MENU
klinika

Arvanitasit janë një çështje që duhet t’i bashkojë të dy vendet dhe jo t’i ndajë!

Pse arvanitasit po asimilohen nga grekët?

31.03.2020 - 06:03

Arvanitët ishin profesorët e parë që themeluan Akademinë e Athinës. Dhe kjo në fakt ishte një dëshirë e kahershme. Ishte një ide që lindi që në vitet e para të Revolucionit të 1921-it. Luftëtarët shqiptarë të lirisë kishin aspiratë të themelonin Akademinë, sepse si njerëz të shkolluar që ishin e dinin që arma më e fuqishme për zhvillimin e një shteti është arsimimi. Ndaj krijimi i një akademie do ishte e ardhmja e këtij shteti. Fillimisht përpjekjet e para dështuan. Vetëm në vitin 1926 ministri i arsimit, Dhimitër Egjiniti, arvanitas nga Egjina, bëri realitet ngritjen e Akademisë së Athinës.

Ndërtesa ku u ngrit Akademia lidhet përsëri me Shqipërinë. Do ishte voskopojari i famshëm Simon Sina, djali i Gjergj Sinës, ish konsull i qeverisë greke në Austri që do bënte një dhuratë bamirësie për ngritjen e Akademisë.

Akademikët e shquar me origjinë arvanitase janë: Dhimiter Egjiniti, Angjelo Gjini, Sotiri Shqipi, Spiridon Doda, Vasil Egjiniti, Gjergj Sotiriu, Kostandin Horemi, Aleksander Diomidhi, Maksim Micopulos, Vasil Malamo, Dhimitri Kaburoglu, Teofil Vorea, etj.

Por jo vetëm në shkencë dhe politikë vunë vulën e tyre, arvanitasit. Mënyra e tyre e jetesës dhe veshja tipike shqiptare ka tërhequr vëmendjen e shumë studiuesve të huaj që vizituan Ballkanin. Ndaj dhe tablotë me këtë veshje tradicionale do të mbushnin atelietë e botës mbarë. Shumë prej tyre, të frymëzuar nga bukuria e viseve të tyre dhe nga historia e këtij populli të veçantë dhe të lashtë u bënë dhe vetë piktorë duke transmetuar traditat e tyre dhe duke i stilizuar zakonet e arvanitasve në mbretërinë e përjetësisë.

Shumë i njohur është dhe kontributi i arvanitasit Jani Bukura, i cili pas revolucionit ndërtoi teatrin e parë prej guri të Greqisë së Re në Athinë. Shumë e famshme ishte dhe e bija, një ndër piktoret më të njohura në Greqi, një nga gratë më të emancipuara të Greqisë. Ajo mban emrin Eleni Bukura dhe është piktorja e parë femër në Greqi.

Por duke qenë se kontributet e arvanitasve ishin kolosale në kulturën greke ajo që të bën përshtypje është asimilimi që i bëri ky shtet pasardhësve të pellazgëve të lashtë. Ata u detyruan të “binden” se duhet të braktisnin gjuhën e tyre nëse duhet të bëheshin qytetarë të shtetit të ri grek. Të dhëna të sakta për numrin e arvanitasve nuk ka, por sipas studiuesit Aristidh Kola, ka pak njerëz në Greqi që nuk e kanë gjyshen apo gjyshin arvanitas.

Pjesa më e bukur e arvanitasve është folklori i veçantë. Lirikat e vjetra janë këngë për lirinë, dashurinë dhe të qënit kaçak. Ato këngë këndohen nëpër dasma. Duke qenë se gjuha arvanitase nuk u shkrua kurrë, ajo u ruajt në mënyrën më të veçantë nëpër këngë.

Por ajo që është një fakt i trishtë është se zakonet e të parëve, lavdia e dikurshme dhe gjuha çdo ditë që kalon zbehet. Asimilimi që i bën helenët pjesës më të bukur të Greqisë, është i trishtë. Dihen nga të gjithë faktet që kush fliste në publik gjuhën arvanitase mund të rezikonte helmimin e eleminimin e padiskutueshëm. Kjo politikë fashiste ndaj kësaj pjese popullsie që dha shpirtin dhe gjakun e tij për shtetin grek duhet të ndalohet. Ndaj është e nevojshme të flitet shumë për këtë temë. Ndaj është e nevojshme që politika shqiptare të ngre zërin dhe të hartojë politika dhe strategji për të ruajtur vlerëat e një popullsie që nderon Ballkanin dhe më gjerë. Është e rëndësishme që qeveritë shqiptare dhe ajo greke duhet të punojnë së bashku në këtë drejtim. Deri më sot janë treguar indiferente.

Në dritën e raporteve të reja që ka mes Greqisë dhe Shqipërisë duhet të tregohet një vëmendje e veçantë ndaj kulturës dhe vlerave të arvanitasve. Sepse këto të fundit kanë vulën e tyre të padiskutueshme në kulturën greke. Arvanitasit janë një çështje që duhet t’i bashkojë të dy vendet dhe jo t’i ndajë.

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit