjen e gjuhëve indo-evropiane, do tërhiqte vëmendjen e shumë studiuesve të huaj dhe shqiptarë. Ata fillimisht hodhën disa ide për prejardhjen e saj, por dy teza që ajo e ka prejardhjen nga pellazgjishtja dhe ilirishtja gjetën një mbështetje më të gjerë. Deri në gjysmën e dytë të shekullit XX mbizotëroi teza e prejardhjes pellazgjike të gjuhës shqipe. Arbëreshi Xhuzepe Krispi, në vitin 1831, në librin e tij “Shqipja mëma e gjuhëve” do të hidhte idenë e prejardhjes së shqipes nga pellazgjishtja.

Të gjithë autorët e Rilindjes Kombëtare si: De Rada, Kamarda, Skiroi, Sami dhe Naim Frashëri, P Vasa, J Vreto etj e mbështetën fuqimisht këtë tezë. S.Frashëri arriti të deklaronte se sikur të ngrihej një pellazg, ai mund të fliste me të si me një gegë a me një toskë. Deri në vitet 50 të shek. XX, kjo ishte e vetmja tezë e pranuar dhe e pasqyruar në tekstet shkollore.
Pas viteve 50 të shek.XX, me krijimin e institucioneve të para shkencore në Shqipëri e më pas, teza e prejardhjes pellazgjike filloi të mënjanohej. Ky mënjanim u përligj me mungesën totale të mbështetjes shkencore për këtë tezë. Pellazgjishtja u konsiderua si një ” gjuhë fantazmë ”. Ndërkaq filloi të marrë një mbështetje më të madhe teza e prejardhjes së shqipes nga ilirishtja. Kjo tezë gjeti një mbështetje më të gjerë nga studjues të huaj si: Thunmann, Leake, Xylander, Jokli, Miklosich, Meyer, Kretschmer, Pedersen, Cimochowski, Pisani, Katicic, Mihaesku etj. si dhe nga studiuesit shqiptarë Çabej, Domi, Ismajli, Demiraj, Ajeti etj. Teza e prejardhjes ilire pati edhe kundërshtarë si: Waigand, Seliscev, Bariç, Georgiev, Russu etj. të cilët nuk i shihnin shqiptarët si pasardhës të ilirëve, por si një popull endacak.

Bazament i fuqishëm në mbrojtje të kësaj tezë u bënë faktet historike. Nga të dhënat e autorëve antikë, Ilirët dokumentohen si banorë të hershëm të një treve të gjerë, duke filluar nga Istri në veri dhe deri në Gjirin e Artës në jugë; nga Adriatiku në perëndim deri tek lumi Vardar në Lindje, territor brenda të cili banojnë shqiptarët. Gjithashtu është pranuar nga historianët se nuk ka patur lëvizje masive të mëvonëshme të popullsisë së trojeve që banohen nga shqiptarët. Në mbështetje të kësaj teze u sollën dëshmi të rëndësishme arkeologjike, etnologjike etj. Por për ta vërtetuar plotësisht këtë tezë duheshin sjellë fakte gjuhësore, të cilat do të provonin vazhdimësinë ose bijësinë (filacionin) midis ilirishtes dhe shqipes. Prova të vazhdimësisë me shkrim midis ilirishtes dhe shqipes nuk u arrit të siguroheshin. Shqipja dokumentohet mjaft vonë, aty nga shek.XV. Mbetej të zbuloheshin përqasje midis ilirishtes dhe shqipes përmes gjuhës së folur.

