SARS-CoV-2 kontaminon sipërfaqet dhe ajrin pranë pacientëve dhe deri në katër metra larg tyre, sipas një studimi të kryer në një spital fushor të Wuhanit dhe publikuar nga Qendrat amerikane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (CDC).
Një përkufizim i rëndësishëm i studimit, publikuar nga revista “CDC Emerging Infectious Diseases”, është se testi i përdorur që mundëson zbulimin e pranisë së virusit, por jo sasinë e virusit të qëndrueshëm. E thënë ndryshe, kjo nuk tregon se virusi i lëshuar në ajër nga teshtima ose frymëmarrja e pacientëve mund të fluturojë deri në katër metra, që këto grimca do të jenë në sasi të mjaftueshme për të infektuar dikë.
Studiuesit kinezë i realizuan zbulimet në një shërbim reanimacioni me 15 pacientë në spitalin fushor Huoshenshan në Wuhan mes 19 shkurtit dhe 2 marsit, si dhe nga një njësi e kujdesit të përgjithshëm me pacientë më pak në gjendje të rëndë (24 pacientë).
Bëhet fjalë për spitalin e ndërtuar për 10 ditë nga një ushtri punëtorësh në fillim të epidemisë në qytet.
Mostrat u morën nga dyshemetë, mauset e kompjuterave, koshat e mbeturinave, binarët e shtratit, maskat e pacientëve, pajisjet për mbrojtjen e infermierëve, sistemet për pastrimin e ajrit, si dhe nga ajri në dhoma në disa vende.
“SARS-CoV-2 ishte shpërndarë gjerësisht në ajër dhe në sipërfaqen e objekteve në shërbimet e reanimacionit dhe të përkujdesit të përgjithshëm, që përbën një rrezik potencialisht të lartë kontaminimi për personelin mjekësor dhe kontaktet e tjera të afërta”, shkruajnë studiuesit.
– Pjesa e poshtme e këpucëve –
Zonat më të kontaminuara ishin pranë pacientëve në përkujdes intensiv. Objektet më të kontaminuara ishin mauset e kompjuterave, të ndjekur nga koshat e mbeturinave dhe shtretërit dhe dorezat e dyerve.
Por, edhe gjysma e pjesëve të poshtme të këpucëve të stafit mjekësor gjithashtu kishin gjurmë të virusit.
“Ne rekomandojmë fuqimisht për këta persona të dezinfektojnë pjesën e poshtme të këpucëve të tyre para së të dalin nga shërbimet ku ndodhen pacientët me COVID-19”, përfundojnë studiuesit.
Ata këshillojnë gjithashtu dezinfektimin e maskave pas përdorimit, para se t’i hedhin.
Virusi është zbuluar gjithashtu në ajër, më shpesh pranë shtretërve të pacientive sesa pranë vendeve të punës të mjekëve, transmeton Atsh.
Por virusi është gjendur edhe katër metra larg të pacientit, gjë që i bën ata të shkruajnë se “distanca maksimale e transmetimit të një aerosoli të SARS-CoV-2 mund të jetë katër metra”.
Virusi u gjet gjithashtu në sistemet për pastrimin e ajrit.
Duke pasur parasysh ndotjen e konsiderueshme të mjedisit të pacientit, studiuesit besojnë se izolimi në shtëpi i personave të dyshuar me COVID-19 mund të mos jetë një strategji efektive kontrolli.
Mënyra kryesore e përhapjes së koronavirusit të ri janë pikat relativisht të mëdha të prodhuara gjatë kollitjes ose teshtitjes.
Por ne gjithashtu lëshojmë pikat mikroskopike duke folur dhe duke marrë frymë, dhe prania e koronavirusit në sasi të mjaftueshme brenda këtyre pikave (aerosolet) është objekt i një debati intensiv shkencor.
Si masë paraprake, SHBA-ja ka rekomanduar mbulimin e fytyrave me maska për të parandaluar që personat mbartës të virusit por pa simptoma të infektojnë njerëzit e tjerë duke folur ose duke marrë frymë.