MENU
klinika

Patrioti dhe intelektuali i shquar

Ana e errët e Esat Pashë Toptanit

01.04.2020 - 15:10

Patrioti dhe intelektuali i shquar Mithat bej Frashëri në shkrimet e tij të famshme nuk kishte si të mos ndalej dhe tek figura e Esat Pashë Toptanit. Ai do ta përshkruajë Esatin si një njeri të vështirë, finok, nevrik dhe paksa zevzek. Ja çfarë shkruan ai në një studim që ndodhet në arkivën e shtetit… Esati, i biri i Ali bej Toptanit, lindi në Tiranë rreth vitit 1860.

Vëllai i tij, Gani beu, ishte katër vjet më i madh. Që në fëmijëri, ai dallohej për karakterin e tij të keq dhe gjaknxehtë. Vëllai i tij i madh ishte jo më pak i tillë dhe babai i tyre ishte viktima e parë e karakterit të tyre të keq. Një ditë ata e mbuluan me një rrogoz të lagur me naftë dhe e kërcënuan se do ta digjnin. Në fakt Ali beu nuk ishte në rregull mendërisht. Kur u rrit, Gani beu sillej në Tiranë si një cub i vërtetë, duke ngjallur terror ndërmjet miqve dhe armiqve të tij. Në një çast të caktuar, ai u detyrua të arratisej në Greqi për t’i shpëtuar ndjekjes së Qeverisë osmane: ky ishte fillimi i karrierës së tij, mbasi Abdyl Hamiti, i alarmuar nga kjo arratisje, së cilës i kushtonte një rëndësi politike, e tërhoqi atë në Konstantinopojë dhe e futi në batalionin e truprojës së tij. Në Konstantinopojë, Gani beu u tregua shumë pak skrupuloz dhe bënte një jetë të shthurur; një rivalitet lindi ndërmjet tij dhe Xhavit Beut, djali të vezirit të madh të asaj periudhe, Halil Pufat Pashës, dhe Gani beu gjeti vdekjen një mbrëmje në Pera, nga dora e një personi të quajtur Hafiz Pasha, mik i Xhavit Beut, i përmendur më lart.

Kjo vrasje mbeti e padënuar, gjë që bën të mendohet se Abdyl Hamit Beu ishte lodhur nga i përkëdheluri i tij. Esati ishte rritur në Tiranë dhe e kish zgjeruar rrethin e ndikimit të tij, gjë që i jepte mundësi të çlirohej nga rivalët (familja Jella) dhe ta shtonte pasurinë me mjete kurdoherë të paligjshme. Pasi gjeti mjetin për t’u vënë me dëshirë në shërbim të Hafiz Pashës, guvernator i Durrësit (i cili nuk duhet ngatërruar me homonimin e tij, vrasësin e Ganiut), ai u caktua kryetar i rrethit të Tiranës, post që i lejonte ta tepronte në veprime pa u dënuar. Rreth vitit 1895, ai u emërua nga Sulltani komandant i xhandarmërisë së Janinës.

Ky post i kushtoi atij 1500 lira turke të cilat iu paguan mareshallit Dervish Pasha. Atë që në Tiranë e kishte bërë në mënyrë të paligjshme, filloi ta bënte hapur dhe në mënyrë zyrtare në Janinë. Dervish Pasha ishte në atë kohë i plotfuqishëm në Stamboll. Ganiu ishte favoriti i Sulltanit dhe Esati mund t’i lejonte vetes, pa u ndëshkuar, gjithçka, megjithëse ky post ishte sa fitimprurës aq edhe i rrezikshëm. Ai përuroi në Janinë epokën e përdorimit të bandave të cubave, që zëvendësuan 30 xhandarë me kuaj, të cilët i futi përsëri në punë, pasi mori prej secilit 25 lira turke. Gjatë Luftës Greko-Turke të vitit 1897, ai i grabiti të gjithë bagëtitë, të imëta e të trasha, që gjeti dhe pasi mbërriti në Janinë si guvernator i përgjithshëm i Osman Pashës, i dha një hov më të madh punëve të veta, duke shkuar deri atje sa mori rryshfete madje edhe prej 20 frangash, duke rrëmbyer paratë e njerëzve të thjeshtë, të cilët i kërcënonte me syrgjynosje, duke futur hundët në çështjet administrative e të drejtësisë dhe duke nxjerrë përfitim nga gjithçka. Është e pamundur të bëhet një listë për të këqijat, vjedhjet dhe grabitjet e tij.

