Statuti i Drishtit ruhet në Bibliotekën Mbretërore të Danimarkës, në një kuti kartoni ngjyrë jeshile dhe është i lidhur me kopertina kartoni të forta, ngjyrë kafe të errët, ndërsa kurrizi është prej pergameni të bardhë. Gjashtë faqet e para dhe të fundit janë boshe: janë faqe që iu takojnë kopertinave kur është bërë lidhja e re në fund të shek. XIX. Dorëshkrimi është në pergamen të butë e fin. Kopertina është diçka më e trashë se faqet e tjera. I tërë dorëshkrimi është i shkruar me ngjyrë kafe nga një dorë e vetme. Në këtë dorëshkrim ka dhe një portret të ipeshkvit, Pal Ëngjëlli me shkopin baritor në dorë, me mitër në kokë dhe i veshur me rroba të kryeipeshkvit. Në faqen e fundit të dorëshkrimit është një gjenealogji e familjes së ëngjëllorëve.
Historiku i dorëshkrimit
Dorëshkrimi i Statutit të Katedrales së Drishtit për herë të parë përmendet në katalogun 438 të antikuarit gjerman, Karl Wilhelm Hiesermann nga Lajpcigu, në qershorin e vitit 1915. Meqënëse dorëshkrimi nuk u shit, Hiesermann i përsërit shënimet e vitit 1915, në katalogun 477 për vitin 1920.
I pari që do tregonte vëmendje për vlerën që përmbante ky dorëshkrim do ishte albanologu kroat, Milan Shuflaj. Ai dëshironte të blente këtë dorëshkrim por nuk kishte mundësi. Ndaj iu drejtua disa bibliotekave të rajonit. Por ndërsa askush nuk po i bindej, ai merr vesh se një blerës anonim e kishte blerë dorëshkrimin për vlerën fenomenale 2.000 marka. Aq ia kishte vënë çmimin antikuari gjerman. Shuflaj do të ndërhynte nëpërmjet albanologëve të njohur dhe gjen emrin e koleksionistit, për të siguruar një kopje të fotografuar. Kopja u botua dhe ndodhet në Bibliotekën “ Arhiva za Arbanasku starinu, jezik i etnologiju. Beograd, 1927”.
Përmbajtja e statutit
Statutet fillojnë me një normë zakonore që përbën një nga traditat më të lashta të popullit shqiptar që është ajo e respektit të ndërsjelltë të brezave. Aty thuhet qartë se si rinjtë duhet të respektojnë më të vjetrit dhe shpjegohet mënyra si të vjetrit duhet të duan të rinjtë. Më pas shpjegohet detyra e gjykatësve, si duhet të veprojnë ato dhe ç’dënime japin për për rrahjet, për ankesat e qytetarëve, ndihmën që duhet të jepet ndaj studiuesve etj.
Dorëshkrimi
Dorëshkrimi “Statutet Drishtit” është një nga më të rrallat ngaqë përmban kapitujt e Katedrales së Drishtit. Ai është i vetmi, statut katedraleje që është zbuluar në qytetet e bregdetit Adriatik, dhe për këtë arsye ka një vlerë të jashtëzakonshme në historinë e Krishtërimit. Ai u shkrua nga noteri i Tivarit, Simon Dromasys me 12 janar 1468, i cili bën gjithashtu përshkrimin e variantit të zyrtarizuar të vitit 1464, nga libri i noterit dhe kanonikut të Durrësit, Gjon Mauros, që njëkohësisht ka qenë edhe sekretar i kryeipeshkvit të Durrësit, Pal Engjëllit, që ndërkohë kishte vdekur.
Variantin e “Statuta et ordinationes capituli eçlesiae Cathedralis Drivastensis” nga viti 1464 e kishin punuar kanonikët nga Drishti, të cilët ishin të ditur, të shkolluar, dhe njihnin rrethanat, situatën dhe gjithçka tjetër që kishte të bënte me katedralen dhe me zakonet e Drishtit në të kaluarën. Mendohet se statutet e Drishtit mund të kenë ekzistuar që nga viti 1397.
Pse Europa fillon të hartojë ligje të reja?