Kjo mund të arrihej përmes krahasimit të emërtimeve të vjetra: emra vendesh, malesh, lumenjsh, fisesh, njerëzish me shqipen e sotme. U evidentuan një sasi e konsiderueshme emërtimesh të ndryshme të cilët shëmbëllenin me të njëjtat emërtime në gjuhën shqipe. Pas një analize të thellë shkencore që iu bë këtyre emërtimeve, Çabej u shpreh se ndryshimet fonetike që kishin pësuar këto emërtime kishin ndodhur në përputhje me zhvillimet fonetike të shqipes.
Të gjitha këto fakte historike, arkeologjike, gjuhësore etj,u parashtruan në Kuvendin I të Studimeve Ilire (1972) ku u arrit në përfundimin e rëndësishëm se shqiptarët ishin pasardhës të ilirëve dhe se shqipja rridhte nga ilirishtja. Pavarësisht këtij përfundimi, gjuhëtarët dhe përgjithësisht albanologët, kanë qenë të ndërgjegjshëm se faktet gjuhësore të sjella nuk kanë qenë të mjaftueshme për të vërtetuar plotësisht prejardhjen e shqipes nga ilirishtja. U bënë përpjekje të tjera për të sjellë fakte të reja më të qëndrueshme. Por nuk u arrit ndonjë gjë e rëndësishme, vetëm se u shtua mjaft numri i emertimeve të vjetra të burimit autokton. Në pamundësi të sillnin fakte të reja gjuhësore për lidhjet ilirisht – shqip. shumë gjuhëtarë filluan t’i kërkojnë rrënjët e shqipes tek gjuhët e vjetra fqinje si latinishtja, greqishtja etj.

Duke parë përqasje reale të fjalëve shqipe me këto gjuhë, në të shumtat e rasteve janë marrë fjalët e gjuhëve të tjera si burim i parë, ndërsa shqipja si t’i ketë huazuar këto fjalë. Duke bërë një bilanc të “gjetjeve të etimologëve”, rezultoi se vetëm një numër fare i vogël fjalësh mendohet se janë të burimit autokton, kurse pjesa dërrmuese e fjalorit të shqipes është konsideruar si huamarrje nga gjuhët më të vjetra. Një përfundim i tillë ushqen mendimin e gabuar sikur shqipja është një gjuhë e re, një konglamerat fjalësh nga gjuhë të tjera. Një konceptim i tillë i ka futur studimet albanologjike në një gjendje stanacioni që po vazhdon në vite.

Studjues shqiptarë si Kondo, Pilika, Aristidhi, Xhaxhiu, etj. dhe studiues të huaj si: Anjeli, Manjani, Katapano, Falaski etj, kanë këmbëngulur pa reshtur në prejardhjen pellazgjike të shqipes. Këto vitet e fundit kjo tezë po fiton një mbështetje më të gjerë. Mirëpo përpjekjet dhe arritjet e këtij grupi mbështetësish të kësaj teze, janë përcjellë me indiferencë nga Institucionet përkatëse. Sipas përfaqësuesëve të këtyre institucioneve, problemi pellazgjik është “ një çështje e mbyllur ”. Arsyetimi i tyre është: “ Për deri sa nuk është arritur të dokumentohet gjuha e ilirëve, si mund të arrihet të dokumentohet gjuha e pellazgëve, të cilët janë shumë më të hershëm se ilirët ?”.Një arsyetim i tillë duket sikur bind. Themi “ duket sikur bind”, pasi gjerësia dhe shpejtësia e marrjes së informacionit në kohën tonë, po e zhbën këtë arsyetim.

Studiues të shumtë bashkëkohorë kanë mundur të sjellin fakte dhe argumente të cilat provojnë vazhdimësi etno-gjuhësore të pellazgëve, ilirëve dhe shqiptarëve.
Studjuesi i njohur Prof. Mathieu Aref, me origjinë shqiptare, për disa dekada me radhë ka bërë studime për të zbuluar fakte dhe dokumenta të cilat të mund të provojnin lidhjet midis pellazgëve, ilirëve dhe shqiptarëve. Para një viti ai mori miratimin e Universitetit prestigjioz të Sorbonës për tezen e tij : “Vazhdimësia etnogjuhësore pellazgo – iliro – shqipe. Historianë, arkeologë dhe shumë studjues të tjerë të njohur si: B.Avdyli, A.Spahiu E.Kocaqi,etj. kanë pubikuar të dhëna të rëndësishme dhe me shumë vlerë në mbështetje të kësaj teze.

(Materiali u bazua në librin “Pellazgët kanë folur e shkruar shqip” nga autori, Muharrem Abazaj)

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët