Drejtori i laboratorit kinez, të akuzuar nga media amerikane si një burim i mundshëm i koronavirusit të ri ka hedhur poshtë kategorikisht çdo përgjegjësi.
“Është e pamundur që virusi të vijë nga ne”, deklaroi në një intervistë për televizionin shtetëror CGTN, Yuan Zhiming, drejtor i Institutit të Virologjisë të Wuhanit, qyteti epiqendër i pandemisë.
Sipas pjesës më të madhe të shkencëtarëve, koronavirusi i ri me shumë gjasa është transmetuar tek njeriu nga një kafshë. Një treg në qytetin e Wuhanit mendohet të jetë dhe vatra e koronavirusit sepse aty shiteshin kafshë të egra të gjalla.
Por prania e këtij tregu disa kilometra larg këtij Instituti të Virologjisë ka nxitur për muaj të tërë hipotezat e një rrjedhjeje të virusit nga këto struktura të ndjeshme.
“Ne e dimë qartë se cilat lloje të kërkimeve janë realizuar në institut dhe si menaxhohen viruset dhe mostrat”, shtoi drejtori i këtij instituti, i cili ka një laborator P4, një strukturë e sigurisë së lartë që strehon llojet më të rrezikshme të viruseve të njohura, si Ebola.
Sipas Washington Post, ambasada e SHBA-së në Pekin, pas disa vizitave në institut, paralajmëroi autoritetet e ShBA-së në vitin 2018 për masa sigurie të pamjaftueshme në një laborator që studionte koronaviruset nga lakuriqët e natës.