Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë filluar takimet në kuadër të përpjekjeve për arritjen e koalicionit të ardhshëm qeverisës në Kosovë.
Liderët e të dy partive, Isa Mustafa i LDK-së dhe Ramush Haradinaj i AAK-ë kanë zhvilluar një takim në të cilin, sipas informacioneve që u dhanë më pas, është diskutuar vetëm për lidhjen e koalicionit, por jo edhe për ndarjen e pozitave.
Presidenti Thaçi ka paralajmëruar se këtë javë do të ndërmerr veprime konkrete për formimin e qeverisë së re. Këto veprime, Thaçi pritet t’i ndërmerr si rezultat i votimit në Kuvend të mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë së Kosovës më 25 mars.
Thaçi i ka kërkuar disa herë partisë fituese të zgjedhjeve, Lëvizjes Vetëvendosje që ta caktojë mandatarin për formimin e qeverisë, por Vetëvendosje dhe lideri i saj, Albin Kurti ende nuk e kanë nominuar mandatarin.
Nisur nga ky mosveprim i Vetëvendosjes, partia e dytë në zgjedhje, Lidhja Demokratike e Kosovës ka shprehur gatishmërinë që ta formojë qeverinë pa Vetëvendosjen. Pjesë e qeverisë që do të drejtohej nga LDK-ja, nuk do të jetë as Partia Demokratike e Kosovës. Kështu të paktën ka deklaruar lideri i saj, Kadri Veseli.
Në një deklaratë për mediat Ramush Haradinaj theksoi pas takimit se kërkohet një qeveri me mandat të plotë nga parlamenti dhe se AAK do të japë mbështetjen e saj.
“Paradite kam pasur një takim me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa dhe aty kemi biseduar se çka na pret në të ardhmen. Ende nuk ka ndodhur mandatimi zyrtar, deri në momentin kur nuk e kemi mandatarin nuk mund të flasim për aspekte tjera. Megjithatë situata është kjo e kemi një qeveri të rrëzuar me 2/3 në parlament. Ajo është qeveri në detyrë, por kërkohet një qeveri me mandat të plotë nga parlamenti. AAK do ta jap përkrahjen. I kemi kthyer një shkresë zyrtare LDK-së, ku kemi cekur temat që kanë rëndësi për neve. Për mua është e rëndësishme rritja e përkrahjes për institucionet e sigurisë, pastaj e rëndësishme është autostrada e Dukagjinit, dhe e treta temë është pakoja fiskale pas pandemisë, po ashtu çështja e demarkacionit”, tha Haradinaj.
Takimi i liderit të LDK-së, Isa Mustafa me AAK-në ishte i pari në vazhdën e krijimit eventual të një koalicioni qeverisës. Takime të ngjashme priten edhe me Nismën Socialdemokrate, Aleancën Kosova e Re, Listën Serbe si dhe komunitetet tjera joshumicë, pasi që për formimin e qeverisë, Mustafës do t’i nevojiten të paktën 61 vota në Kuvend./REL