Bashkia Kukës po merr masa për disiplinimin e të gjitha hapësirave në pikat më të frekuentura nga qytetarët, në zbatim të rregullave nga COVID-19.
Sot, në bashkinë Kukës janë marrë masat dhe është bërë gati tregu agroushqimor, sipas të gjitha masave të parashikuara. Në tregun agroushqimor janë vendosur rrathët e verdhë orientues për qytetarët pranë subjekti ushqimor të cilat janë të domosdoshme për mbajtjen e distancës mes tyre, duke siguruar shëndetin e tyre.
Kryetari i bashkisë Kukës, Safet Gjici, inspektoi sot nga afër masat që po merren për respektimin e distancimit social nga ana e qytetarëve, duke mos qëndruar pranë njëri-tjetrit teksa bëjnë pazaret dhe përdorimin e maskave mbrojtëse dhe dorezave nga ana e tregtarëve.
Gjici, gjatë bashkëbisedimit me tregtarët, për respektimin e masave kundër COVID-19, u interesua edhe për çmimet e shitjes së produkteve bujqësore dhe furnizimin e tregut me prodhime të bollshme.
“Çmimet e prodhimeve bujqësore janë të qëndrueshme dhe madje për produktet e zonës, qepë, patate, etj, çmimet e shitjes janë të ulëta, deri me 50 lekë/kg”, u shpreh një tregtar.
Gjici u interesua dhe shprehu gatishmërinë e mbështetjes, për çdo nevojë që mund të kenë tregtarët e këtij tregu, që është edhe ndër më të frekuentuarit e zonës, në zbatimin e rregullave ndaj COVID -19
“Shëndeti juaj është objektivi primar i yni, prandaj duhen respektuar rregullat”- tha ai.