Këtë të premte kryeministri Rama paralajmëroi lehtësimin e masave të marra në kuadër të situatës të krijuar nga covid-19, kjo duke u mbështetur dhe në kurbën e koronavirusit në Shqipëri.
Kreu i OBSH në Tiranë, Raul Gonzales në një intervistë për Report Tv tha se masat e marra nga qeveria kanë mbrojtur popullin shqiptar por cdo hap i ri në lehtësimin e masave duhet bërë me shumë kujdes.
Përsa i përket gjetjes së vaksinës për covid-19, Gonzalez u shpreh se do të duhet të prodhohet sasia e nevojshme, por nuk do të jetë gati më parë se një vit apo një vit e gjysëm. Gonzales flet për një valë të dytë të virusit që është e lidhur me mënyrën se si do të menaxhohet izolimi.
“Për këtë virus nuk do të flisja për sezonet sepse ne po e shohim këtë virus kudo. Ne jemi në hemisferën veriore në pranverë por në hemisferën jugore është vjeshtë. Kështu që nuk do ta merrja të mirëqenë faktin që do të kemi ndryshime në varësi të stinëve. Më mirë të përdorim konceptin e një vale të dytë që do të ishte më e lidhur me mënyrën si menaxhojmë izolimin. Nuk mund të jemi të sigurt që në momentin që lehtësojmë masat do të kemi me shumë raste. Cështja është sa raste jemi në gjendje të pranojmë dhe me shumë mundësi një gjë që duhet ta përdorim si indikator është sa raste mundet sistemi shëndetësor në cdo vend të përballojë, një valë të dytë të virusit. Prandaj nuk do të flisja për cështjen e stinëve sepse nuk kemi mjaftueshëm prova, por për valë të re virusi’ tha ai.