MENU
klinika

Ja si ta dalloni

Keni simptoma të COVID-19 apo alergji?

05.04.2020 - 13:27

Në situatën e vështirë globale që po kalojmë në lidhje me përhapjen e gjerë të COVID-19 dhe simptomat e shfaqjes së këtij virusi, pacientet shpesh ngrenë pikëpyetje dhe nuk arrijnë të dallojnë qartë simptomat/shenjat e alergjisë nga ato të COVID-19.

Në përgjithësi alergjitë shkaktojnë simptoma që prekin hundët të tilla si tështima, rrjedhje të ujshme apo bllokim të hundëve, të shoqëruara me të kruara të hundëve, të fytit dhe të syve, si dhe skujqe apo lotim të shprehur. Kolla është një simptomë e rëndësishme e alergjisë, e cila kur shoqërohet me vështirë si në frymëmarrje apo fishkëllima në gjoks, flet për një rëndim të astmës.

Duhet theksuar se alergjia nuk shkakton ethe apo rritje të temperaturës trupore, qe është edhe një ndër simptomat tipike të COVID-19. Pavarësisht faktit që disa simptomat të COVID-19 mund të ngjasojnë me ato të alergjisë vlen të theksohet se ka diferenca të shumta midis tyre.

Simptomat me karakteristike te COVID-19 janë:
• Temperaturë
• Kollë e thatë
• Vështirësi në frymëmarrje
• Dhimbje koke, dhimbje trupi

COVID-19 mund të përhapet me anë të spërklave kur kollitemi apo tështitemi dhe nuk respektojmë distancën e duhur nga të tjerët, si dhe nga kontakti nëpërmjet duarve.

Simptomat e alergjive sezonale variojnë nga të lehta në të rënda.

Simptomat më të zakonshme të alergjisë përfshijnë:
• Tështitje
• Rrjedhje ose bllokim i hundëve
• Kruarje, skuqje dhe lot nga sytë
• Kruarje hundësh, fyti ose të kanalit të veshëve
• Bllokim të veshëve

Simptoma më pak të zakonshme të alergjisë përfshijnë:
• Vështirësi (mbajtje) në frymëmarrje
• Fishkëllimë në kraharor gjatë frymëmarrjes
• Kollë

Medikamentet që përdoren për alergji apo astmë janë medikamente që nuk rrisin rrezikun e infektimit nga COVID 19. Eshtë e këshillueshme që në këtë periudhë të vazhdoni te merrni mjekimet e rekomanduara nga mjeku juaj si dhe te qëndroni në kontakt me mjekët specialist në rast përkeqësimi të simptomave.