Frika dhe paniku nga përhapja e virusit Corona në botë po shtohen. Presidenti i Shoqatës Ndërkombëtare Gallup, Kancho Stoychev mendon se kemi të bëjmë me një neurozë masive.
Të dhënat e sondazhit të fundit të Shoqatës Ndërkombëtare Gallup tregojnë një rritje të ndjeshme të numrit të atyre që besojnë se rreziku prej virusit Corona nuk është i ekzagjeruar dhe të frikës prej infektimit. Sipas presidentit të Shoqatës Ndërkombëtare Gallup, Kancho Stoychev në rastin e frikës ndaj virusit Corona kemi të bëjmë me një “neurozë masive”.
“Virusi Corona padyshim që ekziston, por ai nuk është aspak “gjigant”, ai është mjaft modest. Shkalla e vdekshmërisë mezi është rritur me disa të dhjetat e përqindjes. Prej Coronës kanë vdekur ose janë sëmurë më pak njerëz se gjatë shpërthimeve të mëparshme të gripit. Këto janë argumente të dukshme por që janë injoruar plotësisht. Kjo do të thotë që sëmundja e rëndë nuk është në trupin tonë, por në kokat tona.”
Frikë globale
Ky panik është kulmi i një serie frikash globale gjatë dy dekadave të fundit. Arsyet themelore të kësaj psikoze masive qëndrojnë në natyrën e shoqërive me tendenca konsumiste dhe në mënyrën sesi i trajtojnë ato elitat. Situata ngjan me “vetëvrasjen e një civilizimi” që përshkruan aq bindshëm Arnold Toynbee.
Një vaksinë për happy end
Mënyra për të dalë nga filmi horror që po përjetojmë ka nevojë për një happy end – në këtë rast, një vaksinë. Por problemi kryesor, është se në kohën që vaksina mund të jetë në dispozicion për të gjithë, katastrofa ekonomike mund të jetë aq e madhe sa vërtet mund të ndodhte një tragjedi reale edhe më e madhe./DW