Në shekullin X-të Perandoria Kristiane do të tronditej rëndë nga krizat politike. Po shpërbëhej një epokë disa shekullore. Kjo periudhë do të quhet skizma. Pikërisht në këtë kohë kemi mjedise të reja gjeografiko-demografike. Kemi ndarjet e para politiko-administrative dhe u formuan Principatat dhe komunat.
Bashkë me zhvillimet e aspektit politik po ndihej nevoja për ndryshim dhe në aspektin fetar. Ndaj lindte nevoja e hartimit të ligjeve të reja politiko-sociale.
Në rrethana të tilla do të lindin misionarët e të drejtës, që do u jepnin zgjidhje nevojave që diktonin terrenet e panjohura.
Forteskie, Gerson, Bartoldo Baldo në Itali, Guljelmi nga Okhami në Britani dhe Marsilio nga Padova qenë misionarët më të mëdhenj që ofruan konceptet e reja dhe kurajoze mbi të drejtat ligjore të “Comunave” dhe “Regnave” – pra të drejtat ligjore të Mbretërive, Qyteteve dhe qytetarëve.
Qenë pikërisht këta misionarë që formuluan parimet se:
“Ashtu si perandori hartonte ligjin universal për të gjithë, ashtu edhe ata që tashmë janë zotër në territore të veçanta, duhet të hartojnë statute ligjore të veçanta për to”.
Kishte lindur kështu mundësia e hartimit të akteve të reja ligjore, nën një koncept të ri rreth “së drejtës”, “sovranitetit” dhe “vullnetit të sovranit”. Fillojnë të hartohen mbi këtë bazë “Statutet” e para ligjore të Mbretërive, Republikave, Civitates dhe Comunave europiane.
LIGJET E PARA EUROPIANE DHE LIGJET E PARA SHQIPTARE
Pikërisht, në kohët kur fillojnë të hartohen “Statutet” e para ligjore nëpër Europë, në fillimin e shekullit XIV, atë mot fillojnë të hartohen edhe “Statutet” e qyteteve shqiptare të Shkodrës, të Durrësit, Drishtit, etj. Ato “Statute”, në thelb, nuk janë gjë tjetër veçse Kushtetutat e para të tyre.
Por, siç përmendëm, zhvillimet dhe ndryshimet në Europën e asaj kohe nuk qenë vetëm politike e sociale, ato qenë edhe religjioze. Për rrjedhim, ndryshimet ligjore filluan të ndodhin edhe në këtë fushë.
Gjejnë terren për t‘u hartuar “Statute” të tilla edhe në qytetet dhe territoret e Arbërisë, pasi edhe në këto anë të Ballkanit ishte krijuar një infrastrukturë dhe urbanizim i lartë i civilizimit mesjetar, i njëjtë me nivelet e diagramës europiane. Për këto arsye, nuk mund të hartoheshin, aq më pak, nuk mund të zbatoheshin dot Kushtetuta me dispozita që rregullonin dhe administronin shoqëritë e zhvilluara, moderne të kohës, për shoqëri të prapambetura, pa një infrastrukturë të avancuar ekonomike, politike, religjioze, intelektuale dhe qytetare.
Dhe qytetet arbërore i kishin këto nivele, prandaj edhe mund të hartonin Kushtetuta dhe organizonin jetën e tyre mbi shtrate ligjore të barasvlefshëm dhe bashkëkohorë me ata europianë.
Kështu ishte edhe Drishti, një qytet i lulëzuar mesjetar, me një infrastrukturë urbane mjaft të përpunuar, me katedralen e tij dhe institucione të tjera të zhvilluara civile dhe ligjore, me fisnikërinë e tij të njohur qytetare brenda dhe jashtë Arbërisë, me magjistratët dhe noterët, me komunitetin e tregtarëve të shumtë, me fuqinë ekonomike mjaft potenciale, gjer aty sa priten edhe monedha të bronzta, me muret rrethues hijerëndë, me intelektualë të shquar që mund të krijonin dhe hartonin ligje të denjë për të qenë rivalë me fqinjët e tyre perëndimorë.
(të dhënat nga konferenca shkencore e Universitetit Europian mbi statutet e Drishtit, biblioteka e Vatikanit)