Për këtë, ndër të tjera mund të përmendim: ai arriti të grabiste manastirin (Teqe) e Peshtanit (rrethi i Përmetit); i grabiti 900 lira turke Baba Ahmetit, kryedervishi i Teqesë së Kostanit; 640 lira baba Abedinit, dervishit të Teqesë së Frashërit; 1200 lira vëllezërve Xhelal dhe Mehmet bej Këlcyra, 200 lira Abaz bej Vasiarit. Pas vrasjes së vëllait të tij Ganiut, Esati, duke menduar se rrezikohej, dërgoi në Konstantinopojë shërbëtorin e tij të quajtur Haxhi Mustafa, lindur në Krujë, i cili vrau Xhavit Beun, në mes të Urës së Gallatës. Vrasësi u arrestua, u gjykua dhe u burgos, por u trajtua me shumë butësi: ai, në burg, ishte një shef i vogël e pak kohë më vonë u lirua dhe u caktua rojë në Ministrinë e Drejtësisë. Nga kjo merret me mend se Hamit Beu ishte i kënaqur nga suprimimi i Xhavitit. Esati, edhe pse i njohur nga të gjithë si autori i vërtetë i vrasjes, nuk u keqtrajtua aspak. Por, pak nga pak, marrëdhëniet e tij me Qeverinë e përgjithshme të Janinës, Tatar Asman Pasha, u tendosën dhe për shkak të një skandali që ndodhi ndërmjet të dyve.

Esati u transferua në Shkodër, gjithnjë me detyrën e shefit të Xhandarmërisë. Ky ishte një rast për tiranin që t’u diktohej bashkëpatriotëve të tij, mbasi ai banonte në Tiranë, në vend që të banonte në qytetin e Shkodrës, në kryeqendër. Gjithashtu, forca që kishte, i dhanë atij mundësi të bënte kërdinë kundër atyre që nuk i pëlqenin, atyre që mund të luftonin kundër fuqisë së tij, ose që me anë të pasurisë të tyre mund ta shqetësonin. Pikërisht në këtë periudhë nis me të vërtetë fuqia e tij në Tiranë e Durrës, sepse duke persekutuar njerëzit e ndershëm, në të njëjtën kohë ai mbronte njerëzit e liq dhe u kërkonte ndarjen e përfitimeve të paligjshme që mund të arrinin këta të fundit. Kjo ishte mënyra e tij për të garantuar sigurimin publik, ashtu sikurse kishte bërë në Janinë.
Ndryshimi i regjimit turk, në vitin 1908, e gjeti Esatin në postin e tij në Shkodër dhe me famën e një njeriu despotik, besnik ndaj Abdyl Hamitit dhe ndaj mënyrës së tij të administrimit. Pra, ai nuk mund të kishte marrëdhënie të mira me personat e regjimit të ri dhe duhej në mënyrë fatale të shmangej. Por, heroit tonë nuk i mungonte aspak shkathtësia: ai shkoi shpejt në Selanik, ku ndodhej selia e Komitetit Bashkimi dhe Progresi. Thuhej se xhonturqit e kishin dënuar me vdekje, por 500 lira turke, qëndrimet e përulura dhe premtimet e rrema i dhanë atij mundësi të hynte në shërbim të shefave unionistë, të cilët e përkrahën dhe e ndihmuan të merrte mandatin e deputetit të Sanxhakut të Gjirokastrës për Parlamentin osman. Esati, i cili dikur ia detyronte madhështinë e tij Abdul Hamitit, këtë herë duhej të mbështetej te armiqtë e Sulltanit. Pra, ai e kishte vendin në Dhomën osmane, duke mos marrë asnjëherë pjesë në të, duke mos dashur të luajë asnjë rol si deputet shqiptar dhe që shqetësohej tepër pak për mbrojtjen e interesave të kombit të tij, ai mbajti më tepër një qëndrim servil me padronët e kohës, deri në atë pikë sa u caktua nga këta të fundit si anëtar i delegacionit që do t’i njoftonte Abdyl Hamitit rrënimin e pushtetit të tij. Esati njihej atëherë si një nga shefat unionistë dhe këto marrëdhënie të mira vazhduan për sa kohë që këta të fundit kishin pushtetin; dhe kur xhonturqit filluan të dobësohen, kur partia kundërshtare, e quajtur liberale, dukej se po korrte sukses, Esati e ndryshoi menjëherë kampin, duke u shprehur armik i Talatëve, i Xhavitëve dhe i Xhahidëve. Pikërisht në këtë çast, nacionalistët e rinj shqiptarë hynë në lidhje me të në Konstantinopojë: ai premtoi ndihmën e tij për lëvizjen antiturke që zhvillohej në Shqipëri (fillim i vitit 1912).

Megjithatë, mbasi ia njihnin karakterin dinak dhe oportunist, nacionalistët u treguan të kujdesshëm dhe nuk u bazuan plotësisht në fjalën e tij. Kur shqiptarët, të cilët dolën fitimtarë në Shkup, arritën ta detyronin Dhomën të shpërbëhej dhe përgatitën formimin e Qeverisë liberale të Myftar Pashës. Esati u emërua komandant i rezervistëve në Shkodër dhe me këtë detyrë ai mori pjesë në luftën kundër serbo-malazezve, që rrethuan qytetin e Shkodrës (1912-1913). Komandant i forcave të Shkodrës ishte koloneli Hasan Riza Bej (më parë quhej Hasan Riza Pasha). I konsideruar inteligjent e i paanshëm, dhe duke e kuptuar se shqiptarët (të mërzitur nga regjimi turk) do t’i ndihmonin malazezët, ai hartoi projektin për të ngritur flamurin shqiptar në Kështjellën e Shkodrës, me qëllim që të gruponte shqiptarët dhe t’i bënte ata të marshonin kundër agresorit sllav ose të paktën për të siguruar asnjanësinë e tyre. Në fakt, pavarësia e Shqipërisë u shpall në Vlorë (28 Nëntor 1912) dhe ishte fjala të bindeshin malësorët (malësorë të rrethinave të Shkodrës) se çështja e këtij qyteti ishte çështje e tyre. Në çastin kur Hasan Rizai do ta zbatonte këtë projekt dhe se ishte gati të merrej vesh me malësorët, ai u vra në mbrëmje përpara shtëpisë së Esat Toptanit, tek i cili ai sapo kishte qenë për darkë. Vrasësi ishte Osman Bali, shërbëtor dhe njeri besnik i Esatit. Për të shpjeguar këtë krim, duhet ditur se Hasan Riza ishte një kundërshtar i komitetit “Bashkim e përparim” dhe se ai donte të vinte kandidaturën e tij në Bagdad si deputet liberal. Nga ana tjetër, shefi i Shtatmadhorisë së tij, nënkoloneli Kiameran ishte, së bashku me disa oficerë të tjerë, një fanatik unionist. Esati donte të shpëtonte nga Hasan Rizai, për ta zëvendësuar vetë atë dhe Kiemerani ishte i kënaqur të hiqte qafe një armik të partisë së tij. Esati dhe Kiamerani u morën vesh deri në fund, domethënë deri në kapitullimin e qytetit, gjë që ndodhi në vitin 1913. Thuhej se Shkodrës i mungonin ushqimet por, nga ana tjetër, të rrethuarit ishin paralajmëruar se serbët që mbanin të rrethuar qytetin, në bashkëpunim me malazeztë, sapo ishin larguar: pra ata ndodheshin përballë forcash të reduktuara dhe, për më tepër, mbretit Nikita i ishte dorëzuar ultimatumi i Fuqive të Mëdha për ta hequr ai vetë rrethimin.

Esati, pra, kishte shumë mundësi ta zgjaste rezistencën edhe për disa ditë, por ai parapëlqeu të kapitullojë duke u mjaftuar të shpëtojë nderin e tij ushtarak. Por, qysh nga ajo periudhë ka pasur zëra se gëzimi i Esatit kishte shkaqe të tjera nga ato të “Ndereve” ushtarake dhe se një shumë prej 600 mijë frangash iu dha nga malazezët. Gjithashtu mbreti Nikita e princi Danillo e ndihmuan në ambiciet e tij personale; po ditën e kapitullimit të qytetit, malazeztë përhapën zëra se Esati e kish shpallur veten mbret i Shqipërisë. Megjithatë, Esat bej Toptani u mjaftua, në fillim, të tërhiqet në Tiranë, me ushtarë dhe topa që i solli nga Shkodra. Ai kënaqej me përfitimet dhe intrigat që thurte, duke përkëdhelur pasionet e ulëta, fanatizmin fetar të klasës reaksionare dhe duke mos u sprapsur përpara asnjë premtimi, përballë asnjë mjeti terrorizimi.

Por, pak nga pak, u përvijua qëndrimi i tij: ishte e qartë se ai ishte nxitur nga sllavët dhe grekët, duke u premtuar të parëve Shkodrën dhe të dytëve Shqipërinë e jugut. Ai nuk gjente në vend shumë përkrahës, por përdorte forcën që i siguronin shqiptarët e Dibrës dhe të Ohrit, rajone që ishin aneksuar së fundi nga serbët dhe të cilëve u premtonte çlirimin e vendit të tyre, premtim mashtrues që merrte një ngjyrë të vërtetë nga diskutimet e serbëve ë cilat linin të shpresohej për evakuimin e Dibrës dhe Ohrit në rastin kur Shqipëria do të njihte Esat Pashën. Për më tepër, duhet nënvizuar se mbasi afro 50 fshatra ndërmjet Dibrës dhe Ohrit u shkatërruan nga serbët – tetor 1913 – Esati gjeti një pretekst më shumë për arratisjet e tij në Tiranë dhe në rrethinat e saj. Duke e ndjerë veten të fortë nga kjo mbështetje, Esati e shpalli veten të pavarur nga Qeveria provizore e Vlorës. Rusia pa dyshim mbështeste Esatin dhe Italia nuk vonoi ta tërhiqte atë në sferën e saj me shpresën për t’ia kundërvënë Austrisë dhe për të kundërshtuar ndikimin e kësaj rivaleje…

Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen